Konferenca e Mynihut/ Cakaj takon zv/asistenten e Trump: Shqipëria krah SHBA-ve në sfidat globale

Konferenca e Mynihut/ Cakaj takon zv/asistenten e Trump: Shqipëria krah SHBA-ve në sfidat globale

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj mori pjesë në punimet e sesionit të radhës së Konferencës së Sigurisë së Mynihut, ndërsa zhvilloi një takim me Zëvendës Asistenten e Presidentit Trump dhe Drejtore e Lartë për Evropën dhe Rusinë në Këshillin Kombëtar të Sigurisë në Shtëpinë e Bardhë, Fiona Hill.  Cakaj shprehu vlerësimin për mbështetjen e çmuar të SHBA-ve për proceset demokratizuese dhe kryerjen e reformave në vend, si dhe partneritetin strategjik mes dy vendeve. Ai siguroi mbi angazhimin e Shqipërisë për të vijuar si partner i vendosur përkrah SHBA-ve për stabilitetin, paqen e prosperitetin në rajonin tonë e më gjerë, si dhe në drejtim të përballimit të sfidave të sigurisë globale. Sipas njoftimit të shpërndarë për mediat nga ministria e Jashtme, Hill vlerësoi kontributin e Shqipërisë për renditjen e saj përkrah SHBA-ve në adresimin e sfidave globale të sigurisë, si dhe shprehu mbështetjen e SHBA-ve për reformat në Shqipëri dhe rrugën e integrimit të Evropian.

Cakaj takoi edhe zëvendës Sekretaren e Përgjithshme të NATO-s, Rose Gottemoeller, teksa u diskutua mbi pikëpamjet politike dhe këndvështrimet respektive mbi çështjet me ndjeshmëri gjeopolitike në rajon dhe mbi suazën e sigurisë euroatlantike, pak muaj para takimit të radhës të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të NATO-s, që do të mbahet me 3-4 prill 2019, në Ëashington. Ministri Cakaj vlerësoi veçanërisht rolin dhe peshën e Aleancës, si garantuese e paqes dhe sigurisë ne rajon. Po ashtu, ai vlerësoi rolin e KFOR-it në Kosovë, si një spirancë stabiliteti për Kosovën dhe më gjerë. Nga ana e saj,  Zëvendës Sekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Gotemoeller vlerësoi rolin dhe kontributet e qenësishme të Shqipërisë si vend aleat, si në konteksin e rajonit, ashtu edhe në suazën e sigurisë transatlantike.

Lidhur me rajonin, ajo ripërmendi qëndrimin e njohur të NATO-s mbi zhvillimet e kohëve të fundit në rajon, si ecuria e përshpejtuar e Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit të plotë në NATO dhe mbështetja për dialogun Kosovë-Serbi, si e vetmja mënyrë për të sjellë paqe dhe qëndrueshmëri në rajon.Ministri Cakaj zhvilloi një takim edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Thomas Greminger. Sekretari i Përgjithshëm pasi e uroi Ministrin në Detyrë, shprehu vlerësimin e tij për angazhimin e Shqipërisë për marrjen e Kryesisë së OSBE-së në një kohë të vështirë e plot sfida për sigurinë dhe stabilitetin në hapësirën e OSBE-së dhe më gjerë. Në vijim, Sekretari i Përgjithshëm e siguroi Ministrin në Detyrë për vendosjen e një bashkëpunimi të ngushtë dhe mbështetjen e plotë të sekretariatit ndaj Kryesisë shqiptare, në funksion të përmbushjes me sukses të këtij angazhimi.

Nga ana e tij, Ministri në Detyrë, Cakaj, vlerësoi mbështetjen e plotë të Sekretarit të Përgjithshëm në procesin e miratimit konsensual të kandidaturës së Shqipërisë për kryesimin e OSBE-së në 2020. Shqipëria, tha ai, është totalisht e angazhuar për të ofruar kontributin e saj në përpjekjet e përbashkëta të të gjithë vendeve pjesëmarrëse, për vendosjen e një dialogu konstruktiv dhe krijimin e besimit në adresimin e sfidave të tanishme dhe të ardhshme në hapësirën e OSBE-së. Ministri Cakaj pati një takim edhe me Ministren e Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën