Nga Forumi i Investimeve BE-Ballkani Perëndimor që po zhvillohet në Tiranë, Kerstin Jorna, drejtoresha e përgjithshme për Tregun e Brendshëm, Industrinë, Sipërmarrjen dhe Ndërmarrjet e Vogla e të Mesme në Komisionin Europian, u bëri thirrje bizneseve të investojnë në rajon.
“Ne duam që paratë tuaja të punojnë këtu, në Shqipëri. Koha për të investuar në Ballkanin Perëndimor është tani”, u shpreh Jorna.
Jorna është juriste gjermane dhe punon në institucionet europiane që prej vitit 1990. Ajo mban detyrën aktuale që prej prillit të vitit 2020, ndërsa më parë ka qenë zëvendësdrejtoreshë e përgjithshme për Çështjet Ekonomike dhe Financiare në Komisionin Europian.
Zyrtarja e KE-së e cilësoi zgjerimin e BE-së si një zgjedhje strategjike në interes të vendeve anëtare dhe atyre që synojnë anëtarësimin. Ajo theksoi se ekonomia e BE-së është rritur me 27% që prej zgjerimit të vitit 2004, ndërsa vendet që janë anëtarësuar që nga viti 2000 janë bërë rreth një të tretën më të pasura krahasuar me periudhën përpara anëtarësimit.
“Bashkimi Evropian është partneri juaj tregtar, investitori juaj dhe asistenti juaj financiar”, deklaroi Jorna.
Sipas saj, tregtia e BE-së me Ballkanin Perëndimor është rritur me 5% në vitin 2025, ndërsa investimet e drejtpërdrejta europiane në rajon kanë arritur në rreth 40 miliardë euro deri në vitin 2024.
“Qeveritë bëjnë reforma, por jeni ju, bizneset, që i ktheni këto reforma në vende pune dhe në mundësi konkrete”, u shpreh ajo.
Duke përdorur shprehjen shqipe “avash-avash”, Jorna tha se integrimi gradual në tregun europian nuk nënkupton ecje të ngadaltë, por përparim të qëndrueshëm, hap pas hapi dhe sektor pas sektori.
Ajo bëri të ditur se Komisioni Europian po punon për krijimin e lehtësirave tregtare, në mënyrë që kompanitë e rajonit të mund të eksportojnë mallra drejt BE-së pa kontrolle të përsëritura, pasi produktet e tyre të jenë testuar dhe certifikuar sipas standardeve europiane.
“Le të ndërtojmë së bashku këtë fabrikë të përbashkët industriale”, u shpreh ajo, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së bizneseve të Ballkanit Perëndimor në zinxhirët europianë të furnizimit.
“Kufijtë nuk janë aty ku mbaron Evropa, por aty ku rritet Evropa”, tha në mbyllje Jorna.
Lajmi kryesor:
Konferenca BE-Ballkani Perëndimor, Komisioni Evropian: Koha për të investuar tek ju! Ibrahimaj: Të tërheqim investime që lënë gjurmë në ekonomi








