TIRANE, 12 Shkurt/ATSH/-Komuna Gjepalaj në Qarkun e Durrësit nderoi Ambasadorin e Shtetit të Kuvajtit në Shqipër, Najeeb A. Al-Bader me titullin "Qytetar Nderi" i Komunës Gjepalaj, në shenjë falenderimi për kontributet e tij konstruktive.
Ambasadori Al Bader mori titullin "Qytetar Nderi" gjatë ceremonisë së inaugurimit të shkollës "Kuvajt"  në Hardhishtë, Gjepalaj, në prani të Kryetarit të Parlamentit Ilir Meta, Kryetarit të Këshillit të Qarkut Durrës Alfred Mullaj, Prefektit të Durrësit Roland Xhelilaj, Kryetarit të Komunës Gjepalaj Ardian Kokomani, si dhe zyrtarë të tjerë të qytetit dhe anëtarë të Ambasadës së Kuvajtit në Tiranë.
Gjatë ceremonisë, kryekomunari Kokomani u shpreh se komuniteti i Gjepalaj-it vlerëson rolin e rëndësishëm të Shtetit të Kuvajtit dhe të Ambasadorit të Kuvajtit Najeeb Al-Bader për kontributet e tyre të vlefshme në zhvillimin e infrastrukturës arsimore të komunitetit Hardhishte. Kokomani shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin e suksesshëm mes Ambasadës së Shtetit të Kuvajtit në Tiranë dhe Komunën Gjepalaj.
Nga ana e tij, Ambasadori Najeeb Al-Bader theksoi se titulli 'qytetar nderi' i përket anëtarëve të Ambasadës së Kuvajtit të cilët punojnë mjaftueshëm për të avancuar bashkëpunimin dypalësh ndërmjet ambasadës së Kuvajtit dhe organizmave të ndryshme, si edhe komuniteteve në mbarë Shqipërinë. Al Bader theksoi se ndërtimi i shkollës "Kuvajti" është një pasqyrim i bazave themelore të politikës së jashtme diplomatike të Kuvajtit, e cila ka në fokus të suportoje dhe të kryej veprimtari humanitare për të mbështetur procesin e zhvillimit të vendeve në të gjithë botën. Al-Bader përfundoi duke nënvizuar se ky titull i veçantë është një reflektim i marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe mes shtetit të Kuvajtit dhe Republikës së Shqipërisë në të gjitha fushat, politike, ekonomike dhe social-kulturore.
Gjatë fjalës së tij, Kryetari i Parlamentit Ilir Meta, vlerësoi rolin e veçantë të Ambasadorit të Kuvajtit Najeeb Al-Bader në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit të frytshëm ndërmjet popujve të të dy vendeve./a.g/