Në ekranin e madh në Pallatin e Kongreseve ku sot vijoi dita e dytë e Forumit të investimeve BE- Ballkani perëndimor, togfjalëshi Horizont i ri, përmbledh moton me të cilën vetë Brukseli, po transformon marrëdhëniet me vendet e rajonit.

“Europa do të bëjë zgjedhje themelore për të ardhmen ekonomike. Kjo lidhet edhe me Ballkanin Perëndimor. Ju nuk jeni periferia e Europës, por e ardhmja e Europës”, tha ambasadorja e BE-së në Tiranë Sofia Moreira de Sousa.

Investimet dhe mbështetja financiare për të përshpejtuar, dhe përafrimin e  ekonomik, krahas strukturës legjislative, ishin pjesë qendrore e diskutimeve. Ambasadorja De Sousa, përmendi disa nga ndërhyrjet e BE-së, veçanërisht në Shqipëri

“Pas miratimit nga qeveria, po përparojnë përgatitjet teknike për parkun eolike në Tropojë, me kapacitet 600 megavat. Gjithashtu, po bashkëpunojmë me aktorët kryesorë për të shqyrtuar një qasje të integruar për menaxhimin e mbetjeve dhe dekarbonizimin e industrisë së çimentos. Në sektorin digjital, po shqyrtojmë së bashku me institucionet financiare ndërkombëtare modele inovative investimi për të forcuar ndërlidhjen digjitale në të gjithë rajonin”, shtoi ajo.

Vitin e kaluar shkëmbimet tregtare, mes vendeve të Ballkanit dhe BE-së arritën në 8.4 miliard euro. Për ministrin e Jashtëm shqiptar Ferit Hoxha, zgjerimi dhe integrimi ekonomik duhet të shkojnë paralelisht

"Për Shqipërinë, anëtarësimi në BE nuk është një ceremoni në fund të rrugëtimit. Është një transformim ekonomik që po ndodh çdo ditë. Prandaj, zgjerimi dhe integrimi ekonomik nuk mund të jenë dy biseda të ndara”, tha ministri i Jashtëm Ferit Hoxha.

Nga ana tjetër, për Hoxhën, më rëndësi është dhe integrimi i tregjeve të Ballkanit, për rritjen e konkurrueshmërisë dhe tërheqjen e financimeve, sepse vetëm si një treg unik, Ballkani, theksoi ai, mund të jetë një mundësi serioze për investimet.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 08:16
Konferenca e Investimeve BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, Rama ndan pamjet! Sot deklaratë e përbashkët për shtyp me komisioneren Marta Kos (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në rrjetet sociale disa momente nga dita e parë e Konferencës së Dytë të Investimeve BE- Ballkani Perëndimor, e cila po zhvillohet në Tiranë. Përmes një postimi në Facebook, kreu i qeverisë ka publikuar pamje nga punimet e këtij forumi të rëndësishëm ekonomik.

Rama shprehet se Tirana po mirëpret mbi 600 investitorë nga Europa dhe rajoni, si edhe figura të shquara të politikës europiane e ekonomistë të mirënjohur.

Kryeministri shton se punimet e konferencës vijojnë edhe ditën e sotme, me pjesëmarrjen e të ftuarve të tjerë, panele diskutimi dhe takime pune, që synojnë nxitjen e bashkëpunimit e investimeve të huaja në rajon.

“Mirëmëngjes dhe me disa fragmente nga dita e parë e Konferencës së Dytë të Investimeve BE – Ballkani Perëndimor, ku Tirana po mirëpret mbi 600 investitorë nga Europa e rajoni, si edhe figura të shquara të politikës europiane e ekonomistë të mirënjohur, e ku sot konferenca vijon me të tjerë të ftuar, diskutime e takime pune, ju uroj një ditë të mbarë”, shkroi Rama në Facebook.

Punimet e forumit nisën dje në orën 09:15. Në qendër të diskutimeve janë sektorët me potencial të lartë zhvillimi, si energjia, infrastruktura, transporti dhe ndërlidhja rajonale, turizmi, teknologjia dhe kapitali njerëzor.

Në mesin e figurave të njohura që marrin pjesë në forum janë ish-presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, si dhe ish-kryeministrat italianë Massimo D’Alema dhe Enrico Letta.

Përmes paneleve të nivelit të lartë, takimeve të drejtpërdrejta mes bizneseve (B2B) dhe sesioneve të posaçme për krijimin e partneriteteve, forumi synon të shndërrojë potencialin ekonomik të Ballkanit Perëndimor në projekte dhe mundësi konkrete investimi.

Forumi përmbyllet sot, me fjalimet e kryeministrit Edi Rama dhe komisioneres së BE-së për Zgjerimin, Marta Kos.

Sa e vlerësoni këtë artikull?
★ ★ ★ ★ ★

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës: 25 Nëntor, 22:44

    Mendoni se buxheti 2027 do rrisë të ardhurat e qytetarëve?