Dhënia e lejeve të qarkullimit për makinat mund të jepet me koncesion. Burime zyrtare pranë Ministrisë së Transporteve thanë për Report TV se kjo ministri po shqyrton një ofertë të ardhur nga një kompani gjermane, e cila kërkon që të administrojë këtë shërbim që deri tani jepet nga Drejtoria e Transportit Rrugor.

Në mungesë të plotë të transparencës së kësaj procedure, Ministria e Transporteve nuk pranon të jap as emrin e kompanisë gjermane që është ofruar për të marrë me koncension shërbimin e Lejeve të Qarkullimit.

Mbajtja në fshetësi e kësaj procedure, e cila mësohet se ka marrë edhe konfirmimin e kryeministrit, mbulohet me mister për faktin se cila është kompania gjermane dhe cila është kompania shqiptare apo biznesmeni shqiptar që qëndron pas saj.

Burime zyrtare nga Ministria e Transporteve bëjnë me dije se ajo është vetëofruar dhe shpreh interesin për të administruar procesin e dhënies së lejeve të qarkullimit.
Kjo do të thotë se, një person kur blen një makinë dhe kërkon nxjerrjen e lejes së qarkullimit, nuk do të shkojë më Pranë Drejtorisë së Transporteve, por tek zyra rajonale e kësaj kompanie koncesionare.

Kjo kompani, kundrejt pagesës do të ofrojë këtë shërbim që deri më tani qytetarët e merrnin në sportelet shtetërore.

Ministria e Transporteve: Po e shqyrtojmë, s'ka kosto shtesë
Zyrtarisht, Ministria e Transporteve thotë se në zbatim të ligjit, është e detyruar të shqyrtojë kërkesën. Ky shqyrtim ka nisur së bashku me Agjencinë Kombëtare të Trajtimit të Koncesioneve dhe ende nuk është marrë një vendim nëse do të pranohet ose jo oferta e kompanisë gjermane.

Puna e shqyrtimit të ofertës po shkon drejt fundit, teksa kompania mësohet se ka ofruar cmim shërbimi të njëjtë me atë që qytetarët paguajnë sot pranë sporteleve shtetërore. 

Kjo procedurë bazohet në një vendim të Këshillit të Ministrave të tetorit të vitit 2015, ku autorizohej Ministria e Transportit që të përzgjedhë një firmë private për të dhënë lejet e qarkullimit.

Por edhe pse kanë kaluar dy vite nga ky vendim, Ministria e transporteve vetëm në ditët e tranzicionit të pushtetit nga një ministër i LSI-së tek ministri i ardhshëm i PS-së vendos që të hapë procedurën e vlerësimit të ofertës.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com