Efektet e krizës ekonomike globale, politikat e gabuara fiskale, dhe pengesat që shkakton paaftësia dhe korrupsioni i administratës publike dhe i gjyqësorit janë shkaktarët kryesorë të tkurrjes së investimeve të huaja.
 
 Përfaqësuesi i Shoqatës së Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, analizon faktorët të cilët kanë sjellë largimin vit pas viti të investimeve të huaja nga Shqipëria, mes të cilave edhe politikat e gabuara të diktuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

"Arsyeja është që pikërisht në kohë krize, pikërisht për ekonomi që janë ekonomi në thelb në një masë shumë të madhe të informalitetit që arrijnë gati në 50% të PBB. Nuk mund të kalohet në paketa fiskale të cilat nga "Njëra anë rrisin taksat dhe tatimet dhe nga ana tjetër kalonin në çarjen e procedurave tatimore. Të klasifikosh bazuar mbi bazë xhiron e biznesit është tërësisht i gabuar për këtë gjendje në të cilën funksionon dhe është ndërtuar ekonomia shqiptare", shprehet Buxhuku.

Ndërsa analizon rrezikun e deflacionit, Buxhuku thotë se rënia e çmimeve flet qartë për ngërçin e ekonomisë, rënien e konsumit, e për pasojë edhe uljen e prodhimit nga bizneset.

"Nuk është deflacioni problemi. Deflacioni është treguesi. Problemi është se këtu kanë rënë realisht shitjet sepse s'ka blerje. Në momentin që shitjet bien, bizneset prodhuese dhe tregtare do të ulin prodhimin. Ulja e prodhimit çon në rritje papunësie, në rritje kostosh," thotë ai.

Redaksia Oonline
(u.s/shqiptarja.com)