Është rrëzuar për herë të tretë në Konferencën e Kryetarëve kërkesa e Partisë Demokratike për ngritjen e Komisionit Hetimor për Investimet Strategjike. Kryetari i grupit parlamentar të PD e quajti skandaloz këtë vendim. Ai tha se PD do të ndjekë të gjithë rrugët deri në fund. Alibeaj nënvizoi se u shkel Kushtetuta dhe ligji për komisionet hetimore.

"Ne do t'i bëjmë me dije të gjitha arsyet reale të rrëzimit të kërkesës sot", tha Alibeaj, i cili tha se i gjithë zbatimi i ligjit për Investimet Strategjike është skemë korruptive.

Ndërkohë nga ana tjetër, kreu i grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se nuk ka asnjë fakt apo indicie që Kuvendi të investohet për ngritjen e një komisioni hetimor. Sipas Ballës të hetosh të gjitha kontrata dhe hapësirën e ligjin nuk është objekt i komisionit hetimor.

'Janë tepër të qarta ato që ka përcaktuar Kushtetuta, e drejta e Kuvendit nuk është e pakufizuar. Duhet të përqaset me nevojën e identifikimit të fakteve konkrete.'- tha Balla.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike depozituar për herë të tretë kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor për Investimet Strategjike. PD kërkon ngritjen e këtij komisioni pasi sipas tyre ka dyshimet për abuzime dhe klientelizëm për projektet strategjike.  

Kërkesa është firmosur nga 35 deputetë të opozitës, mes tyre edhe ish-kreu i PD-së Luzlim Basha. Ajo çfarë vihet re është se deputetja Ina Zhupa ka tërhequr firmën e saj që pas bashkimit me grupin e Sali Berishës, ndërkohë që në kërkesën e parë drejtuar Kuvendit ajo ishte një prej firmëtarëve.

Mazhoranca socialiste rrëzoi të enjten kërkesën e dytë të deputetëve të opozitës për ngritjen e Komisionit Hetimor për të kontrolluar mënyrën sesi qeveria ka zbatuar ligjin për investimet strategjike. Përsëritja e kërkesës u bë pasi Agron Duka tërhoqi firmën pak ditë më parë, ndërsa në vend të tij për ngritjen e komisionit firmosën Enkelejd Alibeaj dhe Lulzim Basha, të cilët sipas argumentimeve të demokratëve për shkak të axhendës nuk kishin mundur të firmosnin. Por socialistët e rrëzuan me pretendimin se kërkesa duhet të ishte bërë nga fillimi dhe firmat duhet të ishin mbledhur sërish pas tërheqjes së deputetit Duka.

Sipas ligjit, për ngritjen e një komisioni hetimor duhen të paktën 35 firma deputetësh. PD thotë se ky komision do të hetojë të gjitha investimet e mëdha, që sipas tyre i janë dhënë miqve të Ramës. Në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar PD përcaktoi edhe përbërjen e Komisioni Hetimor për Investimet Strategjike ku kryetar ishte parashikuar Gazment Bardhi. Gazment Bardhi që është edhe inciatori për ngritjen e këtij Komisioni, ka thënë qartë që qëllimi është që me anë të kësaj të kuptohet që shqiptarët do të shohin sesi pronat publike po ndahen tek familjarët e ministrave, tek miqtë e Edi Ramës dhe tek një grusht oligarkësh pranë tij.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:27
Kërkesa e opozitës për ngritjen e komisionit për Investimet Strategjike, Balla: Nuk ka asnjë fakt apo indicie

 

Kryetari i grupit Parlamentar në Partisë Socialiste Taulant Balla ka folur pas rrëzimit nga Konferenca e Kryetarëve të kërkesës së opozitës për ngritjen e Komisionit Hetimor për Investimet Strategjike.

‘Mendoj se opozita ka plot instrumenta të kontrollit parlamentar për të adresuar propozimet e veta. Në kërkesë nuk ka asnjë fakt dhe asnjë indicie që kuvendi të investohet për ngritjen e një komisioni hetimor. Janë tepër të qarta ato që ka përcaktuar Kushtetuta, e drejta e Kuvendit nuk është e pakufizuar. Duhet të përqaset me nevojën e identifikimit të fakteve konkrete. Të hetosh të gjitha kontrata dhe hapësirën e ligjin nuk është objekt i komisionit hetimor. Të enjten do të parashtroj të gjitha qasjet e grupi parlamentar.’- tha Balla.