TIRANE -Kryetari i Bashkisë së Tiranës do të shqyrtojë brenda 24 orësh sesa i përmbush kushtet ligjore, vendimi i Përmbarimit, “proforma”, për godinën që kërkohet të lirohet nga banorët në rrugën "Margarita Tutulani".  Kryebashkiaku ka premtuar se nëse vendimi i Përmbarimit nuk do rezultojë konform ligjit, atëherë banorët do të kthehen në gjendjen e mëparshme.

"Në rast se “proforma” e Përmbarimit është e rregullt, atëherë Bashkia e Tiranës do t’i ndihmojë në një periudhë tranicioni prej 3-4 muajsh, me njërën prej tri programeve që disponon: Banesa sociale, kredi të buta ose bonusin e qerasë”, - përfundoi Basha.

Kryebashkiaku i Tiranës i nisi negociatat sot rreth orës 15:30 me banorët e futur në grevë urie,  pas rreth 3 ditësh përplasje me policinë private.

Po sot, tek banorët ka shkuar edhe Avokati i Popullit, Igli Totozani, i cili që vuti në dukje faktin se më në fund bashkia e pranoi realitetin. Realiteti ka të bëjë me efektet e aktit normativ dhe banorët pretendojnë se s'janë pjesë e aktit normativ". Avokati premtoi se do ta ndjekë çështjen. 

Zyra e Përmbarimit tentoi të lirojë banesën, për t'ia kthyer atë ish- pronarit, i cili kishte fituar procesin gjyqësor. Gjatë nxjerrjes nga banesa pati dhe përleshje mes policisë private dhe banorëve si dhe u qëllua me armë manovër në ajër. Vetë banorët deklarojnë se banesa ka pronarë të dyshimtë, pasi është shfaqur edhe një tjetër për të kërkuar këtë pronë.

Sot në mëngjes nga greva dolën një grua 37 vjeçe dhe një burrë rreth 60 vjeç pasi patën luhatje tensioni. Dy grevistët janë dërguar në urgjencën e QSUT-së. Aktualisht në grevë urie janë 9 persona, 4 gra dhe 5 meshkuj

ORA 16:00 EDHE AVOKATI I POPULLIT, TEK GREVISTET

Pasdite, tek banorët ka shkuar edhe Avokati i Popullit, Igli Totozani, i cili që vuti në dukje faktin se më në fund bashkia e pranoi realitetin. Realiteti ka të bëjë me efektet e aktit normativ dhe banorët pretendojnë se s'janë pjesë e aktit normativ". Avokati premtoi se do ta ndjekë çështjen e tyre. 

ORA 15:50 PAS TAKIMIT ME BASHEN, RENDOHET GJENDJA FIZIKE E BANOREVE

Një prej grave nismëtare të grevës së urisë, kalon në gjendje të fikti për shkak të stresit të ditëve, lodhjes dhe sëmundjes. Ambulanca u njoftua por ardhja e saj nuk dukej.  

ORA 15:30 KRYEBASHKIAKU BASHA NEGOCION PAQESISHT ME BANORËT NË GREVË
Kryebashkiaku i Tiranë po negociuar sot me banorët e futur në grevë urie për nxjerrjen nga banesa e ish-pronarit. Basha ka afruar nëj zgjedhje të pjesshme të problemin e tyre, duke afruar pagesën e qerasë për 10 prej familjeve për disa muaj. Biseda mes tij dhe banorëve, që ka nisur qetë, është duke vazhduar.


ORA 12:00 GREVISTET: PROCESI GJYQESORE PREJ 22 VITESH 
Ndërkohë një tjetër grevist thotë se proçesi gjyqësor për dokumentat e banesave ka 22 viteve që zvarritet.
“Dokumentat që posedojmë dhe jo personalet, por ato të shtetit tregojnë që jemi pronarë. Prej 1992 ne jemi nëpër gjykata dhe nuk po gjejmë të drejtën tonë. Pronari duke mos e patur që ta kishte nën posedim këtë pronë me proçese gjyqësore, ka vazhuar 22 vjet ky proçes gjyqësor. Unë vetë jam ndër pronarët më të mëdhenj që ka Shqipëria. Unë garantoj me dokumentat që kam, pallat i cili dallohet që është pallat Italian. Nga origjina e pronës, nuk i lejoheshin shitjet një personi të tretë. Nuk bëhet fjalë që të ketë person të tretë. Ne kërkojmë që të dali e drejta jonë. Ne jemi një vend që presim të integrohemi në Europë. Kjo situatë nuk është në interes të shtetit. Ne i jemi drejtuar edhe ambasadës italiane për të zbardhur dokumentat dhe të nxjerri uzurpuesin dhe kriminelin që ka nxjerrë banorët në rrugë. Rezistenca jonë do jetë deri në flijim”.

ORA 10:00 BANORET KALOJNE NATEN JASHTE

Gjatë paradites së sotme grevitët janë shprehur të vendosur për ta quar deri në fund grevën e tyre. Ata kërkojnë rihapjen e dosjes gjyqësore për cështjen e pallatit të tyre pasi pronari që kërkon t’i nxjerrë nga shtëpitë e tyre është një person fantazëm dhe nuk është pronari i vërtetë.

“Ishte një natë e gjatë e vështirë. Nuk kemi përkrahje. As kredi nuk na japin sepse nuk plotësojmë kushtet, strehim social nuk na kanë ofruar. Ne kërkojmë të hapen dhe njëherë dokumentat. Personi nuk është pronari i vërtetë por një person fantazëm”.- thotë një vazjë e cila i është bashkuar grevës së urisë.
"Nuk dal nga kjo grevë sepse nuk kam ku të shkoj. Po dola që këtej jam e vdekur. Ta marri vesh gjithë bota çfarë po ndodh me ne, na ka masakruar shteti, na kanë shkatërruar shtëpitë, na kanë degjeneruar. Ai nuk është pronari i vërtetë, ai duhet të futet në burg. Unë shtëpinë time do ta mbroj me të gjitha të drejtat”, thotë një tjetër greviste.

PSE NISI GREVA E URISE
Për më shumë se 48 orë, kanë kaluar në rrugë të madhe. Kanë kërkuar ndihmë nga shteti për një strehë, por askush nuk u është përgjigjigjur. Të nxjerrë në rrugë, forcërisht e nën krismat e armëve, nga banesa që në të gjitha dokumentet figuron pronë e tyre, bashkë me truallin, banorët e 13 familjeve nuk kanë gjetur rrugë tjetër veçse grevës së urisë.

Greva e banorëve ka nisur rreth orës 17.00, të pasdites së djeshme (25 prill) në pjesën e pasme të pallatit trekatësh, aty ku kishin lënë plaçkat e nxjerra nga shtëpitë. Nga 4 banorë të cilët e nisën dje pasdite grevën e urisë, në shenjë revolte, si dhe e vetmja zgjidhje e gjetur prej tyre për t’i ndihmuar dikush dje në mbrëmje ishin 15 vetë. Ata kërkojnë vetëm strehë. I bëjnë thirrje shtetit të ndërhyjë “meqë shtëpitë jua morën gjykatat e korruptuara, pasi atij që ia dhanë pronësinë, nuk është pronari i vërtetë”.

“Greva fillimisht nisi me 4 persona, ndërsa në mbrëmje ata ishin 15. Policia private ndodhet këtu, uniformat blu të komisariatit 2 janë të pozicionuar këtë zonë”- raportonte mbrëmë rreth orës 23:00 Arsen Rusta nga rruga “Margarita Tutulani”. 

"Familja ime ka 72 vjet që jeton këtu. Nuk kam ku të shkoj më mirë të vdes. “- thotë një grua. “Gjallë në botë nuk dal” thotë një burrë, i cili si mban dot lotët. ”Unë kam lindur këtu dhe ju betohem se mund të vdes këtu. “ Ndërkohë, në mbrëmje, pranë grevistëve ka shkuar dhe deputeti socialist, Saimir Tahiri, i cili iu ka deklaruar banorëve, se shteti duhet t’i ndihmojë dhe jo t’i lërë në mëshirë të fatit.

BANORET KERKOJNE NDIHME

“Nuk kërkojmë asgjë veç një shtëpie. Edhe pse na nxorrën pa të drejtë nga këtu, pasi është prona jonë, të na sigurojë nga nje strehë, nga një apartament”, ka thënë një grua, e cila ishte në grupin e parë të grevistëve të urisë. “Ne jashtë se jashtë kemi fjetur dy netët e para, kështu do vazhdojmë të flemë, jashtë dhe pa ngrënë, derisa të vendoset drejtësi”, ka thënë një tjetër greviste, duke thënë, se nuk do lejonin t’ua vidhnin shtëpitë. Të pranishëm për të mbështetur grevën e tyre, kanë qenë dy komisionerë të Avokatit të Popullit.

Gratë e burrat të vendosur për të mbrojtur banesat e tyre në këtë mënyrë, kanë deklaruar se nuk do të dalin gjallë nga greva, pa fituar të drejtën e tyre. “I bëj apel shtetit, Avokatit të Popullit, ambasadorit amerikan, ambasadve të akredituar në Shqipëri, të na ndihmojë, se jemi në rrugë të madhe. Unë jam me dy fëmijë, me një burrë të sëmurë, ku të shkoj? Më mirë të vdes këtu”, shprehet mes lotëve Mirela. Mbrëmë banorët kanë vijuar grevën, ndërsa po tentohet të nxirren jashtë nga policia. Sipas gazetarit që ndodhej në vendngjarje, policia private dhe policia e shtetit po tentojnë të mos lejojnë banorët të qëndrojnë në grevë. Ndërsa banorët në grevë kanë mbyllur derën e një rrethimi me hekura, nga pjesa e pasme e godinës dhe nuk lejojnë askënd të futet aty, veç banorëve të tjerë që i bashkangjiten grevës.
Ndërsa një tjetër problem duket se u ka dalë dje familjeve greviste, të cilët u nxorrën me forcë nga banesa. Dy zonja nga Berati janë shfaqur dje teksa me dokumentacion tregojnë, se ato janë pronaret e vërteteta të objektit. “Une jam e bija Jakup Shalsit. Na ktheni pronat, kemi dokumentat. Kam letrat nga babai. Na ka vrarë Enveri, mos na vrisni dhe njëherë”, thanë gratë, ndërsa personi që i nxorri me përmbarim 16 familjet, është një tjetër berats, me mbiemër Çala.
(sg/shqiptarja.com)