Pas përplasjeve në distancë mes ambasadës ruse dhe ambasadës së SHBA-së në Shqipëri për lirimin nga burgu të udhëheqësit të opozitës ruse Alexey Navalny, ambasadorja Yuri Kim ka përcjellë një mesazh të dytë ndaj Rusisë.

Në një postim në faqen zyrtare në Twitter, Kim thekson se SHBA, do të vazhdojë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainën Lindore. Sanksionet ndaj Rusisë Kim thotë se do t'i mbajnë derisa ajo të përfundojë okupimin e Krimesë dhe agresionin e saj në Ukrainë.

Kim ka përshëndetur qëndrimin e Sekretares së Energjisë, Jennifer Granholm në lidhje me qëndrimin e SHBA-ve për konfliktin në Krime.

 “Siç tha edhe Sekretarja e Energjisë Jennifer Granholm në Forumin e Krimesë; “Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona diplomatike me aleatët dhe partnerët për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainën lindore. Ne do t’i mbajmë sanksionet ndaj Rusisë derisa ajo të përfundojë okupimin e Krimesë dhe agresionin e saj në Ukrainë”, shkruan Kim, ndërsa ka shpërndarë edhe një reagim të ministres për marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila ishte dje në samitin e Platformës së Krimesë në Kiev.

Pas thirrjes që ambasada e SHBA-së në Tiranë i bëri dje Rusisë, për të liruar nga burgu Alexey Navalny, ka ardhur edhe reagimi i ambasadës ruse, ku e cilësojnë këtë të fundit si ‘bloger’. Ambasada ruse në Tiranë në një shkrim në mediat sociale thotë se ‘blogeri’ Navalny, nuk është aspak një lidër opozite, sepse sipas tyre nuk përfaqëson asnjë parti politike dhe nuk shërben si “pasqyrë” që reflekton aspiratat e popullit shumëkombësh të Rusisë.