Bashkëpunimi për energjinë elektrike ka qenë në fokus të takimit të ministrit Enea Karakaçi me homologun grek.
Ai e ka ftuar ministrin për vijimësinë e bashkëpunimit për bursat e energjisë elektrike. Karakaçi thotë se bursa shqiptare ka shtuar volumet vitet e fundit dhe i ka dhënë siguri palës greke.
“Ftova ministrin grek që të vazhdojë bashkëpunimi për sa i përket dy bursave të energjisë elektrike, ndërmjet bursës shqiptare të energjisë dhe bursës greke të energjisë, që gjatë gjithë këtyre viteve kanë patur një bashkëpunim shumë të mirë për sa i përket operimit të tyre. Këtë e dëshmon edhe fakti që bursa shqiptare e energjisë ka marrë një zhvillim shumë të madh, ku volumet janë shtuar në vitet e fundit, dhe pikërisht ka qenë një nga elementët kryesorë bashkëpunimi edhe me palën greke për t'i dhënë siguri në operim, por edhe në eficencën e plotë të transaksioneve”, thotë Karakaçi.
Gjatë pjesëmarrjes së tij në Konferencën e Energjisë në Athinë të organizuar nga Financial Times, Karakaçi ka biseduar me ministrin për linjën e dytë të interkonjeksionit mes Shqipërisë e Greqisë.
“Ndava me të rëndësinë e interkonjektorit të ri që të dy shtetet planifikojnë të bëjnë, për lidhjen midis Shqipërisë dhe Greqisë me një linjë të dytë interkonjeksioni. Në kushtet e zhvillimeve të energjisë së rinovueshme në Shqipëri, kjo linjë e dytë transmetimi merr një rëndësi mjaft të veçantë”, shprehet Karakaçi.
Komente










