TIRANË - Konfindustria do t'i kërkojë zyrtarisht Qeverisë rikthimin e tatim-fitimit të sheshtë në masën 9-9.5% për të gjithë sektorët e biznesit, që punojnë në kushtet e konkurencës së lirë dhe nuk përfitojnë nga privilegjet qeveritare të punës në tregje të mbyllura.
Në një njoftim për shtyp të Administratorit të Përgjithshëm të Konfindustrias, Gjergj Buxhuku, vlerësohet se të dhënat e deritashme nga bizneset e mëdha tregojnë, se ndryshimi me 2 herë i tatim-fitimit (7.5-15%), që ka hyrë në fuqi në fillim vitin 2014, ka prodhuar rritje të trysnisë së biznesit të vogël dhe kategorive të biznesit të ashtuquajtur 'të madh' me qarkullim vjetor afër pragut prej 8 milion lekë për moslëshim faturash tatimore, duke shkaktuar problematikë të rënduara në transaksionet financiare.
Kjo dukuri, sipas Konfindustrias, vlerësohet si shkak i fortë për prodhim shtesë evazioni fiskal nga poshtë-lart për gjithë ekonominë kombëtare, me ndikim negativ në rritjen e konkurencës së padrejtë ndaj bizneseve të ndershme.
Në këto kushte, Konfindustria vlerëson se nga ana tjetër tatim-fitimi i sheshtë prej 9-9.5% paraqet epërsi të dukshme ndaj sistemit të sotëm progresiv, sepse rivendos në kushte barazie konkurueshmërinë e Shqipërisë në rajon për tërheqjen e investimeve të huaja. Në gjithë vendet konkurente të Shqipërisë në rajon tatim-fitimi është në nivelet 9-9.5%. /ATSH/