Konfirmohen 4 raste me murtajën e derrit në Kukës e Has

Katër derra të egër që janë gjetur të ngordhur nga shoqata e gjuetarëve, dy në Pusin e Thatë dhe dy në Morinë vunë në lëvizje shërbimin veterinar në Kukës e Has.

Pas inspektimit në terren, mostrat e marra u dërguan për analiza në Institutin e Veterinarisë, nga ku rezultuan të prekur nga murtaja e derrit.

Drejtori i Shërbimit veterinar Bajram Peposhi, tha për Report Tv se u zbatuan protokollet përkatëse për asgjësimin e tyre.

“Sëmundja në fjalë, prek vetëm derrat dhe nuk është e rrezikshme për transmetueshmëri tek njerëzit apo kafshët e tjera, por ka një shkallë të lartë mortaliteti dhe mund të depërtojë në stallat e derrave të butë që mbarështohen në zona të ndryshme të vendit”, tha Peposhi.

Peposhi deklaroi më tej se rastet në Pusin e Thatë dhe Morinë ishin të parat e shfaqjes së kësaj sëmundjeje në vendin tonë, ndërkohë që vendet kufitare të rajonit, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Mali i Zi e kanë të pranishme prej një viti.

“Shërbimi veterinar i Kukësit por edhe ai kombëtar kanë ndërmarrë edhe masat paraprake për monitorim të rreptë të situatës në stallat e derrave, duke qenë se nuk ka vaksine apo masë tjetër që frenon sëmundjen”, tha Peposhi.

Në Kukës vitet e fundit është rritur ndjeshëm shtimi i tufave të derrave të egër pothuajse në të gjithë territorin e zonave të mbrojtura të qarkut, kjo falë edhe masave shtrënguese siç ishte moratoriumi i gjuetisë.

Çobani Besmir Thaqi nga fshati Domaj i Hasit tregon se ndonëse në këtë zonë ka shumë derra të egër nuk përbëjnë rrezik për dhitë dhe delet. Shqetësim për të do të përbënte nëse murtaja do të ishte ngjitëse.

“Nuk janë të rrezikshëm derrat për bagëtitë por sëmundja nëse është ngjitëse, është problem. Derrat ikin prej dhive dhe qenve. Nuk ka pasur raste që kanë sulmuar kopetë.”

“Kjo zonë njihet për derra të egër. Vijnë dhe hanë kallamoq. Nuk është i dëmshëm, është si dhua, han bar. Nuk është mishngrënës”, shtoi më tej ai.

B.K/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë