Komuniteti ndërkombëtar dënon zgjedhjet separatiste në Donetsk dhe Lugansk

Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në rajonet ukrainase Donetsk dhe Lugansk do të zhvillohen nesër edhe pse Kievi, Bashkimi Evropian dhe OKB-ja nuk i mbështesin ato, ndërkohë që mbështetja vjen vetëm nga Moska zyrtare, njoftuan burime të ndryshme.

Në këto dy rajone, ku popullsia proruse bojkotoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare ukrainase të 26 tetorit, liderët lokalë kanë paralajmëruar se "me këto zgjedhje do të mundësohet krijimi i një qeverie legjitime".

Kievi i ka shpallur zgjedhjet si "false" për shkak të vetë procedurës së votimit që nuk është transparente, vetëm nëpërmjet internetit, sepse nuk ka vëzhgues ndërkombëtarë dhe u lejon votim "ushtarëve nga një shtet tjetër".

Rusia paralajmëroi se do t'i pranojë rezultatet e zgjedhjeve të nesërme, për të cilat beson se do të jenë demokratike dhe të lira, ndërkohë që komuniteti ndërkombëtar, autoritetet ukrainase, BE-ja, OKB-ja, OSBE-ja dhe SHBA-ja, paralajmërojnë se mbajtja e tyre do të jetë shkelje e ashpër e marrëveshjes paqësore të Minskut.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon paralajmëroi se votimi përmes internetit do të prishë procesin paqësor në Ukrainë dhe Memorandumin e Minskut.

Edhe pse BE-ja kërcënoi Rusinë me sanksione të reja në rast të përkrahjes të zgjedhjeve së nesërme, Moska deklaroi nuk do ta ndërrojë mendimin për pranimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov theksoi se zgjedhjet në Donetsk dhe Lugansk janë "njëra nga fushat më të rëndësishme nga marrëveshja e Minskut", ndërkohë që shefja e re e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini përkrah qëndrimin e presidentit amerikan Barak Obama, sipas të cilit "pranim të zgjedhjeve do të ketë vetëm nëse ato zhvillohen sipas ligjeve ukrainase".

Zëdhënësja e Këshillit për Siguri Kombëtare, Bernadette Mihan paralajmëroi se SHBA-të nuk do të pranojnë çfarëdo lloj rezultati të zgjedhjeve dhe u bëri thirrje shteteve të tjera ta bënin të njëjtën gjë.

"SHBA paralajmëron Rusinë të mos i shfrytëzojë rezultatet e votimit si justifikim për veprime luftarake në Ukrainë", shtoi Mihan.

Kryesuesi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) Didier Burkhalter konsideron se mbajtja e këtyre zgjedhjeve është në kundërshtim me "tekstin dhe frymën e protokollit të Minskut".

Favoritët për fitore në zgjedhjet e nesërme janë liderët politikë prorusë të Donjetskut dhe Luganskut, Aleksandar Zaharçenko dhe Igor Plotnicki

ATSH

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?