Nuk më ka pëlqyer aspak mënyra se si ka filluar historia e reformës në drejtësi dhe këtë ua kam bërë të ditur të gjithë aktorëve vendas dhe ndërkombëtarë. Dhe ja ku jemi, reforma që duhet të kalonte në pranverë, ka rrezik të asfiksohet nga stina e vapës që ka filluar.
Përpjekjet për të shpikur fajtorë dhe për të mos gjetur konsensusin duhet të marrin fund, të paktën nga aktorët kryesorë të përfshirë në këtë reformë. Aktorët vendas, sidomos Kryetari i Partisë Socialiste si forca kryesore, dhe Kryetari i Partisë Demokratike si forca kryesore opozitare, por edhe me përfaqësuesit e nderuar që e kanë mbështetur dhe që e mbështesin këtë reformë.
Kam kërkuar me kohë që të zhvillohet takimi i nivelit të lartë politik, bazuar mbi punën paraprake të ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, të OPDAT-it dhe të EURALIUS-it pas ardhjes së mendimeve dhe rekomandimeve nga Komisioni i Venecias, pasi gjithçka ka qenë mëse e qartë. Pavarësisht nga klima në të cilën është zhvilluar kjo reformë, ku për fat të keq nuk ka dominuar përqendrimi tek çështjet themelore që do të ndryshohen në Kushtetutë, për raportet midis pushteteve të ndryshme dhe tek garancitë se si sistemi i ri i drejtësisë do të funksionojë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar krejt ndryshe nga sistemi aktual i dështuar i drejtësisë, kemi vënë re në vend të këtyre përpjekjeve, shkëmbime të vazhdueshme të akuzave se kush e ka vendin në burg sipas reformës së re të drejtësisë. Njëra palë, palën tjetër dhe kështu reciprokisht, a thua se kjo reformë bëhet thjesht për të futur disa politikanë në burg! Ndërkohë që kjo reformë jo vetëm që nuk është pronë e politikës, por është përgjegjësi e saj që t’i japë një zgjidhje njëherë e mirë këtij sistemi të korruptuar të drejtësisë, por njëkohësisht duhet t’i japë garanci gjithë qytetarëve shqiptarë që jetojnë sot dhe që duan të kthehen në këtë vend që Shqipëria do të jetë një vend shumë më i sigurt në të ardhmen se sa është sot.
Në këtë drejtim , edhe unë ashtu sikurse ambasadori Lu, po më soset durimi. Por unë kam një propozim të ndryshëm nga ai. Nuk mendoj se tani është koha që Basha dhe Rama të mbyllen në një dhomë dhe o t’i gjejnë zgjidhje kësaj çështje ose jo, duke përjashtuar sipas përfaqësuesit të nderuar të Shteteve të Bashkuara propozimin për të cilin bëhet fjalë të Partisë Demokratike, që nuk e dimë se çfarë zgjidhje do të gjendet dhe përse duhet që shqiptarët të paramendojnë apo të paragjykojnë një “Big Brother” midis dy udhëheqësve kryesorë të vendit, në kuptimin e drejtuesve kryesorë të mazhorancës dhe të opozitës. Por meqenëse Shqipëria është republikë parlamentare, meqenëse unë jam Kryetar i Parlamentit, i ftoj të dy aktorët kryesorë politik në vend, z. Rama dhe z. Basha, por pse jo edhe dy ambasadorët e nderuar që janë angazhuar dhe që janë lodhur për këtë reformë, z. Lu dhe znj. Vlahutin, që ne të mbyllemi këtu në Kuvendin e Shqipërisë,këtu ku na ka sjellë sovrani për t’i dhënë drejtësinë e munguar për të ardhmen, por jo duke e filluar takimin se ti do shkosh në burg.
Sepse ne jemi politikanë dhe në qoftë se kërkon konsensusin duke thënë që “ti do shkosh në burg”, apo “ti tjetri do të shkosh në burg me këtë reformë”, ne shkatërrojmë konsensusin, shkatërrojmë gjithë frymën konstruktive dhe gjithëpërfshirëse që duhet të ketë kjo reformë. Por duke qenë se është bërë fjalë kyçe fjala burg për reformën në drejtësi, ndërkohë që aty janë çështje shumë më të rëndësishme, që janë shmangur nga debati, nga vëmendja, nga pjesëmarrja e opinionit publik, e juristëve dhe e gjithë të tjerëve, unë jam shumë dakord ta vazhdojmë me fjalën burg, por nuk bëhet reforma dhe nuk arrihet konsensusi duke thënë “do të shkosh ti në burg”.
Por reforma dhe konsensusi, ajo që do Washingtoni, Brukseli dhe mbi të gjitha qytetarët shqiptarë nga politikanët shqiptarë është duke filluar “unë do të shkoj në burg në qoftë se kam shkelur ligjin, në qoftë se kam bërë korrupsion, në qoftë se kam dëmtuar interesin publik”. Dhe vetëm duke folur në këtë mënyrë, në qoftë se dikush ka qejf fjalën burg, ne mund t’i japim vendit ato ndryshime kushtetuese, atë Kushtetutë të re pasi nuk bëhet fjalë vetëm për ndryshime kushtetuese. Këtu kemi të bëjmë me një Kushtetutë të re, kemi të bëjmë me institucione të reja, kemi të bëjmë me një president tjetër, kemi të bëjmë me një parlament tjetër, kemi të bëjmë me gjithë këto institucione të reja të cilat janë krejtësisht institucione që do të mbajnë peshën kryesore të suksesit apo të dështimit të kësaj reforme e cila nuk bëhet për zgjedhjet e radhës, por e cila bëhet të paktën për 30 vite që vijnë në këtë vend. Edhe atëherë kur jam i bindur se edhe ata që janë më të rinj se ne sot në Parlament, ndoshta nuk do të jenë më në politikë.
Ndaj, unë mbështes fuqimisht deklaratën e Ndihmës Sekretares znj. Nuland për të arritur konsensusin, mbështesim edhe propozimin hibrid, por konsensusi është i domosdoshëm që të arrihet dhe ne duhet të kyçemi të pestë ose duhet të dalim të pestë para qytetarëve shqiptarë për ta bërë këtë reformë apo për të shpallur fajtor për reformën.
Pse e them unë tani këtë shqetësim? E them këtë shqetësim sepse ne jemi mësuar për fat të keq, zakoni i politikës së vjetër, që është përgjegjëse edhe për këtë problem që ka drejtësia në vend, por që është përgjegjëse edhe për këtë situatë të institucioneve që ka sot vendi, edhe për shkak të ndryshimeve kushtetuese që gjithmonë kur janë bërë, janë lënë për minutën e fundit, të kodeve zgjedhore që janë lënë për minutën e fundit, duke luajtur gjithmonë me presionin, me faktin e kryer sepse unë shoh një rrezik tepër serioz. Jo për politikanët, por për vendin në rast se kjo reformë nuk do të miratohet me konsensus, sipas Venecias, dhe padyshim edhe sipas standardeve evropiane dhe euro- atlantike. Unë shoh rrezik serioz të dështimit të saj sepse dihet që duhen 2/3 e votave dhe mazhoranca aktuale nuk i ka këto vota, por jo thjesht kaq. Edhe në rastin e miratimit të saj pa konsensusin opozitës, unë mund t’ju them me bindje të plotë se nëse mosmiratimi i reformës ditën e enjte është një hap i madh mbrapa për vendin, miratimi i reformës në mënyrë të diskutueshme, jo plotësisht legjitime dhe me integritet, mund të hapë një situatë krejt të re për vendin e cila nuk do të jetë ajo e forcimit të institucioneve dhe të shtetit ligjor, e paanshmërisë dhe besueshmërisë së institucioneve të reja që do të dalin nëpërmjet miratimit të kësaj reforme, por përkundrazi, ajo mund të çelë një kapitull afatgjatë të mungesës së stabilitetin politik në vend , por dhe të kontestimit jo vetëm të institucioneve të reja aq të rëndësishme për suksesin dhe për zbatimin e reformës, por edhe të parlamentit aktual në rast se opozita do të largohet nga parlamenti dhe të institucioneve të reja në vend. E kam thënë vazhdimisht, konsensusi është i domosdoshëm sepse Shqipëria nuk duhet të shndërrohet në një Maqedoni.
Shikoni konfliktin në Maqedoni. Shikoni përpjekjet e jashtëzakonshme të Komisionarit Hahn, shikoni përpjekjet e jashtëzakonshme të Shteteve të Bashkuara. U bë kaq kohë që duhet të ishin bërë zgjedhjet, por nuk po bëhen zgjedhje. Dhe mos harroni se situata në Maqedoni mund të ishte edhe më delikate në qoftë se edhe Shqipëria do të ecte drejt një rruge jo të qartë të stabilitetit dhe të forcimit të institucioneve të saj. Është e pamundur dhe askush nuk më ka dhënë përgjigje, kur vazhdimisht më pyesin se a janë apo s’janë votat e LSI për reformën, që unë që në fillim e kam deklaruar se të 20 votat janë për reformën, mjafton që PD, PS të arrijnë konsensusin. Dhe kam thënë që i vetmi institucion mbi të cilën mund të arrihet një konsensus i pakontenstueshëm nga askush është Komisioni i Venecias, sepse ky është institucioni më i rëndësishëm kudo.
Prandaj duhet t’i lëmë lojërat dhe pingpongun e përgjegjësive se unë e dua më shumë, dikush tjetër e do më pak. Ne kemi përgjegjësi para popullit shqiptar, ne kemi përgjegjësi para partnerëve tanë të jashtëzakonshëm, kemi përgjegjësi para qytetarëve të Kosovës, para gjithë shqiptarëve në rajon që ta ruajmë Shqipërinë si faktor të stabilitetit. Tregohuni patriot siç tha me të drejtë një nga përfaqësueset e nderuara të Komunitetit ndërkombëtar, duke sakrifikuar secili prej nesh pushtet për hir të shtetit dhe të forcimit të institucionit dhe besimit tek drejtësia e re që duhet të lindë pas datës 21 korrik.
Në këtë kuptim, unë dua t’ju them hapur që kjo nuk është thjesht çështje 88 apo 99. Kjo është çështje e një mosbesimi të jashtëzakonshëm të papërgjegjshëm që ekziston sot jo vetëm në Kuvendin e Shqipërisë, por në politikën shqiptare për fat të keq edhe në opinionin publik për shkak të politikës konfliktuale, acaruese, agravuese , e cila për fat të mirë vetëm falë eksperiencës së qytetarëve shqiptarë nga drama që ka shkaktuar politika e konfliktit në të kaluarën nuk po prodhon drama të reja sot.
Ndaj propozimi im është ky, të takohemi të pestë. Unë si kryetar Parlamenti, dy kryetarët e dy forcave kryesore politike që kanë përgjegjësinë në parlament dhe para popullit shqiptar, sepse kjo është një reformë e Parlamentit të Shqipërisë, të dy ambasadorët e nderuar, në qoftë se kanë propozime të tjera, absolutisht që janë të mirëpritur, dhe të mos dalim dhe të mbyllemi përgjithmonë këtu në rast se nuk japim zgjidhje dhe nuk i votojmë ndryshimet kushtetuese ditën e enjte në orën 10:00. Sepse të gjithë kemi premtuar për këtë gjë. Atëherë të gjithë duhet të sakrifikojmë për këtë gjë. Dhe për t’i hequr kujtdo çdo lloj meraku dhe frike dhe duke shpresuar në patriotizmin e të gjithëve, absolutisht që miratimi i kësaj reforme është i domosdoshëm dhe duke e parë se mosbesimi është kaq shqetësues, kaq i lodhshëm, dhe kaq i rrezikshëm për të ardhmen, jam i bindur që rruga më e mirë do të jetë ndërtimi i një qeverie ekspertësh e cila pas miratimi të reformës e çon vendin në zgjedhje demokratike dhe të pa kontestuara nga askush.
Unë personalisht jam gati që për hir të këtij kompromisi që nga ky moment të jap dorëheqjen si Kryetar Parlamenti, në qoftë se kjo i shërben kompromisit, Ministrat e forcës politike që unë përfaqësoj dhe të gjithë përfaqësuesit politik të bëjnë të njëjtën gjë, në mënyrë që ne të detoksikojmë këtë klimë helmuese, këtë klimë kaq të egër, kaq të papranueshme për një vend që ka më shumë se 20 vjet demokraci, tranzicion, që ka pësuar tragjedi nga konflikti dhe politika e papërgjegjshme. Dhe unë jam i bindur që në këtë mënyrë ne i heqim të gjithë frikat e gjithkujt, garantojmë drejtësinë e pavarur, vendosim të gjithë të barabartë përpara drejtësisë që do të vij nesër, por edhe përpara qytetarëve shqiptar për të na gjykuar në zgjedhjet e reja.
Kështu që besoj që kjo është e vetmja rrugë zgjidhje në mënyrë që të mos fillojmë se kush janë fajtorët, se si u bënë deputetët, në çfarë mënyrash dhe në çfarë mjetesh. Sepse këtu nuk është se po zgjedhim një president, nuk është se po zgjedhim një qeveri, këtu na duhet të zgjedhim për reformën kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar, transparencë dhe integritet, legjitimitet, për 30 vitet e ardhshme, apo përsëritja e të njëjtës gjë.
Pra nga reformë na të kthehet thjeshtë në një formë të re, por që nuk do të ndryshojë asgjë. Dhe të heqim të gjithë shqetësimet për çdo lloj kapje të sistemit në të ardhmen nga cilido.
Pyetje nga gazetarët
Z. Meta duke nisur ndoshta nga pjesa e fundit e deklaratës tuaj, për qeverinë ekspertësh, e kemi fjalën për qeveri teknike pas momentit të reformës në drejtësi? Dhe do të doja të bëja një pyetje, jeni konsultuar me Kryeministrin Rama për propozimin që ju sapo bëtë dhe ky propozim vjen që ju të jeni të pranishëm në negociata dhe të mos jeni të përjashtuar nga dy palët politike PD dhe PS?
Ky është propozimi si Kryetar i Parlamentit sepse kjo çështjet tani ka ardhur në Parlamentin e Shqipërisë dhe parlamenti duhet ta zgjidhi këtë çështje. Nuk është më mundësia të vazhdojmë “telefonin e prishur”. Se çfarë i tha Meta Ramës, se çfarë i tha Rama këtij etj. As me këta vendas as me ata ndërkombëtar. Absolutisht! Nuk është koha tani as të ushqejmë gazetat, portalet me mesazhe, me kundër mesazhe dhe të çorodisim dynjanë,absolutisht! Tani është momenti i të vërtetës.
Momenti i vërtetës kërkon: “Do të bëjmë drejtësi siç e meritojnë qytetarët shqiptar dhe e ardhmja e tyre, dhe kjo drejtësi le të bjeri mbi çdo politikan duke filluar nga Ilir Meta dhe cili do tjetër, apo do të vazhdojmë lojërat politike, lojërat elektorale në kurriz të popullit shqiptar për 30 vitet e ardhshme”. Mesazhi mendoj se është shumë i qartë.
Përsa i takon raporteve të mija me këtë çështja me Kryeministrin Rama, ju jeni njohur nga mediat që kemi patur një takim në Kryeministri përpara dy ditësh, bashkë me z. Vasili, me z. Rama dhe me z. Ruçi, mbas takimeve që unë bashkë me z. Vasili kemi patur me ambasadorin Lu dhe me ambasadoren Vlahutin këtu, ku ata më kanë njohur me propozimin hibrid pasi nuk kam qenë këtu, kam qenë në Mal të Zi. Dhe qëndrimi im ka qenë që përpara se të fillonte komisioni parlamentar. Ka qenë ky qëndrim drejtuar z. Basha në takimin që unë kam kërkuar me të për shkak të incidentit që ndodhi me Kalendarin e Kuvendit, ku opozita akuzoi si qëllimisht dhe në mënyrë të paligjshme ishin përfshirë ndryshimet kushtetuese që u sqarua dhe jam takuar dhe kam folur me të dy që ne të fillojmë një proces të pa kontestueshëm, derisa jemi për reformë, derisa jemi për konsensus, ta bëjmë këtë gjë. Ka dy çështje, ka tre çështje, sepse kemi një afat që është 21 korriku. Këto çështje ti zgjidhim rrugës. Raporti i tyre dihet në kuptimin e qëndrimeve. Edhe raporti i partnerëve dihet pra për këto çështje. Raporti im është ky: “Hajde të mbyllemi të marrim përgjegjësi për këtë gjë, ose që të 5 ne të ikim nga politika dhe nga diplomacia dhe të vijnë njerëz të tjera që ta zgjidhin këtë çështje”. Kjo është shumë e rëndësishme për Shqipërinë, kjo është shumë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës që janë aleati ynë kryesor strategjik dhe i pazëvendësueshëm dhe unë ja kam thënë edhe z. Rama, ja kam thënë edhe z. Basha, se i kam dhënë fjalën Ndihmës Sekretarit të Shtetit, që merret me programet e SHBA për të mbështetur reformat në drejtësi, në luftën kundër korrupsionit, kundër drogës, etj, z. Brownfield, se do të bëj çdo gjë për të kaluar reforma, për të kaluar me konsensus dhe sipas Venecias, dhe ai më ka kërkuar që të bëj çdo përpjekje për këtë qëllim.
Kjo është përpjekja ime e fundit. Unë jam këtu jo për nesër, se ne mund të mblidhemi që sot, por meqenëse është e diele, edhe pse për mua për këtë çështje nuk ka të diel, me falni në qoftë se nuk jam shumë elokuent, por jam edhe pak pa gjumë, sepse vërtet kam menduar këto ditë që kjo është një situatë kritike. Ne kemi qenë këtu, edhe ju si gazetar, edhe ne si politikan, se si vendi për teka ka rrëshqitur për hiç gjë në kaos dhe destabilitet. Dhe ne, sidomos ne të majtëve, na takon të jemi shumë të përgjegjshëm sepse e majta ka qenë forca më e përgjegjshme në vend. Dhe po ju kujtoj një fakt që më vjen edhe nga biseda me një koleg socialist i vjetër në Parlament po aq sa unë. Se në vitin 1997, Partia Socialiste bashkë me aleaten e vet më të besuar, PSD, ka marrë 116 mandate. Dhe për të qetësuar situatën për shkak të opozitës së Berishës që ishte në rrugë dhe që nuk vinte në institucione, në krye të procesit të bërjes së Kushtetutës, vendosi një përfaqësues të nderuar të opozitës, i cili nuk jeton më, z. Sabri Godo. Dhe përkrah tij vendosi përsëri një përfaqësues të së djathtës në atë kohë të Aleancës Demokratike siç ishte z. Imami. Dhe është bërë një proces shembullor në një klimë të vështirë për shkak të 1997 dhe pasojës së saj.
Si mundet ne, një vend anëtar i NATO, një vend kandidat në BE, të sillemi në këtë mënyrë? Dhe tjetra që dua të them, që ky është një parlament që ka probleme. Nuk po them që kanë të tjerë dhe nuk kam unë, mund të kem edhe unë probleme. Ju e dini që dekriminalizimi është një proces që i ka kushtuar shumë imazhit të vendit tonë, përshkak të atyre që futën nëpër lista njerëz të cilët nuk kontrollojnë veten në Kuvendin e Shqipërisë, dhe për shkak të një retorike të egër dhe të papërgjegjshme, dhe të mos harrojmë se disa deputet kanë humbur mandatet, disa të tjerë kanë procese gjyqësore, të tjerë mund të preken në të ardhmen, përfshirë edhe Ilir Metën apo Petrit Vasilin, dhe ne nuk mund t’i lëmë një njollë Shqipërisë që Kushtetuta u bë me 94 vota, apo me 95 vota. U bë me votën e këtij deputeti që ka këtë proces gjyqësor, apo që ka këtë proces tjetër me drejtësinë.
Ky është momenti i të vërtetës dhe të vendosmërisë për ta zgjidhur. Secili nga ne duhet të marrë përgjegjësitë. Nuk është më “nuk duan ata dy të mëdhenjtë”. Nuk është më kjo zgjidhja, absolutisht. Nuk është momenti për të përgatitur që, po kaloi mirë, po nuk kaloi do të bëj njëri mocion mosbesimi, tjetri mocion besimi e kështu me radhë. Ju e dini shumë mirë se çfarë po ndodh edhe tani për fatkeq që flasim bashkë.
Kështu do të bëhet Kushtetuta e Shqipërisë? Ky është një trup i madh për të gjithë ne. Dhe e vetmja mënyrë që ta shlyejmë këtë turp, këtë papërgjegjshmëri, që nga dekriminalizimi, që nga çdo gjë tjetër, që nga korrupsioni, që nga ndikimi politik tek drejtësia, është kjo: Të mbyllemi të pestë që jemi marrë më shumë, këtu në Parlamentin e Shqipërisë dhe të japim zgjidhje. Për ndryshme secili nga ne duhet të iki dhe nuk i takon më as me politikën dhe as me diplomacinë. Eksperimente me të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve unë për vete nuk pranojë që të bëj askush.
Patjetër reformën, patjetër sipas Venecias, patjetër sipas asaj që ka rëndë dakord z. Basha me znj. Nuland edhe me përfaqësues të tjerë të nderua të komunitetin ndërkombëtar dhe me z. Rama me të cilët ata kanë zhvilluar këto takime. Sepse jemi shumë pranë por është kjo klimë kaq mosbesuese, është kjo retorikë kaq e egër. “Hajde takohemi, por ti nuk do të takohesh unë do të fus në burg. Bëjmë kompromis”. Nuk ka kompromis me burg. Ti themi gjërat hapur. Kompromisi bëhet “Unë do të shkoj në burg, jo ti, nëse kam shkelur ligjin dhe të hetohem nga fillimi në fund”. Dhe çdo politikan i përgjegjshëm që është i dashuruar me fjalën burg këtë gjë duhet të thotë.
Unë i kam bërë të qarta këto qëndrime prej kohës. Edhe Kryeministrit, edhe drejtuesve të tjerë, kolegëve të tjerë të nderuar të Partisë Socialiste. Në qoftë se opozita bën atë sjellje të papranueshme, të pahijshme, tërësisht absurde, sepse nuk po bën gjë tjetër, dhe prandaj u ndëshkua para një viti në zgjedhjet vendore, ne si mazhorancë, jo për të përkëdhelur opozitën, por për hir të përgjegjshmërisë ndaj vendit, sepse kemi tërë ato çështje të mëdha për të cilat njerëzit presin t’i japim zgjidhje, duhet të jemi më të duruar, duhet të jemi më tolerantë. Ata janë sot në opozitë, nesër mund të jemi ne. Ajo që i takon opozitës, opozita duhet ta marrë.
Sepse opozita nuk është Lulzim Basha, nuk është as Sali Berisha. Nesër mund të jetë Ilir Meta, pasnesër mund të jetë Edi Rama, e kështu me radhë. Opozita është e Shqipërisë dhe është një garanci për demokracinë në Shqipëri.
Prandaj i ftoj të gjithë të bëjnë këtë veprim t’i japim një zgjidhje se lamë nam me dekriminalizimin, nuk ngeli ndonjë në botë pa e marrë vesh sikur a thua se Parlamenti i Shqipërisë ka vetëm kriminelë apo banditë për shkak të disa ngjarjeve të shëmtuara.
Aty ka shumë njerëz të përgjegjshëm që ulin kokën, ka shumë intelektualë të cilët nuk mund të flasin aty, sepse aty nuk dëgjon njeri. Aty ka vetëm ulërima për fat të keq dhe ky duhet të ishte momenti më i rëndësishëm për këtë Parlament, që të mbahet mend: votoi reformën në drejtësi dhe u shpërnda. Pastaj kemi mundësinë të gjithë kryetarët që të shohim dhe listat që të respektojmë kriteret e dekriminalizimit.
Megjithatë se Kryeministri dhe kryetari i Opozitës ende nuk kanë dhënë sinjal për t’u ulur në një tryezë pavarësisht kësaj duket se dy aktorët kryesorë po negociojnë përmes tyre përmes Facebook-ut. Si e shikoni këtë situatë?
E dhashë përgjigjen time. Unë për fat të mirë kam qenë shumë i qartë qysh në fillim e deri tani. Kam dëgjuar lloj-lloj historish, ashtu si edhe ju. Që kjo reformë bëhet për të futur në burg Sali Berishën dhe Ilir Metën, nuk i keni dëgjuar ju këto? Që Ilir Metës nuk i japin vizë amerikanët e shumë të tjera. Që kjo reformë bëhet për të futur në burg Berishën, Ilir Metën, ramin apo tjetrin. E bëj unë burgun për të gjithë politikanët shqiptarë, absolutisht. Dhe ku të kenë dëshirë edhe partnerët tanë, në Uashington apo në Alaskë apo në Bruksel. Por nuk është kjo zgjidhja për Shqipërinë. Shqipëria nuk duhet të ketë sherr, nuk duhet të ketë konflikt, nuk duhet të ketë viktima pas 21 korrikut.
E dini që Ilir Metës i bënë gjoja edhe një skandal që ta mbanin peng përmes një përgjimi dhe e dini se si u orkestrua çdo gjë. Ilir Meta është politikan i përgjegjshëm, nuk është nga ata që bën presion, as me Prokurorinë, as me Gjykatën dhe askund tjetër dhe nuk e ka bërë asnjëherë. Sepse më ka kalitur Sali Berisha mua me drejtësinë, më ka kalitur qysh në verën e vitit 1993 kur isha i pari deputet i opozitës në atë kohë që më hoqi imunitetin dhe donte të më fuste në burg. Më thërrisnin prokurorët që të më thoshin: ik ti se do të arrestojmë javën tjetër. Unë i thosha pse ta vonojmë një javë, që sot çfarë problemi ka. Kush ka frikë nga burgu? Po pse burgu politik do ta trembë një politikan shqiptar, pse do ta trembë? Ç’është kjo burgu, për këtë bëhet kjo gjë? Kjo është për Shqipërinë dhe për shqiptarët, për t’i forcuar institucionet jo për t’i personalizuar ato, për t’i bërë të pavarura. E dëgjuat se çfarë tha kryetari për çështjet evropiane në Bundestag, z. Krichbaum. Një drejtësi e votuar në mënyrë të njëanshme nuk prodhon dot një drejtësi të pavarur, e prodhon të njëanshme. Çfarë doni që të bëjmë eksperimente? I thashë një diplomati që kishte ardhur në Tiranë, sepse ai donte të dinte votat e LSI. I thashë që votat janë, sepse unë ia kam dhënë fjalën Ambasadorit Amerikan dhe e kam sqaruar mirë për tre orë e ca që më 5 janar, që votat e LSI-së janë. Këtu kemi problemin e konsensusit, problemin e legjitimitetit, problemin e integritetit dhe të bëhet një proces demokratik. Sepse nuk e dinin që aty po diskutohen pa opozitën ligjet dhe aty ka probleme nga më të ndryshmet, të cilat janë më të rëndësishme për funksionimin më efikas të këtyre institucioneve në të ardhmen. Sepse nuk është vetëm problemi i ndryshimeve kushtetuese, ne kemi rënë dakord me opozitën që bashkë me ndryshimet kushtetuese të kalojmë edhe shtatë ligje të tjera dhe në rast se nuk e bëjmë këtë bashkë me opozitën, atëherë ne rrezikojmë që opozita të shkojë në Gjykatë Kushtetuese dhe këto ligje në rast se do të miratohen në këtë mënyrë, të kenë probleme më pas. Prandaj iu bëj thirrje të gjithëve, nesër të vijnë këtu, po të duan edhe sot, kur të dëshirojnë. Ky është propozimi im, mund të ketë edhe propozime të tjera, por mendoj që është koha për t’u sjellë si patriotë të vërtetë.
Kam një pyetje për ju, a mos mendoni se nuk ka kërkohet të bëjmë as sakrificat që bëri Ismail Qemali dhe të tjerë, por të nderojmë sakrificën e Ismail Qemalit, por të bëjmë fare pak se sa bëri Mujo Ulqinaku. Një shqiptar i thjeshtë, i zakonshëm që nuk do ta njihte askush. Mos kujtoni ju se Mujo Ulqinaku doli për të ndaluar një perandori 40-milionëshe dhe për ta mundur Italinë?
Jo, ai bëri një akt patriotik për të mbrojtur vendin e tij dhe dinjitetin e tij dhe mund t’u them që ky akt patriotik duhet nga ne për të mbrojtur dinjitetin e Parlamentit të ardhshëm. Ky vetëm këtë moment dinjitoz mund të ketë, që të miratojë reformën dhe të shkojë në zgjedhjet e reja dhe dinjitetin e drejtësisë së ardhshme, që duhet të prodhojë garanci dhe siguri, jo vetëm për sistemin demokratik, por për të gjithë qytetarët shqiptarë. Nuk bëjmë një reformë për politikanët, patjetër për politikanët kemi prokurorinë speciale, kemi gjykata speciale, por reforma është shumë më e gjerë se kaq dhe duhet bërë që çdo shqiptar çdo ditë të ndjejë që ka më shumë drejtësi. Dhe gjithë ky angazhim që ne bëmë dhe gjithë kjo përkrahje që ka ardhur nga jashtë për këtë reformë të japë ato rezultate të cilat do ta bëjnë Shqipërinë anëtarë të Bashkimit Evropian dhe të japim krenarinë e duhur për të një anëtare dinjitoze e NATO-s dhe partnere serioze e besueshme e SHBA-ve dhe kjo është shumë e rëndësishme. Edhe për vetë NATO-n, dhe kjo është shumë e rëndësishme për sigurinë tonë kombëtare dhe për stabilitetin në rajonit tonë.
Z. Meta, duke qenë se shprehët mosdakordësinë e z. Lu për mbylljen e z. Rama dhe z. Basha në një sallë, pyetja është cila është marrëdhënia juaj me Ambasadorin e SHBA-ve? Dhe tjetra, thatë që i keni dakordësinë edhe znj. Nuland për propozimin e saj hibrid...
Shpreha mbështetjen time. Unë i kam dhënë fjalën Sekretarit të Shtetit që merret me çështjet e drejtësisë dhe me programet për drejtësinë. Sepse kemi edhe një afat tjetër që ia kam shpjeguar shumë qartë kolegëve të mazhiorancës, edhe z. Basha në takimin që kam pasur me të. I kam thënë që përveçse kemi afatet për statusin, për rekomandimin e kështu me radhë, kemi një afat edhe me SHBA-të. Sepse buxheti i tyre funksionon ndryshe nga i yni dhe duhet që brenda korrikut patjetër ta miratojmë, në mënyrë që ato programe, ato fonde që janë për të mbështetur Prokurorinë Speciale apo Byronë e hetimit të mos digjen sepse është një ndihmë konkrete. Dhe përse duhet ne ta shpërdorojmë kur këtu tani është thjesht çështje e thellë e mosbesimit. Sepse në përmbajtje duket që është një çështje fare e zgjidhshme, sipas Venecias edhe sipas partnerëve ndërkombëtarë.
Pyetja ishte cila është marrëdhënie juaj me z. Lu dhe tjetra për besueshmërinë e ekspertëve të huaj për çështjen e vetingut? Dhe e fundit, përmendët tre herë zgjedhjet e parakohshme, a është i gatshëm vendi ta përballojë...
Kam një pyetje për ju. A është i gatshëm vendi ta përballojë një miratim të njëanshëm të diskutueshëm dhe që rrezikon të kthehet në një urim instabiliteti, kontestimi me një opozitë që del në rrugë, e që thotë u ble ky u ble ajo, e kështu me radhë. Me një opozitë që kërkon votim elektronik, nuk e di a është e mundur kjo gjë apo. Pra është një çështje e besimi tani. Ne e kemi thënë si mazhorancë që kjo do të prodhojë drejtësisë të pavarur. Ky sistem nuk ka lidhje me qeverinë dhe nuk mund të ketë ndikim këtu. Atëherë të gjithë të lëshojmë pushtet për të ndërtuar besueshmërinë e duhur të kësaj reforme dhe të vendosjes së ligjit në mënyrën më evropiane dhe euro-amerikane në Shqipëri. Kjo është e vetmja zgjidhje sepse opozita mund të kërkojë reformë zgjedhore. Kemi kohë ne për reformën zgjedhore? Nuk kemi. Atëherë e vetmja rrugë është kjo, por kemi një afat sepse kemi edhe një zgjidhje tjetër. Që t’i themi opozitës që ti nuk do, t’i themi 91% i shqiptarëve që duan drejtësi të shkojmë në zgjedhje, marrim 91% të votave dhe pastaj e bëjmë pa opozitën këtë reformë që prapë nuk do të ishte normale sepse demokracia nuk është thjesht çështje numerike.
Këtu në radhë të parë kemi të bëjmë me çështje të thellë dhe serioze të legjitimitetit. Nuk kemi të bëjmë me një ligj të thjeshtë, nuk kemi të bëjmë thjesht me buxhetin e shtetit, që edhe ai është i rëndësishëm, por këtu kemi të bëjmë me të ardhmen e Shqipërisë për 30 vjet. Kush nuk e kupton këtë mendoj që ka një gabim shumë të madh dhe do të mbajë një përgjegjësi shumë të madhe para qytetarëve tanë dhe jam i bindur edhe para partnerëve tanë.
Me ambasadorin kam vetëm marrëdhënie zyrtare dhe me dëshmitarë.
Për ekspertët e huaj, janë të mirëpritur. Unë kam qenë në Departamentin e Drejtësisë dhe kam kërkuar përfshirje të plotë të thellë të ndërkombëtareve dhe sidomos të SHBA-ve për implementimin e reformës në drejtësi. Unë nuk jam që drejtësinë t’ua japim me koncesion të huajve, absolutisht. Sepse mendoj që shumë koncesione këtu kanë dështuar, por unë jam për këtë gjë: gjë gjithçka që thotë Komisioni i Venecias për rolin e ndërkombëtarëve siç kam rënë dakord edhe me ambasadorët, të reflektohet sepse edhe znj. Nuland u shpreh që të respektohet sovraniteti i vendit. Ka shqetësime që ka deklarata të njëanshme, ndoshta ka ndryshime qëndrimesh, është normale, edhe politikanët ndryshojnë qëndrime.
Standardet e Venecias janë të pandryshueshme sepse atyre u referohen edhe vendet më të zhvilluara dhe më demokratike dhe padyshim edhe Shqipëria. Ka ndonjë shqetësim opozita për vetingun se mos ndërkombëtarët që do të bëjnë vetingun mund të jenë të njëanshëm? Të propozojë veting për ata që do të vijnë të bëjnë vetingun, nuk ka asnjë problem.
Por ne këtë do të zgjidhim në mënyrë të hapur dhe transparente me njëri-tjetrin dhe me partnerët ndërkombëtarë. Nuk e zgjidhim dot ne? Të sjellin njerëz nga Uashingtoni, nga Brukseli, ne ditën e enjte duhet t’i japim një zgjidhje të plotë përfundimtare të moralshme burrërore, dinjitoze dhe tolerante Shqipërisë, shqiptarëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë.
Z. Meta, te ky takim që ju propozuat mes jush, z. Rama, z. Basha dhe dy ambasadorëve, LSI do të ketë një propozim të sajin pasi ju e keni ekspertizën duke qenë se keni dërguar edhe një draft në Venecia? Çfarë do të bëni më datë 22 korrik nëse nuk votohet reforma?
Besoj se isha shumë i qartë dhe më i qartë kam frikë se prishet. Do të jemi në ndjekje të situatës. Faleminderit.