Gëzim Ndoka, vëllai i ish-deputetit socialist Arben Ndoka, dhe djali i tij 20-vjeçar, Kevin Ndoka, janë shpallur në kërkim policor, u përfshinë në një rast dhune në një lokal gjatë orëve të mesditës në Lezhë

Si pasojë e konfliktit, i cili sipas policisë nisi për motive të dobëta, mbetën të dëmtuar dy kushërinjtë Gjergj dhe Nikolin Marku, të dy 41 vjeç. Pasi morën ndihmën e parë mjekësore në spital, të dy u paraqitën në Komisariatin e Policisë së Lezhës ku pretenduan se babë e bir, Gëzim e Kevin Ndoka, ishin të armatosur dhe se i qëlluan me sende të forta në kokë, përfshirë me qytën e pistoletës, sapo hynë në lokal. 

Vëllai dhe nipi i ish-deputetit Ndoka janë shpallur në kërkim nga policia, ndërsa mësohet se po kryhen kontrolle për kapjen e tyre. 

Mes palëve dyshohet të ketë pasur një konflikt të mëhershëm, që siç Report Tv mëson, Ndokajt, u janë shprehur kushërinjve me fjalët: mos ngrini zërin

Policia po vijon hetimet për zbardhjen e dinamikës së plotë, mbledhjen e dëshmive në lokal dhe sekuestrimin e pamjeve të kamerave të sigurisë në zonë.

Njoftimi i policisë

Lezhë/Informacion paraprak

Rreth orës 12:30, në ambientet e një lokali në Lezhë, shtetasit Gj. M., 41 vjeç dhe N. M., 41 vjeç (kushërinj), dyshohet se janë konfliktuar për motive të dobëta, me shtetasit G. N., rreth 53 vjeç dhe K. N., rreth 20 vjeç (babë e bir).

Si pasojë janë dëmtuar shtetasit Gj. M. dhe N. M., të cilët pasi kanë marrë asistencën e nevojshme mjekësore, janë paraqitur në ambientet e Komisariatit, ku kanë pretenduar se shtetasit G. N. dhe K. N. kanë qenë të armatosur.

Vijojnë kërkime intensive për kapjen e shtetasve G. N. dhe K. N., si dhe një grup i posaçëm hetimor po punon në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, për të zbardhur dhe dokumentuar të gjitha rrethanat e këtij rasti.

Ish deputeti Arben Ndoka është një ndër 27 personar e dërguar për gjykim nga SPAK, në lidhje me operacionin "Revanshi", i akuzuar për tentativë vrasje.

Sipas SPAK,  gjatë vitit 2020, Arben Ndoka dhe dhëndri i tij Arian Turku, si drejtues të një grupi të strukturuar kriminal, siguruan kushtet dhe mjetet për të vrarë Durim dhe Valter Bami. Ish-deputeti besonte se ata fshiheshin pas vrasjes së vëllait të tij.

Për këto ngjarje, ato bashkëpunuan me Ervis Martinaj, Samuel Ndokën (nipi i ish-deputetit), Jozi Kraja, Aldo Avdylaj dhe Marklen Haka. Për të realizuar vrasjen e Durim Bamit, u përfshi edhe Martinaj, bosi i zhdukur i lojërave të fatit, i cili pavarësisht se angazhoi disa persona nuk ia doli ta eleminojë.

Po ashtu, Ndoka dhe Turku, bashkë me Samuel Ndokën, Vinçens Tukun, si dhe me shtetas të tjerë të paidentifikuar, planifikuan më 1 dhjetor 2020 edhe vrasjen e Aleks Ndrekës, i njohur si “Leksi i Druve”, e cila mbeti në tentativë. Më 3 Korrik 2020, sipas SPAK, ndihmuan në hyrjen e paligjshme të Aldo (Elidon) Avdylit nga Mali i Zi.