TIRANE – Ambasada italiane në Tiranë dhe Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, në kuadër të aktivitetit të Presidencës italiane në Këshillin e Bashkimit Evropian organizuan në Tiranë Konferencën dy ditore, në datat 20-21 Tetor 2014, me titull: “Shqipëria dhe Italia, një partneritet për Evropën”.

Në këtë konferencë të përmasave rajonale që u zhvillua në universitetin katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, morën pjesë figura të njohura nga politika europiane, si ish-kryeministri i Italisë dhe ish-president i komisionit Europian, Romano Prodi, kryetari i komisionit të Jashtëm në senatin italian Kazini dhe figura të spikatura nga politika vendase. Ajo që ra në sy ishte niveli i organizimit që ngjasonte me organizimet që zhvillohen në vendet e Europës Perëndimore.

zoja e keshillit te mire

Ambientet moderne të universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë”, lanë një përshtypje pozitive te pjesëmarrësit, duke vërtetuar atë që u theksua edhe në konferencën ndryshimin e dukshëm dhe europian të Shqipërisë. Objektivi i kësaj Konference, e cila organizohet pak muaj pas marrjes së Statusit kandidat në BE, është një reflektim mbi të ardhmen e Shqipërisë, duke u nisur nga roli që ka pasur Italia në procesin për integrimin e vendit në BE, e lidhur kjo prospektive dypalëshe në kuadrin strategjik të zgjerimit të BE-së dhe bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Punimet kryesore të Konferencës u mbajtën me 21 tetor në ambientet e Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”. Rektori i Universitetit, Prof. Bruno Giardina përshëndeti iniciativën dhe vlerësoi shembullin konkret të Universitetit si një iniciativë ndërkombëtare që kontribuon në integrimin evropian të Shqipërisë. Universiteti frymëzohet nga dëshira për të qenë një pikë takimi dhe mikpritjeje universale në respekt të individualitetit dhe pasurisë shpirtërore.

Ai përfaqëson një realitet të konsoliduar që synon përcjelljen e një shpirti integrimi ndërkombëtar. Universiteti katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, renditet i pari në llojin e vet, ku spikasin ambientet moderne dhe mësimdhënia me profesorë të njohur nga Italia dhe Shqipëria.

konferenca

Redaksia Online