/ATSH-Harilla Koçi/.-Në datën 8 tetor, në qytetin e Vlorës do të zhvillohet Konferenca Politike e Iniciativës së Ngushticave Detare Evropiane (ESI), ku do të trajtohen çështje konkrete me të cilat përballen qeverisjet vendore në territoret që përbëjnë ngushticat dhe ku do të merren vendime, që do t'i përcillen Komisionit Evropian.
Në të, do t'i kushtohet një hapësirë e veçantë edhe çështjes së emigracionit, me të cilin përballen sot vendet e BE-së. Konferenca e Iniciativës së Ngushticave Detare Evropiane, që zhvendoset për herë të parë jashtë Brukselit, me praninë e partnerëve të saj, të gjitha vende anëtare të BE-së (me përjashtim të Vlorës, Shqipërisë), do të përfshihet në kalendarin e eventeve lokale të Ditëve të Hapura Evropiane 2015.
Ajo është njëkohësisht e vetmja ngjarje me këto dimensione, që zhvillohet në Shqipëri në kuadrin e "Ditëve Evropiane".
Iniciativa e Ngushticave Europiane, e lançuar në vitin 2009 nga Rajoni i Pas de Calais (Francë) dhe rajoni i Kentit (Angli), si partnerë lider të cilët ndajnë ngushticën e Doverit, u konkretizua në vitin 2010 me krijimin e një rrjeti bashkëpunimi të 8 ngushticave, të prezantuara nga 19 vende mes të cilave, Shqipëria, Belgjika, Danimarka, Anglia, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Italia dhe Suedia. Ndërkohë, në tetor 2014, partnerët konfirmuan vullnetin e tyre në Bruksel, duke rinovuar Memorandumin e Mirëkuptimit me përfshirjen në këtë rrjet të 4 partnerëve të rinj.
Meqë Qarku i Vlorës shtrihet në territorin që ndan ngushticën e Otrantos me provincën e Leçes, është autoriteti lokal që u kontaktua qysh në fillim prej partnerit lider, Rajonit të Pas de Calais në Francë, për t'u përfshirë dhe për të qenë pjesë e kësaj nisme. Qarku i Vlorës është përgjigjur pozitivisht dhe ka qenë qysh prej fillimit në vitin 2010, si anëtar i rrjetit, ndërkohë që u përfshi edhe në Projektin NOSTRA 2012-2014 së bashku me partnerët e tjerë, duke qenë mjaft aktiv.
Kjo nismë synon njohjen e karakteristikave të veçanta të Ngushticave Evropiane në kuadër të Politikave Evropiane dhe integrimin e tyre në kuadër të Programeve Evropiane dhe Fondeve Strukturore Evropiane.
Krahas kësaj, përmes kësaj nisme synohen të realizohen projekte të përbashkëta të bashkëpunimit, qoftë përmes programeve INTERREG, ashtu edhe programeve të tjera evropiane, të cilat janë të domosdoshme për të promovuar zhvillimin ekonomik, mbrojtjen bregdetare, transportin dhe logjistikën, aktivitetet turistike dhe ndërkulturore.
"Nisur nga dimensionet e këtij rrjeti të konsoliduar partnerësh që ndajnë të njëjtin qëllim, atë të njohjes dhe zhvillimit të territoreve përreth ngushticave, por duke e vlerësuar këtë edhe si një mundësi shumë të mirë për të njohur respektivisht potencialet dhe burimet e zhvillimit të Vlorës si rajon, vitin e kaluar në muajin tetor, propozova që konferenca e rradhës të zhvillohej në Vlorë", thotë për ATSH-në, kryetari i Këshillit të Qarkut të Vlorës, Sadrit Danaj. Sipas tij, Kjo ftesë u mirëprit nga të gjithë partnerët, çka u konkretizua me zhvillimin e kësaj konference në Vlorë.
Zoti Danaj sqaron se, kjo ftesë bazohet në vizionin e ri të qarkut për t'u organizuar si njësi bazë për zhvillimin e rajonit përmes projekteve, kryesisht të programeve europiane, po ashtu edhe të rolit të tij si koordinator i njësive vendore me synimin primar zhvillimin e territorit.
Nga ana tjetër, Konferenca politike e ESI-t do të shërbejë jo vetëm si një mundësi për të diskutuar çështjet madhore me të cilat përballen autoritetet vendore në ngushticat (mjedisi, transporti, turizmi, zhvillimi ekonomik, migracionin), por edhe si një mënyrë për të tërhequr vëmendjen e politikëbërësve evropianë për karakteristikat që gjeografia e ngushticave detare siguron dhe për të nxitur shkëmbimet dhe projektet midis rajoneve që ndajnë territoret e këtyre ngushticave.
Në këtë konferencë kanë konfirmuar për t'iu bashkuar kësaj iniciative edhe dy partnerë të tjerë nga Greqia dhe Tunizia.
Në konferencë do të marrin pjesë, presidentë të rajoneve dhe stafi i tyre teknik nga Anglia, Franca, Estonia, Finlanda, Italia, Suedia, Greqia, Tunizia