Konferenca vjetore e BSH-së, Sejko: Të gjitha mundësitë për të përshpejtuar ritmet e rritjes ekonomike

Në konferencën vjetore të Bankës së Shqipërisë, Guvernatori Gent Sejko është shprehur se ekonomia shqiptare i ka të gjitha mundësitë për të përshpejtuar ritmin e rritjes ekonomike.

Sejko ka theksuar se objekti i final i Bankës së Shqipërisë, është që të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm të vendit tonë.

“Në një këndvështrim më të afërt, Shqipëria ka nevojë për rritjen e gjithanshme të shkallës së kulturës financiare. Ndër të tjera, kjo ndihmon shëndoshjen e financave personale dhe të biznesit, si dhe reduktimin e rreziqeve financiare, si për shembull ekspozimin e panevojshëm ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit. Banka e Shqipërisë ka qenë dhe do të mbetet në pararojë të edukimit financiar.”, -ka theksuar Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.

Fjala e plotë e Guvernatorit:

Ky sistem i ofron ekonomisë instrumente pagese, duke ndihmuar qarkullimin e lirë të produkteve e shërbimeve. Ai ofron instrumente kursimi e krediti për familjet dhe bizneset, duke nxitur zhvillimin dhe rritjen e mirëqenies. Po ashtu, sistemi financiar ndihmon familjet, bizneset dhe ekonominë në përballimin e goditjeve, nëpërmjet marrjes përsipër të rrezikut në bilancet e tij, si dhe nëpërmjet ofrimit të produkteve të sigurimit financiar të jetës, aktivitetit apo të sigurimit ndaj fatkeqësive natyrore.

Për këto arsye, eficienca, qëndrueshmëria dhe sofistikimi i sistemit financiar janë parakushte esenciale për një rritje të shpejtë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Shkalla e zhvillimit të një ekonomie është e ndërlidhur dhe ndërvarur me shkallën e zhvillimit të sistemit të saj financiar. Ky konstatim është gjerësisht i ilustruar nga eksperienca shqiptare e tre dekadave të fundit.

Progresi i vendit në dekadën e parë të tranzicionit u kushtëzua – ndër të tjera – nga faza ende embrionale e zhvillimit të sektorit bankar e financiar. Në dekadën e dytë, zgjerimi i sektorit bankar dhe forcimi i konkurrencës në të, i hapën rrugë rritjes së kreditimit dhe përshpejtimit të ritmeve të rritjes ekonomike. Kjo ecuri u ndërpre nga kriza financiare globale, krizë e cila tronditi ekonominë shqiptare. Në ndryshim nga mjaft vende të rajonit, kriza nuk prodhoi recesion apo krizë të mirëfilltë financiare në Shqipëri. Megjithatë, pasojat indirekte të saj u ndjenë si në ekonominë shqiptare dhe në sistemin e saj financiar.

Si autoritet monetar, mbikëqyrës e rregullator i sektorit bankar, agjenda e punës së Bankës së Shqipërisë gjatë viteve të fundit është fokusuar në trajtimin e sfidave që trashëguam nga kriza. Më lejoni të bëj një përmbledhje të shkurtër të tyre.

Së pari, ngadalësimi i kërkesës agregate dhe dobësimi i kursit të këmbimit përkeqësuan gjendjen financiare të bizneseve dhe familjeve, duke sjellë një rritje të shpejtë të kredive me probleme dhe duke tkurrur ofertën e kredisë bankare. Ndër të tjera, rritja e kredive me probleme nxori në pah nevojën e përmirësimit të gjithanshëm të ambientit ligjor e rregullator, veçanërisht sa i takon ekzekutimit të kolateralit. Në këto rrethana, në bashkëpunim dhe me agjenci të tjera publike, Banka e Shqipërisë hartoi dhe zbatoi një program të detajuar masash, i cili adresoi në mënyrë të plotë mangësitë e konstatuara. Ky aksion i hapi rrugë reduktimit të shpejtë të raportit të kredive me probleme, përmirësimit të ofertës së kredisë dhe krijoi premisa për përshpejtimin gradual të ritmit të rritjes së saj.

Së dyti, shtrëngimi i normave rregullatore të aktivitetit bankar në Bashkimin Evropian, solli një reduktim të ekspozimit të bankave të huaja ndaj ekonomive rajonale e shqiptare. Ky efekt, i njohur si deleverage, nënvizoi faktin se integrimi në rritje i sektorit bankar na ekspozon ndaj politikave monetare dhe normave rregullatore të vendeve të origjinës. Në përgjigje të tij, Banka e Shqipërisë ka punuar për harmonizimin e kuadrit të brendshëm mbikëqyrës e rregullator me standardet e Bashkimit Evropian. Në këtë drejtim, kemi vënë në zbatim një strategji të re makroprudenciale, e cila është modeluar sipas asaj të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore. Po ashtu, kemi rishikuar plotësisht kuadrin mbikëqyrës e rregullator, duke synuar adresimin më të mirë të elementeve të rrezikut të sektorit bankar: rrezikut operacional, rrezikut të tregut, rrezikut të kreditit dhe rrezikut të likuiditetit. Së fundi, jemi bërë pjesë aktive e forumit ndërkombëtar për adresimin e këtij fenomeni – i ashtuquajturi Iniciativa e Vjenës, si dhe kemi forcuar komunikimin me agjencitë partnere rregullatore të vendeve të origjinës.

Së treti, ne kemi shpenzuar mjaft kohë dhe energji për administrimin e procesit të konsolidimit të sektorit bankar. Ky proces, i cili tashmë mund të quhet i përfunduar, ka sjellë reduktimin në 12 të numrit të bankave në sistem. Ai ka krijuar premisa për një sektor bankar më të motivuar në kredidhënie, më inovativ në produkte e më konkurrues në kosto.

Në një nivel më të përgjithshëm, Banka e Shqipërisë ka punuar për përmirësimin e arkitekturës rregullatore të sistemit financiar në Shqipëri dhe për forcimin e rrjetave të sigurisë financiare. Së bashku me agjencitë e tjera publike, kemi ngritur Grupin Këshillimor të Stabilitetit Financiar, kemi përmirësuar bazën ligjore të funksionimit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, kemi miratuar Ligjin për Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme, kemi krijuar kuadrin nënligjor e rregullator, si dhe kemi ngritur strukturat e nevojshme për funksionimin e tyre.

Paralelisht me to, kemi adoptuar një kuadër modern të hartimit dhe zbatimit të politikës monetare, si dhe kemi ruajtur në mënyrë konsekuente një qëndrim stimulues të saj. Stimuli monetar i ka mundësuar Shqipërisë një ambient financiar transparent, me norma të ulëta e të qëndrueshme interesi, me likuiditet të bollshëm dhe me luhatje të moderuara të kursit të këmbimit. Ai ka nxitur rritjen e konsumit dhe investimeve private, ka reduktuar çmimin e kredisë, si dhe ka lehtësuar kostot e shërbimit të borxhit për të gjitha segmentet e ekonomisë.

Duke reflektuar këto aksione, ekonomia shqiptare ka bërë progres të dukshëm drejt rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë. Ky progres është karakterizuar nga përshpejtimi gradual i ritmeve të rritjes, nga zgjerimi i punësimit dhe rënia e papunësisë, si dhe nga shëndoshja e bilanceve të sektorit privat. Në veçanti, sektori bankar shfaqet likuid, i kapitalizuar dhe me tregues të mirë rentabiliteti.Kapitali rregullator luhatet rreth nivelit 18%, dukshëm mbi minimumin e detyrueshëm, ndërsa raporti i kredive me probleme ka rënë në 11%, kundrejt nivelit maksimal prej gati 25% të shënuar në vitin 2014.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Objektivi final i punës së Bankës së Shqipërisë ka qenë dhe do të mbetet nxitja e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit. Filozofia jonë e punës bazohet në katër shtylla kryesore: profesionalizëm, përgjegjshmëri, llogaridhënie dhe transparencë.

Kjo filozofi u testua dhe u pasurua me disa mësime të vlefshme gjatë dekadës së fundit:

•Së pari, autoritetet monetare, mbikëqyrëse e rregullatore, duhet të kenë një qëndrim proaktiv ndaj stabilitetit monetar dhe financiar të vendit. Kjo kërkon rritjen e kapaciteteve institucionale, si dhe adoptimin e një përqasjeje kundërciklike, si në politikën monetare dhe në atë makroprudenciale. Gjithashtu, ajo kërkon identifikimin e vazhdueshëm të sfidave aktuale dhe potenciale dhe adresimin në kohë të tyre.

• Së dyti, rritja ekonomike afatgjatë duhet ankoruar në reforma strukturore të vazhdueshme. Autoritetet publike e kanë të pamundur – e ndoshta të paarritshme – të parashikojnë apo të shmangin plotësisht goditjet. Megjithatë, autoritetet publike dhe sektori privat mund të minimizojnë efektet e këtyre goditjeve, nëpërmjet reformave strukturore, të cilat synojnë krijimin e strukturave sa më produktive dhe elastike, si dhe nëpërmjet ruajtjes së qëndrueshmërisë së bilanceve financiare. Autoritetet publike dhe sektori privat duhet të jenë të ndërgjegjshëm se përfitimet afatgjata të reformave i tejkalojnë kostot afatshkurtra të tyre.

•Së treti, integrimi financiar ofron një kanal shtesë ekspozimi ndaj goditjeve të huaja, qofshin këto kriza financiare ndërkombëtare apo luhatje të kuadrit rregullator. Në tërësinë e tij, integrimi financiar ka qenë dhe do të mbetet një faktor pozitiv zhvillimi. Ai sjell në Shqipëri kapital financiar dhe ekspertizë menaxheriale, duke pasur një zinxhir efektesh pozitive në ekonominë shqiptare dhe duke pararendur integrimin ekonomik e politik të vendit. Megjithatë, ky integrim bën të domosdoshëm forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit me partnerët dhe institucionet homologe ndërkombëtare.

•Së fundi, stabiliteti monetar e financiar i vendit nuk mund të jetë përgjegjësi e vetme e bankës qendrore, sado primar të jetë roli i saj në të. Ai kërkon kontributin dhe bashkëpunimin e të gjitha autoriteteve shtetërore.

Të nderuar pjesëmarrës,

Ekonomia shqiptare ka premisa solide për vijimin dhe përshpejtimin e ritmeve të rritjes. Forcimi i stabilitetit financiar, paralelisht me ndjekjen e politikave të kujdesshme monetare, ofron një garanci shtesë për qëndrueshmërinë e saj.

Megjithatë, më lejoni të theksoj se sfidat që kemi përpara nuk janë të pakta.

Në një perspektivë të gjerë, industria financiare, në rajon e në botë, është në presionin e katër rrymave të fuqishme:

•Zhvillimit të vrullshëm të teknologjisë së informacionit, i cili i ka hapur rrugë inovacionit financiar dhe ka sfiduar modelet klasike të bankingut. Instrumentet e reja të pagesave e të kreditit, aktorët e rinj të tregut financiar dhe modelet e reja të biznesit, si bankingu dhe pagesat dixhitale apo elektronike, rritin shkallën e penetrimit të shërbimeve financiare. Megjithatë, në të njëjtën kohë, ato sfidojnë jo vetëm aktorët klasikë të sektorit financiar, por dhe rregullatorët e këtij sistemi.

•Globalizimit, i cili ka zgjeruar fushën e veprimit të aktorëve dhe rregullatorëve të tregut. Ky fenomen i ekspozon ndjeshëm vendet në zhvillim ndaj luhatjeve të kuadrit rregullator apo luhatjeve të oreksit për rrezik në vendet e zhvilluara.

•Procesit të rirregullimit që po kalon sektori financiar evropian e botëror. Ky proces synon të rrisë sigurinë e sektorit bankar, të ulë probabilitetin e krizave sistemike dhe të rrisë aftësitë e autoriteteve për administrimin e tyre. Megjithatë, ai imponon kosto shtesë për sektorin bankar dhe e vendos atë në pozita më pak të favorshme kundrejt pjesëmarrësve të tjerë të tregut.

•Normave tejet të ulëta të interesit, që karakterizojnë segmente të tëra të tregut financiar botëror. Këto norma pasqyrojnë politikat monetare stimuluese të ndjekura nga bankat e mëdha qendrore, rënien e produktivitetit global dhe zhvillimet e pafavorshme demografike në vendet e zhvilluara. Megjithatë, ato dëmtojnë bilancet e segmenteve të gjera të tregut financiar, si sektori bankar, fondet e pensionit dhe kompanitë e sigurimit.

Në një këndvështrim më të afërt, Shqipëria ka nevojë për rritjen e gjithanshme të shkallës së kulturës financiare. Ndër të tjera, kjo ndihmon shëndoshjen e financave personale dhe të biznesit, si dhe reduktimin e rreziqeve financiare, si për shembull ekspozimin e panevojshëm ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit. Banka e Shqipërisë ka qenë dhe do të mbetet në pararojë të edukimit financiar.

Po ashtu, Shqipëria ka nevojë për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit të pagesave dhe për përmirësimin e aksesit në financë të segmenteve të ndryshme të shoqërisë, si bizneset e vogla dhe të mesme apo sektori rural. Banka e Shqipërisë ka ushtruar me përgjegjësi detyrat e veta në fushën e zhvillimit të sistemit të pagesave. Në këtë drejtim:

•kemi ngritur në vitin 2015 Komitetin Kombëtar të Sistemit të Pagesave, i cili synon koordinimin e punës së të gjitha agjencive publike dhe sektorit privat;

•kemi hartuar projektligjin “Për shërbimet e pagesave”, i cili adopton direktivën përkatëse të Bashkimit Evropian dhe i hap rrugën zhvillimit të produkteve të reja të pagesave; si dhe,

•kemi përmirësuar infrastrukturën teknologjike të kryerjes së pagesave, duke ulur kostot e tyre.

Megjithatë, puna jonë nuk mund të quhet e përfunduar.

Së fundi, Shqipëria duhet t’i kushtojë vëmendje zhvillimit të segmenteve të tjera të tregut financiar, si tregu i kapitalit apo fondet e pensionit dhe të investimit. Rëndësi primare në këtë kontekst ka harmonizimi i kujdesshëm i kuadrit ligjor e rregullator, për të shmangur lindjen e vatrave të rrezikut sistemik apo mundësitë e arbitrazhit rregullator.

 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI