Pas shumë përpjekjesh të përbashkëta, ky kthim u duk më afër se kurrë. Ndonëse, në fazën e Tranzicionit paksa të zgjatur në një vend të tillë si Shqipëria u ndje gjithashtu rreziku i boshllëkut të vlerave, të cilat vazhduan të zëvendësohen për dy dekada rresht me shkatërrimin e etikës në politikë, me praninë e elementëve oligarkikë në drejtimin shtetëror, me modelin partitokratik të këtij autoriteti, me mungesën e një demokracie ekonomike, me dizideologjizimin e partive të përqëndruara gjatë proceseve vendimmarrëse te një rreth i ngushtë personash që prireshin të anashkalonin interesat e qytetarëve, me krizën e ‚lidershipit’ dhe deligjitimin e politikanëve, me administratën e politizuar po aq sa edhe sistemi gjyqësor i këtij vendi, me fragmentimin e sektorit jo qeveritar aspak autentik, me presionin mbi mediat.
Ndoshta ishte e nevojshme të nxirrej në dukje kjo tablo që në fillim të këtyre rradhëve, për të shpjeguar në një farë mënyre zgjatjen në kohë të proceseve integruese të Shqipërisë, kur publiku i gjerë kërkonte luftë kundër klientelizmit, nepotizmit dhe krimit të organizuar, kur dëshironte ndryshime dhe uronte evropiazim të zhvillimeve ekonomike, ku aspironte konsolidim të shtetit të së drejtës dhe orientim të politikave drejt vlerave. Ishte pra, ajo tablo që nxorrëm në dukje që në fillim të këtyre rradhëve shkaku themelor i ndërrimit të qeverisjes me votë popullore, vetëm një vit pas krijimit të së cilës Këshilli i Ministrave të Jashtëm i Bashkimit Evropian vendosi t’i akordonte Shqipërisë statusi i Shtetit Kandidat për të marrë pjesë në këtë Union inspirues të shqiptarëve.
Inspirues që ata në vend të ‚Homos Balkanikus’ të thirren ‚Homo Europicus’. Prandaj përftimi i këtij statusi konsiderohet vërtet si hapi i duhur për kapërcimin e një kthese, pas së cilës shtrihet rruga e drejtë që afron më shpejt vendin drejt objektivit: përfshirjes plotësisht në familjen më të civilizuar të kësaj bote.
Në raste të tilla është e natyrshme që njerëzit e këtij vendi të ndjejnë emocione me të vërtet specifike, që mund t’i shtyjnë ata të kërkojnë organizimin e festimeve të bujshme të shoqëruara me koncerte masive. Por, sidoqoftë, këto ndoshta nuk do të ishin të nevojshme. Nuk do të ishin të nevojshme, se festime të tilla e kanë humbur vlerën reale nga shpeshtësia e zhvillimit të tyre.
Nga shpeshtësia e zhvillimit të tyre edhe atëhere kur organizoheshin vetëm e vetëm për të promovuar fitoret e dyshimta të partive, liderët e të cilave kërkonin të ruanin pozicionet e veta të gjithpushtetshme. Ndërkohë që me dhënien e statusit të shumëpritur, shqiptarët nuk kanë fituar ndonjë trofe të përpjekjeve të përbashkëta për të arritur deri këtu, ata këtej e tutje nuk mund të rrojnë, si deri para një viti, me shpresa më së shumti ireale. Çmuarja e një akordi të tillë bëhet nga vlera stimuluese për të ndërmarrë të gjithë së bashku përpjekje të reja, me ato ritme që të imponon dëshira të arrish sa më shpejt objektiva të caktuar.
Këta objektiva e kanë piketuar që 43 vjet më parë vetë Shtetet Anëtare, nëpërmjet Deklaratës për identitetin evropian, miratuar në Kopenhagen nga Konferenca e Kryetarëve të këtyre Shteteve dhe të Qeverive të tyre „me dëshirën për të siguruar respektimin e vlerave me karakter juridik, politik dhe moral, me të cilat ato janë të lidhura, të shqetësuara për mbrojtjen e shumëllojshmërisë së kulturave të tyre kombëtare, duke patur të njëjtin koncept për jetën, të bazuar në vullnetin për të ndërtuar një shoqëri të konceptuar dhe të realizuar në shërbim të njerëzve“.
Me këtë dëshirë, ata janë shprehur që atëhere „të mbrojnë parimet e demokracisë përfaqësuese, të sundimit të ligjit, të drejtësisë shoqërore – synimi i progresit ekonomik – dhe të respektimit të të drejtave të njeriut, që përbëjnë elementët thelbësorë të identitetit evropian“. Dhe, megjithë dinamizmin e zgjerimit dhe zhvillimit të Komunitetit Evropian, si organizëm supranacional, synimet e mësipësipme u ruajtën edhe shumë vite më vonë, me hyrjen në fuqi të Traktatit të Amsterfdamit për themelimin e BE, në nenin 6/1 të të cilit theksohet, se: „Bashkimi bazohet në parimet e lirisë, demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore, si edhe të shtetit të së drejës, parime që janë të përbashkëta për të gjitha Shtetet Anëtare“. Si të tilla, ato nuk u ndryshuan, nuk u shtuan, nuk u selektuan dhe as nuk u retushuan edhe me aktet të tjera të mëvonshme, siç është Traktati i Lisbonës.
Pra, në këtë kuadër janë vlerësuar dhe do të vlerësohen nga Brukseli edhe hapat e hedhura nga Shqipëria, për të t’iu bashkuar familjes evropiane. Prandaj, nëse u hodh një hap, kjo nuk do të thotë që rrugëtimi të ndërpritet. Këtë e kuptojnë të gjithë shqiptarët, këtë e kupton më së miri edhe qeverisja e re, e cila ka rënë plotësisht dakord për të shfrytëzuar me efektivitet të gjitha kapacitetet institucionale, administrative dhe njerëzore për të arritur të hidhet shumë shpejt hapi i dytë në rrugën e integrimit, ai të çeljes së bisedimeve për anëtarësim, pas të cilave do të vazhdojë në rrethana të reja, më specifike, rrugëtimi i gjatë dhe i pakthyeshëm.
Por, në çfarë përmasash vlerësohet të ketë hedhja pa ngurim e këtij hapi të dytë? E rëndësishme është fillimisht të kuptohet përmbajtja e pesë pririteteve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian, dhe më pas të kalohet në arritjen e tyre me ritme të shpejta. Është fjala për reformën administrative – territoriale, atë të drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar etj. Ndonëse nën një trysni politike të partive opozitare, në fakt puna për këto reforma tashmë ka filluar dhe, pavarësisht divergjencave të vërejtura deri tani, tek e fundit është përgjegjësi e të gjithë udhëheqësve politikë shqiptarë që të fokusohen në axhendën e përcaktuar nga Brukseli, për të punuar në mënyrë konstruktive, duke dhënë rezultate konkrete të mëtejshme për realizimin e këtyre prioriteteve.
Konkretisht, në rastin e reformës administrative – territoriale, megjithëse puna e një komisioni parlamentar ad hoc me këtë objekt e filloi punën me vonesë, në pritje të anëtarëve opozitarë të këtij komisioni, tashmë pothuajse ka përfunduar gjithçka. Prandaj, nuk mund të justifikohen sot thirrjet e kryetarit të Partisë Demokratike, për ta filluar nga e para veprimtarinë në këtë fushë. Ashtu sikurse janë të paarsyetuara kritikat apo heshtja e liderdshipit politik të opozitës për rezultatet e aksionit spektakolar të Policisë së Shtetit dhe të organizmave të tjerë të Ministrisë së Brendshme në Lazarat, për ç’rrënjosjen e dorgave nga territori shqiptar, si edhe për zbulimin, kapjen dhe ekstradimin e personave të kërkuar ndërkombëtarisht apo edhe të dënuar nga drejtësia vendase dhe ajo e shteteve të tjera.
Vullneti politik i treguar nga Qeveria dhe në përgjithësi nga mazhoranca parlamentare në këto drejtime gjatë muajve të fundit është i domosdoshëm që të përbëjë bazat e një programi të përbashkët të të gjithë spektrit politik të vendit për reformën kyçe në drejtësi, mbi të cilën Bashkimi Evropian ka theksuar nevojën e saj për pavarësi, paanshmëri, transparencë, efiçencë dhe përgjegjësi, si elementë qendrorë këta për vlerësimin e kriterit politik drejt anëtarësimit në Union.
Mund të vazhdonim që të kujtonim në këto rradhë plot çështje serioze, mbi të cilat duhet të vihen një herë e mirë pikat mbi ‚i’. Por, ditët në vijim do të japin mundësinë për të shtruar problemet e lindura në raport me masat e ndërmarra për zgjidhjen e tyre. Për zgjidhjen e tyre, disa në nënyrë urgjente dhe disa në mënyrë të qendrueshme, duke mos nënkuptuar me këto të fundit zvarritje të pajustifikuara. E pra, në situata të tilla, koncertet festive për përftimin nga Shqipëria të statusit zyrtar të Shtetit Kandidat për në Bashkimin Evropian do të ishin të panevojshme, të pakuptimta. Të panevojshme dhe të pakuptimta, sepse duartrokitjet dhe fanfarat kanë vlerë të mbushin atmosferën atëherë kur marrin dhenë lajmet për arritjet me të vërtet të mëdha në jetën e një populli të tërë dhe pë dhe p brezat e ardhshëm të tij.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 25 qershor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)