TIRANE - Në ditën e pestë të grevës së urisë, sa vjen e përkeqësohet shëndeti i banorëve të cilët prej 25 prillit refuzojnë të ushqehen, si e vetmja rrugë e gjetur nga ata për të sensibilizuar institucionet e shtetit por dhe ambasadat për hallin që i ka gjetur.

Pas nxjerrjes dhe dhunë nga apartamentet ku jetonin me dhjetra vite, tani nuk kanë ku të shkojnë.

Godina 3 katëshe tek rruga "Margarita Tutulani" është boshatisur me dhunë nga Zyra e Përmbarimit me ndihmën e policisë private dhe të shtetit, pasi me një vendim gjyqësor duhet t'i kthehet pronarit, por familjarët thonë se ky pronar është fantazëm dhe ka arritur ta fitojë gjyqin me dokumente të falsifikuara.

Ata kërkojnë rihapjen e procesit gjyqësor për apartamentet e tyre, ose ndihmë nga shteti duke i strehuar diku, pasi nuk mund të përballojnë kredi, apo qira.

 Aktualisht godina vazhdon të ruhet nga policë të cilët nuk lejojnë të futet asnjeri, ndërsa 10 banorë vazhdojnë grevën e urisë në oborrin prapa godinës. Një ambient i improvizuar, me dyshekë në tokë,  dhe një pankartë të madhe ku shkruhet: "Mos na dhunoni." 

Grevës së urisë sot i është bashkuar dhe Eduard Muho, një 47 vjeçar, invalid i cili nuk banon në një nga apartamentet e boshatisura me dhunë, por në një tjetër. Pas disa ditësh Muho rrezikon të ketë të njëjtin fat. Do nxirret jashtë nga Përmbaruesit pasi shtëpia e tij, pranë ambasadës greke, do i kthehet ish pronarit.

”Dje kam ardhur nga Italia pasi kam bërë protezën atje, jam invalid i grupit të katërt. Kam humbur njërën këmbë. Unë i humbur se i humbur jam"- thotë banori në një prononcim për gazetaren e Tv  A1REPORT! Drilona Nokshiqi.
Aktualisht në grevë janë 10 banorë por Drilona informon se pritet të tjerë banorë dhe familjarë të solidarizohen me ta.

Gjendja shëndetësore e dy prej banorëve Mirelës dhe Sajmiri paraqitet më e rëndë pasi kanë patur luhatje tensioni. Ndërsa sot ambulanca ka vizituar ata duke mbajtur nën kontroll gjendjen e tyre shëndetësore.

(ad.ti/sg/shqiptarja.com)