Konferenca e Sigurisë e Mynihut shërbeu si një mundësi e vlefshme për përfaqësuesit e Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës për të diskutuar mbi hapat e radhës në projektet e përbashkëta për forcimin e sigurisë.

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, u takua me homologun kroat Ivan Anusiç dhe me ministrin e Mbrojtjes të Kosovës Ejup Maqedonci, në një moment kur mjedisi i sigurisë në rajon dhe Evropë  karakterizohet nga dinamika të shtuara dhe nevoja për përgjigje të koordinuar.

Diskutimet u fokusuan në thellimin e bashkëpunimit në mbrojtjen e përbashkët, rritjen e ndërveprueshmërisë së forcave të armatosura, zhvillimin e industrisë ushtarake dhe ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme mbrojtëse.

Takimi rikonfirmoi vullnetin politik të tre vendeve për të vepruar si faktorë stabiliteti në rajon, për të forcuar sigurinë kolektive dhe për të kontribuar në arkitekturën euroatlantike të sigurisë përmes partneriteteve konkrete dhe rezultateve të matshme.

Në një postim në Facebook, Ministri Vengu vlerësoi përpjekjen e përbashkët të tre vendeve për të rritur bashkëpunimin në mbrojtje, zhvillim kapacitetesh dhe avancim të industrisë ushtarake.

“Konferenca e Sigurisë e Mynihut shërbeu si një mundësi e vlefshme për të vijuar dhe thelluar diskutimet trepalëshe mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës. Së bashku me kolegët Ivan Anušić dhe Ejup Maqedonci, për të diskutuar mbi hapat e radhës në projektet e përbashkëta që synojnë forcimin e sigurisë kolektive dhe rritjen e ndërveprueshmërisë.Një përpjekje e përbashkët për më shumë bashkëpunim në mbrojtje, zhvillim kapacitetesh dhe avancimin e industrisë ushtarake. Një bosht i rëndësishëm për paqen, stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë në rajon” shkroi Vengu në Facebook

Takimi i ministrave erdhi vetëm pak ditë pasi të tre vendet ranë dakord të zhvillojnë këtë vit stërvitjen e parë të përbashkët trepalëshe, që do të jetë në përputhje me konceptin strategjik të NATO-s “dhe objektivave euroaltantike”.

Sipas marrëveshjes së arritur në mars të vitit 2025, të tre vendet do të bashkëpunojnë në 4 fusha kryesore: promovimin e bashkëpunimit në fushën e aftësive mbrojtëse dhe industrisë mbrojtëse, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes arsimit, trajnimit dhe ushtrimeve të përbashkëta, adresimin e kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë, si dhe ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme dhe të plotë për integrimin euroatlantik.

Pakti i mbrojtjes  thotë se të tre shtetet do të bashkëpunojnë për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore, ndërkohë Serbia e konsideron atë një "aleancë ushtarake kundër Serbëve" 


Lajmi kryesor:

Edhe Shqipëria në Konferencën e Mynihut, mungon Rama! Vengu e Spiropali: Vijojmë kontributin për forcimin e partneritetit transatlantik