Konfiskimi, kush do t’i 'gëzojë'
paratë dhe vilat e politikanëve

Konfiskimi, kush do t’i 'gëzojë'<br />paratë dhe vilat e politikanëve
Pasuritë e pajustifikuara, të cilat do t’u konfiskohen politikanëve, gjyqtarëve, prokurorëve, drejtorëve, bosëve të drogës dhe prostitucionit, do të përdoren për të ndihmuar viktimat e krimit dhe të dhunës, për fuqizimin e organeve të reja anti-korrupsion si dhe për intensifikimin e hetimeve për aferat korruptive dhe goditjen e krimit të organizuar.

Kështu parashikon projektligji i ri, i cili ndryshon ligjin Anti-mafia. Shqiptarja.com zbardh variantin e fundit të projektligjit Antimafia, i hartuar nga ekspertët e EURALIUS dhe OPDAT, bazuar në propozimet e bëra nga PAMECA.

Draftin parashikon ndër të tjera ndryshimin e pikës 1 të nenit 37 të ligjit aktual, ku të ardhurat e përfituara nga zbatimi i këtij ligjit Antimafia do të shërbejnë për ngritjen e një fondi të posaçëm për parandalimin e kriminalitetit dhe edukimin ligjor sipas legjislacionit buxhetor.

Konkretisht, paratë dhe vilat që do t’u konfiskohen zyrtarëve të korruptuar dhe njerëzve të botës së krimit do të shkojnë për përmirësimin e funksionimit të drejtësisë penale, për përmirësimin e hetimeve paraprake penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit, për zhvillimin e programeve të mbrojtjes së dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

Zgjerohet rrethi
Zgjerohet dhe konkretizohet në ligji rrethi i të afërmve të zyrtarëve të korruptuar dhe të njerëzve të krimit, të cilëve do t’u konfiskohen pasuritë e pajustifikuara me të ardhura të ligjshme.

Bëhet fjalë për një rreth njerëzisht, tek të cilët personi i akuzuar mund të fshehë paratë e pista apo pasuritë e paluajtshme, për t’i shpëtuar nga konfiskimi. Kur vërtetohet se disa pasuri i janë transferuar apo janë regjistruar në emër të të tretëve, me veprime juridike fiktive ose të simuluara, gjykata konstaton pavlefshmërinë e këtyre veprimeve juridike.

Në këto raste, ligji i ri parashikon konfiskimin e pasurive në emër të bashkëshortit, fëmijës, të paralindurit, të paslindurit, vëllezërve, motrave, xhaxhallarëve/dajave, hallave/tezeve, nipërve/mbesave, fëmijëve të vëllezërve dhe motrave, vjehrrit, vjehrrës, dhëndrit, nuses, kunatës, kunatit, bashkëjetuesit, thjeshtërit, thjeshtrës, njerkut dhe njerkës.

Personat e tjerë
Sipas projektligjit do të konfiskohet pasuria edhe e personave të tjerë fizikë ose juridikë, për të cilët ka të dhëna të mjaftueshme se pasuritë ose veprimtaritë e tyre zotërohen, pjesërisht ose plotësisht, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, a janë përdorur, kanë lehtësuar apo në një formë kanë ndikuar në kryerjen e veprimtarive të jashtëligjshme nga personat e akuzuar për korrupsion dhe vepra të tjera penale.

Në fushën zbatimi të Antimafias, përpos korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, është përfshirë edhe ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. 

antimafia


Disa nga nenet e ndryshuara të ligjit Antimafia
Neni 3 ndryshon si më poshtë:

1. Dispozitat e këtij ligji zbatohen për pasuritë e personave, që zotërohen plotësisht ose pjesërisht, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo, siç përcaktohet në pikën 2 të këtij neni mbi të cilët ekziston një dyshim i arsyeshëm, i bazuar në indicje, për:

a) Pjesëmarrje dhe kryerje të krimeve nga banda e armatosur, organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal, të parashikuara nga kreu XI i Kodit Penal;

b) Pjesëmarrje dhe kryerje e krimeve nga organizata terroriste dhe krimeve për qëllime terroriste, parashikuar nga kreu VII i Kodit Penal;

c) Kryerjen e krimeve të parashikuara në nenet 109, 109/b, 110/a, 128/b, 278/a, 282/a, 283, 283/a dhe 284/a të Kodit Penal;

ç) pastrim i produkteve të veprës penale, parashikuar nga 287 i Kodit Penal;

d) Kryerjen e krimeve të parashikuara në nenet 164/a, 164/b, 183, 244, 244/a, 245, 245/1, 248, 256, 257, 257/a, 258, 259, 259/a, 260, 312, 319, 319/a, 319/b, 319/c, 319/ç, 319/d, 319/dh dhe 319/e të Kodit Penal, në rastet kur ekzistojnë indicje për përfitim pasuror të paligjshëm.
 
2. Dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe ndaj pasurive të personave të përmendur në pikën 1 të këtij neni, në pronësi ose të zotëruara në mënyrë indirekte nga:

a) Personat e  afërm (bashkëshorti, fëmijët, të paralindurit, të paslindurit, vëllezërit, motrat, bashkëjetuesi) të subjekteve të pikës 1 të këtij neni për të cilët prezumohet regjistrimi i rremë, përveçse kur provohet e kundërta;

b) Personave fizikë ose juridikë, për të cilët ka të dhëna të mjaftueshme se pasuritë ose veprimtaritë e tyre zotërohen, pjesërisht ose plotësisht, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, a janë përdorur, kanë lehtësuar apo në një formë kanë ndikuar në kryerjen e veprimtarive të jashtëligjshme nga personat e parashikuar në pikën 1 të këtij neni.

c) Të dhënat e mjaftueshme që pasuritë ose veprimtaritë e personit fizik ose juridik zotërohen, pjesërisht ose plotësisht, në mënyrë indirekte, nga personat e përmendur në pikën 1 të këtij neni, nxirren:

i- Nga marrëdhënia ndërmjet personit fizik dhe juridik me personat e parashikuar në pikën 1 të këtij neni;

ii- Nga fakti që personi fizik ose juridik ka pasuri ose të ardhura që nuk përputhen dukshëm me nivelin e të ardhurave, fitimeve ose veprimtarive të ligjshme të deklaruara dhe as nuk përligjen prej tyre;

iii- Nga rrethana të tjera të dobishme.
 
Neni 11
Pjesa hyrëse e pikës 1 të nenit 11 ndryshon si më poshtë: “Me kërkesë të arsyetuar të prokurorit, gjykata vendos sekuestrimin e pasurive në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo, në pronësi të plotë ose të pjesshme të personave, sipas nenit 3, pika 1 të këtij ligji, kur ekziston një dyshim i arsyeshëm, i bazuar në indicje, që tregon se personi mund të jetë i përfshirë në veprimtari kriminale dhe zotëron pasuri apo të ardhura, që nuk i përgjigjen dukshëm nivelit të të ardhurave, fitimeve apo veprimtarive të ligjshme, të deklaruara dhe as nuk përligjen prej tyre dhe kur:”
 
Neni 13
Pas nenit 12 shtohen nenet 12/a dhe 12/b me ketë përmbajtje: Sekuestrimi ose konfiskimi i pasurisë së barasvlershme.

1. Nëse personi kundër të cilit propozohet masa shpërndan, transferon, shpërdoron, fsheh ose zhvlerëson pasuritë, me qëllimin për të shmangur ekzekutimin e masës së sekuestrimit ose konfiskimit të pasurisë, sekuestrimi dhe konfiskimi mund të vendosen mbi mjete monetare ose mbi çdo pasuri tjetër me vlerë të njëjtë.

2. E njëjta procedurë zbatohet kur pasuritë nuk mund të konfiskohen, për shkak se përpara sekuestrimit ato u transferohen palëve të treta, edhe kur veprimi kryhet në mirëbesim.
 
Neni 22
Në nenin 22 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:

1. Në pikën 1, togfjalëshi “Kodit të Procedurës Civile” zëvendësohet me togfjalëshin “Kodit të Procedurës Penale”.

2. Në pikën 2, pas shprehjes “është larguar jashtë”, vendoset fjala “shtetit”. Pas shprehjes “duke i caktuar atij një” shtohet fjala “mbrojtës”. Fjalia e fundit e pikës 2 fillon me fjalën “Mbrojtësi”.

3. Në pikën 5 shkronja a, pas shprehjes “kundër personave të afërm”, shtohet në kllapa “bashkëshorti, fëmijët, të paralindurit, të paslindurit, vëllezërit, motrat, xhaxhallarët/dajat, hallat/tezet, nipërit/mbesat, fëmijët e vëllezërve dhe motrave, vjehrri, vjehrra, dhëndri, nusja, kunata, kunati, bashkëjetuesi, thjeshtëri, thjeshtra, njerku dhe njerka”.
 
dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Gol dhe asist i Sakas, Arsenal e nis me shkëlqim Premier League! Slot dhe Liverpool fitojnë në debutim (VIDEO)

Gol dhe asist i Sakas, Arsenal e nis me shkëlqim Premier League! Slot dhe Liverpool fitojnë në debutim (VIDEO)