Kashmiri për më shumë se 60 vjet vazhdon ende të jetë pengesë në marrëdhëniet mes Pakistanit dhe Indisë. Trupat indiane dhe pakistaneze kanë shkëmbyer zjarr përgjatë asaj që quhet “vija e kontrollit” në rajonin e diskutuar të Kashmirit.

Pakistani akuzoi Indinë se trupat e saj kishin sulmuar një postë ushtarake në një zonë të Kashmirit të administruar nga Islamabadi duke vrarë një ushtar dhe plagosur një tjetër. Ndërkohë një zëdhënës i ushtrisë indiane tha se kishin qenë ushtarët pakistanezë ata që shkelën armëpushimin duke hapur zjarr në një postë ushtarake indiane pranë zonës neutrale.

Lufta mes Indisë dhe Pakistanit në vitin 1947, njihet si lufta e parë e Kashmirit ndër katër luftërat ndërmjet dy vendeve që sapo kishin fituar pavarësinë. Lufta e parë përfundoi më 1 Janar 1949 kur me ndërmjetësinë e Kombeve të Bashkuara, dy shtetet arritën një marrëveshje armëpushimi. Aty ku trupat ndaluan luftën, u vu një Vijë Armëpushimi quajtur më vone Vija e Kontrollit, India mori nën kontroll pjesën në lindje të vijës kurse Pakistani, pjesën në perëndim. Mijëra njerëz, shumica prej tyre civilë kanë vdekur gjatë këtij konflikti.

(lc/Gre.M/Shqiptarja.com)