EGJIPT - Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry dhe homologët e tij nga dhjetëra vende mbërritën sot në Kajro, në një konferencë për rindërtimin e Gazas.
 
Palestinezët shpresojnë të sigurojnë 4 miliardë dollarë për rindërtimin e rreth 18 mijë shtëpive dhe infrastrukturës së goditur rëndë nga konflikti i fundit izraelito-palestinez në Rripin e Gazës.

Rindërtimi i saj do të jetë edhe fokusi i konferencës së Kajro, e mbledhur nga Egjipti, Norvegjia, Kombet e Bashkuara Bashkimi Europian dhe Lidhja Arabe. Ndërkaq, mësohet se Izraeli nuk do të marrë pjesë në këto bisedime. Sekretari amerikan Kerry u takua me ministrin e jashtëm egjiptian, Sameh Shoukry përpara se të fillonte konferenca.
 
Kjo konferencë pason marrëveshjen e armëpushimit të nënshkruar në Kajro më 26 gusht nga negociatorët palestinezë dhe izraelitë, e cila i dha fund sulmeve shkatërruese 51 ditore të Izraelit në Rripin e Gazës.
 
Ofensiva izraelite në Rripin e Gazës shkaktoi rreth 2.160 palestinezë të vdekur dhe 11.000 të plagosur, shumica e tyre civilë. Sipas të dhënave izraelite, gjatë luftimeve humbën jetën 68 ushtarë izraelitë dhe pesë civilë.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)