Konferenca e Bujanit sapo mbushi 70 vjet e megjithatë diskutimet rreth saj nuk kanë sosur. Studiues dhe pjesëmarrës të asaj konference, publicistë, amatorë etj., me prirje politike dhe me përkatësi etnike të ndryshme, sipas rastit, pohojnë, mohojnë, sulmojnë apo mbrojnë vlerat e Bujanit[i]. Për fat të mirë, prurjet e tyre përmbajnë kujtime, dokumente të papublikuara që na mundësojnë komentet dhe interpretimet. Si një rivlerësim për Konferencën e Bujani në bazë të dokumenteve të panjohura më parë nga arkivat shqiptare dhe jugosllave vjen për lexuesit tanë kjo intervistë me prof.Dr. Ana Lalaj.
Prof. Dr. LALAJ, a mund të na thoni dy fjalë se çfarë përfaqësonte Konferenca e Bujanit?
Konferenca e Bujanit, e quajtur ndryshe dhe Konferenca e Parë e Këshillit Nacional Çlirimtar të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit, u mblodh në fshatin Bujan (Bunjaj) të Malësisë së Gjakovës (territor i Shqipërisë së 1913-ës, pothuajse 10 km larg nga kufiri i vjetër me Jugosllavinë), në kullën e bajraktarit patrioti Sali Mani, më 31 dhjetor 1943 deri më 2 janar 1944. Në Konferencë ishin të pranishëm 49 pjesëmarrës, prej të cilëve 43 shqiptarë, 3 serbë dhe 3 malazezë. Ndërkohë, 12 të ftuar të tjerë nuk erdhën për arsye të ndryshme. Një Kryesi, me kryetar prof. Zekeria Rexha, drejtonte punimet e Konferencës.
Në natën e parë, pas fjalimeve përshëndetëse, iu dërguan telegrame forumeve më të larta të Lëvizjeve Nacional Çlirimtare në Jugosllavi, në Shqipëri dhe në Kosovë.
Ditën e dytë, u mbajtën dy referate, diskutimet dhe u miratua dokumenti kryesor, Rezolucioni, i cili u lexua në gjuhën shqipe dhe serbishte, dhe u firmos nga të gjithë të pranishmit.
Konferenca zgjodhi Këshillin Nacional Çlirimtar të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit, të përbërë nga 42 anëtarë, dhe Kryesinë e Këshillit Krahinor të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit, të përbërë nga Kryetari-Mehmet Hoxha, ish 2 nënkryetarë – Rifat Berisha, ish oficer i ushtrisë shqiptare, Pavle Joviçeviç, punëtor nga Peja, si dhe 6 anëtarë - Zekeria Rexha, ish shef në Ministrinë e Arsimit, nga Gjakova, Xhevdet Doda, drejtor shkolle, nga Prizreni, Fadil Hoxha, mësues, nga Gjakova, Hajdar Dushi, nëpunës banke, nga Prishtina, Në mungesë u zgjodhën edhe 2 anëtarë të tjerë, Milan Zeçar, bujk nga Rotkoceri (Ferizaj) e Ali Shukria, student mjekësie nga Mitrovica.
Këshilli Krahinor miratoi Thirrjen, një dokument i rëndësishëm, që u drejtohej popujve të Kosovës-shqiptarëve, serbëve dhe malazezëve, për t’u mobilizuar në luftë kundër okupatorëve gjermano-bullgarë dhe gjithë atyre që u shërbejnë.
Konferenca miratoi dhe një Rezolucion, sipas të cilit, Këshilli Nacional Çlirimtar i Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit do të ishte “organ i përbashkët ku marrin pjesë të gjitha rrymat politike… pa dallim kombësije, feje, tendence politike e pozite shoqërore”. Gjithashtu, Rezolucioni shprehej dhe për zgjidhjen e çështjes kombëtare të Kosovës në bazë të parimit të vetëvendosjes dhe përcaktonte rrugën që duhej ndjekur: “Kosova e Rrafshi i Dukagjinit, asht një krahinë e banueme me shumicë nga populli shqiptar, i cili si gjithmon, ashtu edhe sot dëshiron me u bashkue me Shqipnin.
Prandaj e ndjejmë për detyrë me i tregue rrugën e drejtë që duhet të ndjekë populli shqiptar për me realizue aspiratat e veta. Rruga e vetme pra që populli shqiptar i Kosovës dhe i Rrafshit të Dukagjinit të bashkohet me Shqipnin ashtë lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë kundër okupatorit nazist gjaksor e rrogtarëve të tij, sepse kjo ashtë e vetmja rrugë për me fitue lirinë në të cilën të gjithë popujt, pra edhe populli shqiptar do të kenë mundësi me vetvendosë mbi fatin e tij me të drejtën e vetvendosjes deri në shkëputje. Garancija për këtë ashtë Ushtrija Nacional Çlirimtare e Jugosllavisë dhe Ushtrija Nacional Çlirimtare e Shqipnisë, me të cilën ngushtësisht asht e lidhun. Përveç këtyne për këtë garantojnë Aleatët tanë të Mëdhenj Bashkimi Sovjetik, Anglija, Amerika (Karta e Atlantikut, Konferenca e Moskës dhe e Teheranit) ”.
A ishin vendimet e Konferencës së Bujanit në përputhje me vendimet e mëparshme të Partisë Komuniste Jugosllave?
Konferenca e Bujanit me vendimet e saj dëshmoi se megjithëse komunistët shqiptarë të Kosovës kishin pranuar udhëheqjen e PKJ, ata nuk ishin bashkudhëtarë të harmonizuar. Në luftën kundër pushtuesve nazifashistë rruga e tyre ishte e përbashkët, ndërsa për çështjen nacionale rrugët e tyre ndaheshin. Udhëheqja e PKJ synonte ruajtjen e Jugosllavisë kurse komunistët shqiptarë të Kosovës, synonin shkëputjen e Kosovës nga Jugosllavia.
Në Konferencën e Bujanit, delegatët shqiptarë e shfrytëzuan momentin. Për herë të parë ata u ndodhën shumicë në një forum drejtues krahinor dhe morën vendime në pajtim me aspiratat e tyre dhe të popullsisë shqiptare të Kosovës. Kësisoj, Konferenca e Bujanit me vendimet e saj i shkau nga duart udhëheqjes së PKJ duke u kthyer në një aksident për të. Po përdor termin aksident, sepse vendimet e Bujanit nuk ishin në përputhje me vendimet e marra në Konferencën e Dytë të AVNOJ-t (Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar i Jugosllavisë), mbajtur një muaj më parë, më 29 nëntor 1943, në Jajcë të Bosnjës.
Siç dihet, në Konferencën e Dytë të AVNOJ-t ishin marrë vendime për ruajtjen e kufijve të Jugosllavisë së para Luftës, madje zmadhimin e hapësirave të saj territoriale dhe krijimin e një bashkimi federativ të kombeve jugosllavë. Në këto vendime Kosova nuk përmendej, gjë që do të thoshte se ajo mbetej brenda Jugosllavisë federative, ashtu si para Luftës. Për më tepër këto vendime hynin menjëherë në fuqi. Gjithashtu fakti që, vendimet e Konferencës së Bujanit nuk u morën as nga nacionalistët shqiptarë siç mund të pritej dhe as nga Komanda gjermane e Luftës për demagogji, por nga komunistët shqiptarë, e bënte ngjarjen edhe më të papëlqyer për PKJ.
Pra, mënjanë kemi AVNOJ-in e fundit të nëntorit 1943 dhe në anën tjetër Konferencën e Bujanit të pas një muaji. Por a ishin në dijeni organizatorët komunistë të Konferencës së Bujanit për vendimet e Konferencës së Dytë të AVNOJ-t?
Në literaturën historike shqiptare ekziston mendimi se pjesëmarrësit e Konferencës së Bujanit ishin plotësisht të informuar për vendimet e Mbledhjes së Dytë të AVNOJ-t. Personalisht e kam të vështirë ta pranoj këtë tezë, dhe po aq të vlerësoj me saktësi se në ç’shkallë ishin të informuar për vendimet e AVNOJ-t drejtuesit krahinorë të Kosovës dhe vetë pjesëmarrësit e Konferencës. Megjithatë do përpiqem të ndjek zhvillimin e ngjarjeve nëpërmjet disa dokumenteve të kohës:
Së pari, në Konferencën e Dytë të AVNOJ-t nuk morën pjesë përfaqësues nga Kosova. Në raportin e Todor Vujasinoviçit, i paraqitur në emër të Këshillit verifikues, flitet për praninë në mbledhje të delegatëve nga Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Vojvodina, Serbia, Mali i Zi e Boka, si dhe nga Sllovenia. Sqarohet po ashtu se nuk kishin mundur të mbërrinin delegacioni nga Maqedonia dhe Sanxhaku, ndërsa për përfaqësuesit e Kosovës nuk u tha asnjë fjalë. Ekziston edhe një variant tjetër se “përfaqësuesit nga Kosova nuk e ndoqën Konferencën e Dytë të AVNOJ, për shkak se nuk kishin komunikim të rregullt me Komitetin Qendror dhe Komandën e Shtabit NÇ të Jugosllavisë. Sipas një interviste të Mita Milkovic, atëherë Komisar politik i Brigadës shqiptare-maqedonase, emrat e delegatëve nga Maqedonia dhe Kosovë Metohija do të duhej të jepeshin me anën e radios së Shtabit të Përgjithshëm për Maqedoninë.
Por radio u prish gjatë transmetimit dhe vetëm 3 emra u transmetuan (Dimitar Vlahov, Vlado Poptomov, Mihajlo Apostolski)”. Lidhur me praninë e delegatëve nga Kosova në AVNOJ, nga hulumtimet në Arkivin Nacional të Beogradit më rezulton se Tempo i ka propozuar Titos që përfaqësues nga Kosova të vendosen si anëtarë të Presidiumit të AVNOJ-t, por edhe si anëtarë të Većes (Këshillit) së AVNOJ. Në listë ishin vënë emrat e Fadil Hoxhës, Qamil Brovinës, Milan Zeçarit, Predrag Ajticit, Milutin Miljkovicit etj. Përgjigja pëlqyese e Titos ka ardhur më 17 dhjetor 1943, nëpërmjet një telegrami dërguar Shtabit të Korpusit II të UNÇJ, gjë që do të thotë se procedura e përzgjedhjes së forumeve drejtuese ka vazhduar edhe pas mbledhjes së AVNOJ-t.
Së dyti, radiostacioni “Jugosllavia e Lirë”, me qendër në Moskë, në dhjetor 1943 e kishte dhënë lajmin për Konferencën e Dytë të AVNOJ-t, por vendimet për krijimin e Federatës Jugosllave dhe të Qeverisë jugosllave të Frontit Nacionalçlirimtar u censuruan me porosi të Stalinit. Në zemërim e sipër, Stalini i kishte konsideruar ato vendime “një thikë në shpinë të BS dhe vendimeve të Teheranit”, ku tre të Mëdhenjtë ishin shprehur në një zë kundër bashkimeve federative gjatë viteve të LIIB. Ndërsa vetë Tito, vendimet për përfshirjen brenda Jugosllavisë federative të bregdetit slloven, të Sllovenisë beneshke, të Istries dhe të ishujve kroatë të Adriatikut, nuk ia bëri të njohur Stalinit, pasi ato vendime mbaheshin sekret si ndaj tij ashtu dhe ndaj Aleatëve të tjerë të Mëdhenj.
“Vendimet e sakta që duhej të merrte AVNOJ, i fshihnim nga rusët, i fshihnim nga Bota”, është shprehur vite më vonë Vladimir Bakariç, një nga drejtuesit kryesorë të Luftës në Kroaci. Për përmbajtjen e plotë të vendimeve të mbledhjes Dytë të AVNOJ-t u mësua vetëm nga mesi i pranverës të vitit 1944. Edhe referati i plotë i J.B.Titos i mbajtur në këtë mbledhje u bë publik vetëm në vitin 1953.
Po kështu, në prag të Konferencës së Bujanit, vendimet e Konferencës së Dytë të AVNOJ-t nuk u ishin dërguar as Komitetit Krahinor dhe as Shtabit Ushtarak të Kosovës. Nga dokumentet del se, asnjë nga drejtuesit krahinorë nuk ishte informuar plotësisht mbi Konferencën e Dytë të AVNOJ-t, madje as Pavle Joviçeviçi, i cili ishte i vetmi që mbante lidhjet e Komitetit Krahinor me KQ të PKJ. Kështu, në një letër drejtuar KQ të PKJ në fund të janarit 1944, Pavle Joviçeviçi shkruan: “Nuk i kishim materialet dhe nuk dinim për konferencat në Sanxhak, Bosnje Hercegovinë dhe Mal të Zi.
Po ashtu nuk kishim as materialet ndihmëse ose materiale të tjera të ngjashme. Morëm parasysh marrëveshjen -kuadër të Këshillit Nacional Çlirimtar të Jugosllavisë, sepse çështjen e Këshillit, ku e si u formua nuk e dinim”. Është kjo arsyeja që në diskutimet e delegatëve të Konferencës së Bujanit, në Rezolutën e miratuar prej saj dhe në Thirrjen drejtuar popullit të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, kur përmendet Konferenca e Dytë e AVNOJ-t nuk jepen detaje për vendimet e saj.
Dihet se Rezolutën e Konferencës Themeluese të Këshillit Nacional Çlirimtar të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit e firmosën të gjithë pjesëmarrësit, që në mbledhje ishin kthyer në anëtarë të Këshillit të ri. Pra, me vullnet të lirë, të gjithë i pranuan të gjitha vendimet. Në një letër që Pavle Joviçeviç ia dërgon Tempos më 12 janar 1944, shkruan: “Pas përgatitjeve dhe një pune të gjatë arritëm të organizojmë dhe të mbajmë me sukses Konferencën [e Bujanit]. Punimet e Konferencës, vendimet dhe diskutimet ishin të mira, madje më të mira se ne i prisnim. Në Konferencë është marrë vendim që të dërgojmë dy delegatë në Komitetin Nacional të Këshillit Antifashist [të Jugosllavisë], si dhe një delegat në Këshillin Nacional-çlirimtar të Shqipërisë. Këto vendime i morëm për efekt politik. Duhet përpjekur që në Shqipëri të shkruhet sa më shumë për konferencën tonë”.
Por, pikërisht në janar diçka ndryshoi te Pavle Joviçeviçi. Ai sapo ka marrë dy letra të Tempos, të shkruara më herët, njëra më 2 tetor dhe tjetra më 25 nëntor 1943. Nuk duhet të harrojmë se në vitet e Luftës, komunikimi ishte shumë i vështirë dhe merrte shumë kohë. Në to, Tempo kritikon drejtuesit e Komitetit Krahinor të Kosovës se ata “kanë rënë nën ndikimin e klikës shqiptaromadhe lidhur me kufijtë e ardhshëm ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë” dhe se “duket qartë se ju në Kosmet i trajtoni gjërat në linjën shqiptaromadhe”. Nisur nga fakti se në hierarkinë komuniste disiplina në zbatimin e urdhrave është shumë e rreptë dhe qëndrimi ndryshe penalizohet rëndë, madje në kohën e luftës edhe më shumë, ka arsye të mendojmë se këto kritika të Tempos kanë ndikuar te Pavle Joviçeviç për të rivlerësuar vendimet e Bujanit.
Më 31 janar 1944, ai i shkruan një letër KQ PKJ, ku pasi informon për situatën politike, ushtarake dhe organizative në Kosovë, lajmëron për krijimin e Këshillit Nacional çlirimtar të Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit, organizimin dhe vendimet e tij. Pavle Joviçeviç pohon se “morëm kornizën e Këshillit Nacionalçlirimtar të Jugosllavisë, sepse për çështjen e Komitetit (qeverisë që doli nga Konferenca e Dytë e Jajcës), si dhe ku u formua nuk e dinim… Na kanë kaluar disa lëshime dhe të meta, por në situatën në të cilën ishim nuk mund të bëhej ndryshe”. Prandaj P. Joviçeviç e quan të nevojshme që “Këshilli Antifashist NÇ i Jugosllavisë ose Komiteti Kombëtar i Jugosllavisë t’i shkruajë Këshillit tonë e t’i tregojë të gjitha gabimet, mungesat dhe dobësitë”. Pra kthesa kundër Bujanit filloi pa u tharë ende boja mbi letrën ku kishin nënshkruar me plot vullnet edhe ata që iu kundërvunë vendimeve të tij.
Anëtarët e Këshillit Nacional Çlirimtar për Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit:
Ismail Gjinali dv. Mehmet Dermani dv.
Tefik Çanga dv. Qamil Brovina dv.
Qamil Luzha dv. Gani S. Çavdarbasha dv.
Xheladin Hana dv. Sul B. Aliaj dv.
Halil Haxhija dv. Shaban Kajtazi dv.
Ismet Shaqiri dv. Ferid Perolli dv.
Adem Miftari dv. Haxhi Morin adv.
Ismail Isufi dv. Xhavid Sh. Nimani dv.
Sabrije Vokshi dv. Reshat Is adv.
Velisha Miçkovic dv. M. Bajraktari dv.
Lubomir Caniq dv. Veli Niman Doçi dv.
A. Kerim Ibrahimi dv. Rasim Cokli dv.
Spira Velkovic dv. Sadik Bekteshi dv.
Xhevat Tahiri dv. Jaho Bajraktari dv.
Ymer Pula dv. Alush Gashi dv.
Et’hem Zurnaxhiu dv. Alush Gashi dv.
Ingj. N. Basha dv. Beqir Ndou dv.
Ajdin Bajraktari dv. Xhafer Vokshi dv.
Bejto Shahmanovic dv. Sima H. Vasilevic dv.
Milan A. Miçkovic dv. Enver Dajçi dv.
Zymer Halili dv. Maxhun Nimani dv.
Shkrimi u publikua sot (16.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com