Zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme ku ndodhen mbi 3000 shqiptarë, kanë nxitur opozitën në Kuvend të kërkojë një seancë dëgjimore me kryeministrin Edi Rama.  Deputetët e Partisë Demokratike në Komisionin për Çështjet Europiane dhe Politikën e Jashtme kanë kërkuar mbledhje urgjente në një kërkesë që i drejtohet kryetarit të komisionit, Igli Hasani. Deputetët Albana Vokshi, Tomor Alizoti, Vangjel Dule, Igli Cara e të tjerë propozojnë që më 9 mars 2026 të zhvillohet një seancë ku Rama të informojë mbi situatën dhe masat që janë marrë nga qeveria. 

Kërkesa e plotë e deputetëve të Partisë Demokratike drejtuar Komisionit për  Çështjet Europiane dhe Politikën e Jashtme

“Ne, një grup deputetësh, anëtarë të Komisionit për Çështjet Europiane dhe Politikën e Jashtme, kemi ndjekur me shqetësim zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe përshkallëzimin e sulmeve në rajon. Duke pasur parasysh zhvillimet e shpejta dhe të paparashikueshme në atë zonë dhe mundësinë e një përshkallëzimi të mëtejshëm të situatës, në mbështetje të nenit 32, pika 2 dhe nenit 36, pika 1 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë mbledhjen e Komisionit për Çështjet Europiane dhe Politikën e Jashtme në një seancë dëgjimore me Kryeministrin Edi Rama më datë 9 mars 2026. Qëllimi i kësaj seance është informimi mbi masat e marra për sigurinë e jetës së shtetasve shqiptarë që jetojnë në zonat e rrezikuara, si dhe mbi vlerësimin e rrezikut që mund t’i kanoset vendit tonë dhe nivelin e bashkëpunimit me aleatët përballë këtyre rrethanave.”

Kërkesa vjen një ditë pasi kryeministri Edi Rama komunkoi me të gjithë ambasadorët e Shqipërisë në vendet e prekura nga konflikti në Lindjen e Mesme, të cilëve u ka kërkuar angazhim për garantimin e sigurisë së shtetasve shqiptarë si dhe komunikim të vazhdueshëm me çdo shqiptar që gjendet në këto vende për menaxhimin e kërkesave dhe nevojave të tyre.