TIRANE- Rreth 20 persona që nuk lejohen nga policia dhe inspektorët e INUK të hyjnë në kompleksin “Jon”, i janë drejtuar gjykatës së Vlorës ku kërkojnë shfuqizimin e vendimit të bllokimit. Disa nga banorët, tregojnë se kërkojnë dëmshpërblim finaciar sipas aktit noterial që kanë blerë pronën, dhe më pas policia të bëjë çtë dojë me pallatin.  
Vendosja nga INUK e shiritit të bllokimit të kompleksit “Jon” dhe mos lejimi nga ana e Policisë së Shtetit të disa prej banorëve të këtij pallati, ka detyruar këta të fundit ti drejtohen Gjykatës së Vlorës, për të shfuqizuar vendimin e marrë nga inspektorët e INUK.

Nëpërmjet avokatit të tyre Maks Haxhia, mësohet se rreth orës 14:00 të ditës së djeshme është depozituar në sekretarinë e gjykatës së Vlorës, kërkesë padia civile, ku kërkohet shfuqizimi i vendimit të INUK dhe nxjerjen e një urdhëri për lejimin e banorëve të hyjnë në apartamentet e tyre, që kanë blerë në kompleksion “Jon”, i cili është në pronësi të vjehrrit të Lulzim Bashës, shtetasit Xhafer Isufi. Bëhet fjalë për rreth 20 persona që kanë firmosur padinë dhe i janë drejtuar gjykatës, për të kërkuar të drejtën e tyre. Disa nga banorët janë shprehur se INUK dhe policia nëse kërkon shembjen e kompleksit, duhet më parë ti dëmshpërblejë sipas vlerës financiare të blerjes së apartamenteve.  

Duam dëmshpërblim
Shumica e banorëve janë nxjerë jashtë nga policia e Shtteit, duke mos lejuar asnjë për të hyrë në objekt. Policia dhe INUK e konsiderojnë kompleksin si një skemë krimi, dhe për të treguar më së miri këtë, e kanë rrethuar me një shirit të verdhë me mbishkrimin “Mos kalo skenë krimi”. Ndërkohë pavarësisht kësaj, banorët nga ana tjetër pretendojnë se i është cënuar e drejta e pronësisë, pasi nuk lejohen të futen së bashku me anëtarët e tjerë të familjes në pronat e tyre. “Kemi fjetur jashtë, skemi ku të shkojmë. Kemi tentuar disa herë të hyjmë brenda por s’na kanë lejuar pasi e konsiderojnë si skenë krimi. Apartamentet i kemi me hipotekë me të gjitha dokumentat. Nëse duan të prishin, le të na dëmshpërblejnë sipas aktit noterial të shit-blerjes dhe të bëjnë çtë duan me pallatin”-shprehen disa nga banorët e kompleksit “Jon” që momentalisht është marrë në shqyrtim nga specialistët e INUK, për të cilin pritet që në ditët në vijim të meret një vendim për prishjen ose jo të këtij objekti.

Pallati mbi det
Prokuroria dhe inspektorët e INUK, kanë konstatuar se kompleksi “Jon” është ndërtuar mbi det. Thuajse tre çereku I këtij objekti ka hyrë në ujin e detit, ndërkohë që pjesa tjetër e truallit ka qënë lulishte. Sipërfaqja e saj, është marrë në rrethana misterioze nga Xhafer Isufi, vjehrri i Lulzim Bashës, i cili pasi ka marrë lejet ndërtimore nga bashkia Vlorë, ka filluar punimet për ndërtimin e kompleksit “Jon”.
 
Shkrimi u publikua sot (5.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com­)