Ministri Tahiri: Pata kënaqësinë që pata në zyrë Komandantin e Përgjithshëm të Guardia di Finanza-s, që prej shumë vitesh tashmë ndihmon në bashkëpunimin ndërmjet policive, por në mënyrë të veçantë në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit.
Gjithashtu pata mundësinë ta falënderoja për gjithë ndihmën e vyer që na kanë dhënë gjatë gjithë dekadës së fundit dhe veçanërisht në vitet e fundit, pra nga 2013 e këtej kur bashkëpunimi jonë ka qenë dhe më i frytshëm dhe me rezultate akoma më të mira se në të kaluarën.
I shpjegova dhe planin e punës të miratuar nga qeveria lidhur me parandalimin dhe luftën kundër kultivimit të kanabisit. Ashtu siç i shpjegova dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare për ta mbyllur këtë vit një kapitull 20 e kusur vjeçar të kultivimit dhe trafikimit të drogës.
Ne jemi shumë të vendosur për të bërë këtë vit atë që nuk është bërë kurrë më parë, ashtu siç jemi shumë të bindur se siç filluam me luftën kundër Lazaratit dhe i dhamë fund asaj njolle turpi për Shqipërinë, këtë vit i japim fund kultivimit të kanabisit në çdo centimetër katror të Republikës së Shqipërisë.
Eshtë kjo arsyeja pse kemi filluar më herët kontrollet me policinë shqiptare.
Eshtë kjo arsyeja pse kemi filluar më herët kontaktet me pushtetin vendor, me administratorët e njësive, me çdo faktor lokal në mënyrë që të parandalohet kultivimi. Eshtë kjo arsyeja pse Policia ka sot një plan veprimi për parandalimin dhe luftën në çdo parcelë ku është evidentuar kultivimi i kanabisit në vitet e kaluara dhe në kuadër të këtij plani i kërkova edhe Komandantit të Përgjithshëm të Guardia di Finanza-s të fillojnë fluturimet shumë më herët krahasuar me vjet dhe me çdo vit më parë.
Kjo do të na ndihmojë të forcojmë më shumë dimensionin parandalues të luftës së Policisë së Shtetit dhe të shtetit shqiptar kundër kultivimit të kanabisit.
Shumë besoj do arrijmë në dakordësi të plotë për të filluar më herët fluturimet e mbikëqyrjes së territorit në të gjithë Shqipërinë në mënyrë që fushata parandaluese të jetë një ndihmë shumë e vyer për t’i dhënë fund njëherë e mirë këtë vit, e përsëris, kultivimit të kanabisit në Shqipëri.
Ne jemi shumë të bindur që ky është një fenomen që duhet të mbyllet njëherë e mirë, kjo është qeveria e vetme që e ka luftuar këtë fenomen dhe është qeveria e vetme që do arrijë rezultatin që në fund të këtij mandati të mbyllim njëherë e mirë të gjithë fenomenin e kanabisit.
Ashtu siç jemi shumë të bindur të ndërtojmë shtet, ashtu jemi të bindur dhe të luftojmë faktorët që deri dje kanë shërbyer si nxitës për kultivimin e kanabisit – varfërinë dhe pamundësinë.
Siç bëmë shtet deri më sot, siç kemi reformuar policinë deri më sot, siç kemi forcuar shtetin ligjor deri më sot, siç kemi detyruar ata që deri dje ishin të paprekshëm të respektojnë ligjin deri më sot, ashtu do të bëjmë edhe ekonominë më të fortë, ashtu do të luftojmë edhe papunësinë më shumë, ashtu do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për shqiptarët, dhe për fëmijët tanë, dhe për të ardhmen e Shqipërisë në BE.
Komandanti i GDF Giorgio Toschi: Mirëmbrëma, unë dhe bashkëpunëtorët e mi jemi të lumtur e të nderuar që u pritëm në takim nga z.Ministër i Brendshëm.
Jemi këtu, dhe unë veçanërisht, për të dëshmuar gëzimin e madh të vendit tim dhe të institucionit, Guardia di Finanza që unë kam nderin të përfaqësoj, - këtë bashkëpunim tashmë të quajtur historik, sepse ka nisur 20 vite më parë.
Është një bashkëpunim, që dy vendet tona, pra Italia dhe Shqipëria, kanë ndërmarrë që më se 20 vite më parë, në këto vitet e fundit është fuqizuar në mënyrë të dallueshme.
Është fuqizuar ky bashkëpunim sepse nga njëra anë kemi këtë vend, mik të Italisë, Shqipërinë, dhe nga ana tjetër kemi një lloj tjetër ekzigjence, të përforcohen kontrollet e dërgesave nga deti dhe në mënyrë të veçantë, të substancave narkotike në territorin tonë shtetëror.
Të dhënat janë shumë premtuese dhe dëshmojnë se marrëdhëniet tona të konsoliduara mes dy vendeve dhe ky përmirësim i bashkëpunimit, ka bërë që falë këtyre fluturimeve që tashmë prej vitesh kryhen nga Shërbimi Ajror i Guardia di Finanza-s në bashkëpunim edhe shërbimin detar, pra të gjitha kompontet ajrore e detara të GDF që operojnë tashmë prej shumë vitesh në Shqipëri.
Këto fluturime monitoruese, të kryera sidomos kohët e fundit dhe vitin e fundit, kanë bërë të mundur identifikimin e shumë më tepër parcelave të mbjella me kanabis, kanabis indian në sipërfaqe të ndryshme në Shqipëri.
Ndërsa përforcimi i marrëdhënieve ndërkombëtare, sidomos shkëmbimi i informacionit, ka bërë të mundur që sekuestrimet në det nga ana e Guardia di Finanza italiane në bashkëpunim me autoritetet e Policisë shqiptare, të dyfishohen, duke arritur deri në rreth 20 ton substanca narkotike.
Duke konsideruar këto rezultate shumë shumë inkurajuese dhe brilante të shërbimit, që nga dita e nesërme, pas kthimit tonë në Komandën e Përgjithshme në Itali, do të nisim me bashkëpunëtorët e mi shqyrtimin e menjëhershëm të kërkesës që na drejtoi këtë mbrëmje Ministri i Punëve të Brendshme, për të paraprirë sa më shumë të jetë e mundur (që prej fundit të muajit Prill, maksimumi fillim Maji) aktivitetin e fluturimeve monitoruese, për të kryer më herët se vitet e kaluara këtë kontroll ajror për të identifikuar parcela të mundshme në disa zona, të vendit tuaj të mrekullueshëm.
Pikërisht me synimin për të parandaluar akoma më shumë dhe akoma më mirë lulëzimin e këtyre bimëve, të cilat prodhojnë këtë lëndë të paligjshme.
Në fund do të doja ta mbyll, duke u drejtuar një falënderim të përzemërt autoriteteve të Qeverisë shqiptare, në veçanti Ministrit të Punëve të Brendshme, si dhe autoriteteve diplomatike, zotit Ambasador italian këtu në Shqipëri, për mbështetjen dhe asistencën që u japin ushtarakëve të Guardia di Finanza, të cilat janë rreth 25 njësi të përbëra kryesisht nga Shërbimi detar, e që kryejnë me shumë rezultate dhe profesionalizëm të lartë punën e tyre prej rreth 20 vitesh.
Ndaj ju falenderoj! Dhe ju inkurajoj në përkushtimin e mëtejshëm dhe në të qenit dhe më efikasë në arritjen e kësaj lufte kundër lëndëve narkotike.
Gazetari: A keni një shqetësim në rritje për sa i përket kanabisit nga Shqipëria dhe a siguron fluturimi nga ajri përfundimisht kufizimin e tij në Shqipëri?
Giorgio Toschi: Shqetësimet tona janë të inkurajuara nga fakti se sekuestrimet po rriten dhe kjo do të thotë që bashkëpunimi ynë mes dy vendeve tona dhe në mënyrë të veçantë me ekspertët e shërbimit antidrogë, funksionon dhe funksionon mirë.
Pyetje: Fluturimet sigurojnë këtë, që do të ndodhin së shpejti?
Giorgio Toschi: Ne besojmë se duke përdorur pajisje gjithnjë e më shumë të sofistikuara dhe falë eksperiencës së pilotëve tanë, pra të personelit tonë si në qiell dhe në det, këto pjesë toke të cilat në vend që të kultivohen me kultura bujqësore, përdoren për kultivimin e marijuanës mund të diktohen më shpejt.
Ministri Tahiri: Që ta kuptoni sepse zakonisht e lexoni keq, në punën e Guardia di Finanza dhe në punën e Policisë së Shtetit, sa më shumë shkatërrohen dhe sa më shumë kap, është sukses!
Pyetje: A siguroni për sukses se vitin që vjen Shqipëria s’do të ketë më kanabis me monitorimin që do të bëhet nga ajri?
Ministri Tahiri: Ne do të bëjmë maksimumin. Kemi nisur shumë më herët punën e policisë për kontrollin e territorit dhe parandalimin. Kam kërkuar dhe shpresoj të biem dakord për të nisur akoma më herët edhe fluturimet e Guardia di Finanza. E ritheksova. Kur të gjithë nuk besonin që Lazarati mund të zhdukej nga Shqipëria, ne besonim dhe e arritëm.
Kur të gjithë ju me të drejtë mund të keni dyshimin e ligjshëm se kultivimi 20 vjeçar i kanabisit në të gjithë Shqipërinë nuk mund të mbyllet, kini besim që do e bëjmë siç kemi bërë të tjerat do të bëjmë edhe këtë. Do ja dalim që këtë vit ta mbyllim këtë fenomen.
Pyetje: Po nëse kultivimit të kanabisit nuk i jepet fund?
Ministri Tahiri: E përsëris, keni pasur arsye të ligjshme të dyshoni, sepse në të kaluarën asnjë qeveri nuk ju ka dhënë motivin të besoni që Policia mund të bëhet dhe Policia u bë. Keni pasur dyshimin në të kaluarën se kriminelët iknin në drejtim të paditur, sot nuk ikin në drejtim të paditur. Policia bën detyrën dhe është ringritur në këmbë e gjitha. Keni pasur dyshimin e ligjshëm se shteti nuk bëhet sepse qeveritë e kaluara nuk kanë punuar për këtë. Sot këtë dyshim nuk e keni dhe jeni të bindur se kjo qeveri po bën gjithçka ka mundësi për të bërë shtetin që duam. Keni dyshimin e ligjshëm për atë që kanë bërë gabim qeveritë e kaluara se kanabisi nuk mund të zhduket. Do zhduket ashtu si bëmë edhe në Lazarat.
Faleminderit!