VLORË - Kanë vazhduar gjatë gjithë natës dhe po vijojnë edhe herët në mëngjes punimet për prishjen përfundimtare të kompleksit "Jon" në Vlorë.

Janë 4 fadroma dhe matrapikë të INUK po godasin për të shembur 4 katet e sipërme të njërës prej dy godinave 8-katëshe, përbërëse të këtij kompleksi.

Konstruksioni me hekur të dendur, si dhe montimi i dinamitit në një sasi më të pakët në këtë godinë(pasi rrezikoheshin shtëpitë ngjitur) bëri që kjo godinë të mos shembej totalisht nga vendosja e 400 kg eksploziv. Dje nga nga shpërthimi njëra godinë ka rënë pothuajse tërësisht, ndërsa godina tjetër ka rënë pjesërisht.

Por siç raporton nga Vlora, korrespondenti i "A1 Report", Armand Xhelili drejtori i INUK Dajti beson se sot gjatë gjithë ditës godina mund të arrihet të shembet plotësisht. "Nuk do të pushojmë asnjë çast derisa të rrëzohet kjo godinë", u shpreh Dajti jashtë kamerave.

Qytetarët e Vlorës kanë qenë kuriozë, për të parë nga afër atë që po ndodh për rrëzimin e godinës totalisht. Pasi të rrëzohet godina, forcat e INUK do të bëjnë të mundur largimin e inerteve, të cilat në këtë zonë bllokojnë edhe rrugën kryesore. 

Ndërkohë, rruga "Aleksandër Moisiu", ose e njohur ndryshe si rruga e shkollës tregtare edhe sot po mbahet e bllokuar për shkak të punimeve.

Shpërthimi i komanduar shkaktoi dje shembjen nga themelet të kompleksit "Jon" në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, në pronësi të pronësi të Xhuvi Sharxhit dhe Xhafer Isufit, vjehrrit të Lulzim Bashës. 
 
Për shpërthimin u hapën 1500 gropa në kollonat e betonit të pallatit dhe tre brigada të xhenios kanë bërë mbushjen e tyre me kallëpë tritol,(rreth 300 kg) nga ku më pas u krye dhe shpërthimi i komanduar për rrëzimin e objektit 8 katësh.

TV A1 Report me grupin e xhirimit ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po ndjek nga afër zhvillimet dje dhe sot.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)