Kolonat zanore të filmave që kanë lënë gjurmë në kinemanë botërore u dëgjuan këtë herë në zemër të Shkodrës. Sheshi para Bashkisë u shndërrua në një skenë të hapur, ku publiku përjetoi emocionet e muzikës së Hollywood-it përmes koncertit të kompozitorit me famë ndërkombëtare Aldo Shllaku, i cili prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Koncerti “Muzika e Hollywood”-it solli një mbrëmje ku muzika simfonike u ndërthur me emocionet e ekranit të madh.
Në skenë u ngjitën edhe vokalistja Ayana Haviv dhe pianisti Jeff Hoeppner, duke i dhënë koncertit një dimension ndërkombëtar.
“Ishte një rast i veçantë për mua. Jam shumë i lumtur që këtë projekt arrita ta sjell edhe në Shkodër. Edhe pse nuk kam jetuar këtu, e konsideroj qytetin tim dhe ishte e rëndësishme ta prezantoja këtë koncert para publikut shkodran”, tha Shllaku.
Drejtori i Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Aulon Naçi, tha se aktivitete të tilla duhet të organizohen më shpesh në qytete të ndryshme të vendit, për ta afruar artin me publikun.
“Koncerte të këtij niveli duhen zhvilluar sa më shpesh. Është një mundësi që publiku të dëgjojë live muzikë që zakonisht e njeh vetëm nga ekranet, e interpretuar nga një orkestër simfonike dhe artistë të nivelit ndërkombëtar”, u shpreh Naçi.
Edhe muzikanti Zef Çoba e cilësoi koncertin si një ngjarje me vlera të veçanta për jetën kulturore të Shkodrës.
“Kjo mbrëmje solli një muzikë me frymë bashkëkohore dhe një stil interpretimi jo të zakonshëm për skenat tona. Ishte një vlerë e shtuar për jetën kulturore të qytetit dhe publiku e priti me shumë entuziazëm”, u shpreh Çoba.
Mbrëmja u mbyll mes duartrokitjeve të gjata të publikut, duke e kthyer qendrën e Shkodrës në një skenë ku muzika e kinemasë botërore u bashkua me interpretimin simfonik dhe atmosferën festive të qytetit.
Komente







