Kontrolli i Lartë i Shtetit, në ditët e para të muajit maj 2012 ka përfunduar auditimin në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, lidhur me zbatimin e procedurave për dhënien e pronës publike me koncesion në fushën e bakrit, kromit dhe hidroenergjetikës, për periudhën kohore 01.01.2010 deri më 30.09.2011. Bëhet fjalë për kontroll në administrimin nga ana e drejtorive përkatëse në ministri të punës në miniera dhe në hidrocentrale.
Sipas deklaratës zyrtare të shpërndarë nga KLSH, në auditimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Menaxhimit të Kontratave dhe strukturat vartëse që kanë të bëjnë direkt me to, përkatësisht; AKBN (Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore) dhe ATRAKO (Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve), u konstatuan shkelje dhe mungesë e theksuar bashkëpunimi i tyre me METE dhe mosfunksionim i tyre sipas kërkesave të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi që rregullojnë këto marrëdhënie.
Dëmi i shkktuar për shkak të parregullsive ka një efekt negativ financiar në të ardhurat e buxhetit të shtetit në shumën 1,838,534,798 lek. KLSH con për ndjekje penale 5 zyrtarë të METE.
SHKELJET
Aaudituesit e KLSH kanë konstatuar një sërë mangësish proceduriale, duke filluar nga moskryerja e procedurës së negocimit të kontratave sipas ligjit, mosnënshkrimi i dokumenteve nga anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO) dhe deri në veprime fiktive dhe formale nga Njësia e Hartimit të Dokumenteve. Madje, në procedurat e negocimit, nuk është dokumentuar puna e grupit të negocimit me proces verbal apo dokumente të tjera të miratuara, çka ka sjellë si pasojë mospasqyrimin e saktë të punës së KVO dhe të çdo anëtari të tij, por dhe si janë mbrojtur interesat e shtetit dhe respektuar parimet e partneritetit me koncesionarët.
KONTRATAT
Në zbatimin e kontratave koncesionare të nënshkruara dhe hyrë në fuqi, janë konstatuar dhe evidentuar shkelje dhe mangësi në respektimin e kushteve të kontratës dhe në plotësimin e tyre, mungesë dokumentacioni tekniko- ekonomik të hartuar nga koncesionarët për investimet e kryera dhe mosplotësim të dokumentacionit ligjor që kërkon kontrata koncesionare. Gjithashtu, janë konstatuar raste të fillimit të punimeve pa leje ndërtimi, paraqitje dokumentesh të pa nënshkruar nga mbikëqyrësi i punimeve, kërkesë ligjore kjo e detyrueshme për përgjegjësinë e raportimeve që bëhen në OSHA (Organi Shtetëror i Autorizuar, e cili pas vitit 2006 quhet AK qё ёshtё METE).
DËMI PËR SHKAK TË PARREGULLSIVE
Si pasojë e mangësive, parregullsive dhe shkeljeve të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi të sipërcituara, Grupi i Auditimit të KLSH në auditimin e dhënies së pronës publike me koncesion në fushën e bakrit dhe në hidroenergjetikë, ka konstatuar gjithsej një efekt negativ financiar në të ardhurat e buxhetit të shtetit në shumën 1,838,534,798 lekë.
MASAT DISIPLINORE
Pasi ka renditur me detaje shkeljet dhe dëmin për kompanitë koncensiorare KLSH ka propozuar masat për një numër të madh punonjësish, mes të cilëve 5 janë zyrtarë të lartë.
1 “Largim nga shërbimi civil” për 6 punonjës, nga të cilët dy janë punonjës aktualë.
2.“Ulje në detyrë për 1 vit” për 3 punonjës, nga të cilët njëri Drejtor Drejtorie.
3 “Vërejtje me shkrim” për 14 punonjës, nga të cilët 5 me detyrë Drejtor.
Gjithashtu, KLSH ka kërkuar nga METE të njoftojë Departamentin e Administratës Publike që 4 punonjës shkaktarë përgjegjës, të cilët aktualisht rezultojnë të larguar nga puna, nga të cilët 2 ish Drejtorë përkatësisht për Projektet dhe Bashkëpunimin Ekonomik, si dhe për Menaxhimin e Projekteve), meritojnë masë disiplinore “Largim nga shërbimi civil”.
4. Për shkeljet financiare me pasojë dëm ekonomik për buxhetin e shtetit, për personat shkaktarë përgjegjës të niveleve të ndryshme drejtuese, kemi përgatitur dhe dërguar dy kallëzime penale në organet e prokurorisë për 5 punonjës për një vlerë dëmi prej 595,146,011 lekë, respektivisht 1 Drejtor i Përgjithshëm, 1 Drejtor Drejtorie, 2 përgjegjësa sektori dhe 1 specialist.
(aq/shqiptarja.com)