Në një kohë kur tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës sa shtohen , e po ashtu edhe rreziku i një pushtimi rus, Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar sot një takim me Ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major Bajram Begaj.
Me një postim në Facebook, Meta shkruan se në takim theksoi rëndësinë e koordinimit sa më të efektshëm me NATO-n e po ashtu edhe marrjen e masave për forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse.
"Prita sot në një takim Ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major Bajram Begaj. Ndamë shqetësimin e përbashkët me të gjithë partnerët tanë të NATO-s për kërcënimin e një agresioni të mundshëm rus ndaj Ukrainës, që do të ishte një shkelje flagrante e të drejtës ndërkombëtare. Nënvizova rëndësinë e koordinimit sa më të efektshëm me Aleancën, si dhe marrjen e masave për vijimin e reformave në funksion të forcimit të mëtejshëm të kapaciteteve tona mbrojtëse. Në këtë kontekst, u vlerësua edhe plotësimi dhe fuqizimi i gjithë zinxhirit komandues në Forcat e Armatosura, në përputhje me sistemin gradë-funksion", shkruan Meta.
Teksa tensionet janë shtuar, SHBA i ka bërë thirrje qytetarëve të saj që të largohen sa më parë nga Ukraina për shkak të "shtimit të rrezikut për veprime ushtarake ruse". Rusia mohon të jetë duke planifikuar një sulm ndaj Ukrainës, por ka grumbulluar dhjetëra mijëra trupa në kufirin e saj me vendin fqinj.