Kongresi i PS, Rama falenderon
Nanon, mesazh kundërshtarëve

Kongresi i PS, Rama falenderon<br />Nanon, mesazh kundërshtarëve
TIRANË -  Kryesocialisti Edi Rama ka falenderuar publikisht paraardhësin e tij, liderin e parë të Partisë Socialiste Fatos Nano, i cili pavarësisht ftesës zgjodhi të mos ishte i pranishëm në Kongresin e Partisë Socialiste. Kreu i qeverisë vlerësoi kontributin e tij të veçantë në demokratizimin e partisë, dhe tha se pavarësisht qëndrimeve të ndryshme, historia e kësaj partie nuk mund të ndahet në dy pjesë. Ai i bëri një tjetër ftesë publike, kur tha se uron ta ketë në krah në kremtimin e 25-vjetorit të Partisë Socialiste.

"I bëj një falenderim në distancë edhe paraardhësit tim, liderit të parë të kësaj partie Fatos Nanos. Dëshiroj t'na bashkohet kur të vijë dita e kremtimeve të 25-vjetorit dhe uroj të gjejë deri atë ditë fjalët e duhura për kontributin e tij në forcimin e karakterit demokratik të PS-së. Çfarë na ka ndarë me të nuk e ndan dot më dysh historinë e kësaj partie", u shpreh Rama. 

Fjala e kryesocialistit Edi Rama në Kongres nisi me një perifrazim të shkurtër për pritshmëritë e deputetëve brenda partisë të radhitur krah Ben Blushit, i cili ka shpallur kandidaturën për kryetar të PS-së nëse do të vendoset të mbahen zgjedhje

“Ka në pakicë shumë të vogël këtu, që nga ky Kongres pret të gjejë sesi do t’i bëhet hallit statutor të mandatit tim dhe sipas tyre, unë këtu sot jam i pazgjedhur”, tha Rama. Por ai "qetësoi" kur tha se kjo çështje do të diskutohet hapur në pjesën e tretë të Kongresit. 

Gjatë fjalës së tij në Kongresin e partisë Rama i dërgoi edhe një mesazh kundërshtarëve politike jashtë partisë që presin që në këtë takim të ndodhë ndonjë incident ose përplasje brenda partisë.

"Jashtë kësaj shtëpie ka plot forca dhe njerëz që presin me interes çdo të ndodhë në këtë kongres, shumë prej tyre urojnë të na ndodh sot ndonjë gjë e ububujshme, qoftë të përmbyset dhe një gotë e vetme e të bëhet lajm se anija jonë u mbyt, po fatkeqësisht për ta do të zhgënjehen, do të dalim më të gatshëm për të përmirësuar rrugën tonë për të çuar para reformat tona, më të motivuar për të arritur numerikisht, fuqizuar moralisht dhe politikisht forcën udhëheqëse të vendit, Partinë Socialiste. S'ka rëndësi si do zhgënjehen ata që s'na duan, por rëndësi ka qe e kanë vëmendjen tek ky kongres", u shpreh kryeministri Rama. 

edi rama
Foto të tjera

Po ashtu, me një falenderim të veçantë Rama ju drejtua edhe aleatit të tij më të madh në koalicionin qeveritar, kreut të LSI-së llir Meta. Shefi i mazhorancës tha se kujtimet e këqija në marrëdhënien e dy forcave të majta politike, janë lënë pas nga vlera që ribashkimi i PS-së dhe LSI-së ka marrë tashmë me kthimin e Shqipërisë në drejtimin e duhur. Rama i referohet në këtë deklaratë, kalimit të LSI-së në koalicion me të djathtët kur qeverisi deri para 2013-ës me Sali Berishën.

"Falenderoj Ilir Metën bashkëkryetarin e aleancës. Nuk kemi kujtime të mira mes nesh, dy pjesë të kësaj familje të bashkuar nuk janë çliruar nga pesha e së kaluar por kam bindjen se mbi barrën e gabimeve të shkuara është vlera e bashkimit tonë që e ktheu Shqipërinë në drejtimin e duhur", u shpreh Rama.



Falenderimin e parë Rama ja dedikoi kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçit. Duke mos ja dëgjuar sërish këshillën, që siç tha ai e bën shpesh, Rama tha se do të falenderonte një më një kontribuesit në forcimin e partisë, edhe pse dikujt që mund t'i harronte emrin mund të mërzitej.

"Ruçi më thotë: Kujdes kur lëvdon me emra se hatërmbetja e atij që i harron emrin s'ia vlen gëzimit të atij që përmend. Po t'ia kisha dëgjuar të gjitha këshillat Gramozit do isha bërë edhe unë një burrë po aq i urtë sa ai e minimalisht s'do e mbaja në krah të djathtë për të më ndihmuar për të gabuar sa më pak e pastaj për të mi numëruar gabimet e mia. Edhe po të doja i dashur Gramoz sot nuk më lejohet të mos falenderoj me emër ty të parin. Për dy gjera; Ke qenë gjithmonë në anë e duhur të historisë së kësaj partie duke ushqyer karakterin demokratike të saj. Ke qenë një mbështetje shumë inkurajuese në momente të vështira dhe gjykatës i rreptë në momente të mira", u shpreh kryesocialisti.

rama

Vlerësime specifike Rama ndau edhe për figurat që ai i quan veteranë të Partisë Socialiste: "Falenderime për brezin e ri të veteranëve nga profesor Serveti i papërtuar, tek Majko i pakonkurrueshëm në befasitë që na bën, nga Namiku që di të inatoset pa mbajtur inat, tek Braçe që për inat të te gjithëve është socialisti më i paepur, nga Arta që nuk njeh perëndim te Fino që s'njeh zili, me radhë tek të tjerët. Ndjesë nëse harrova ndonjërin. Falenderim në distancë edhe për Dritëroin, jam i bindur se i pamundur për të qenë fizikisht këtu me ne, ai po na ndjek nga ekrani"

Një pjesë të rëndësishme në fjalën e shefit të mazhorancës në kongresin e PS-së e zuri edhe vlerësimi për reformat e ndërmarra deri më tani nga qeveria, dhe në sfidat për të mbajtur të gjitha premtimet elektorale të paktën edhe në dy vitet e tjera të mandatit qeverisës. Rama tha se fitoret e arritura nuk duhet të sjellin vetëkënaqësi, por sipas tij, qeveria "duhet të vazhdojë para me kokën ulur se shqiptarët presin edhe më shumë".

"Ata që janë të shqetësuar dhe ngrenë ankesa që shprehin ankth dhe padurim janë edhe më shumë. Ata janë në të drejtën e tyre, ne nuk kemi të drejtë të ankohemi në padurimin e tyre. Arsyeja pse na votuan masivisht ishte besimi se drejtimi ynë do të sillte shumë më shpejt objektivisht se ç'është e mundur atë që presin prej vitesh të ndodhë. Ne mbajtëm shënim çdo pakënaqësi të tyre", u shpreh Rama.

Por qeveria e vjetër, nga ana tjetër, sipas kryeministrit, ka mbetur aty ku ra, në 23 qershor të 2013-ës dhe nga aty - theksoi ai- përbalt arritjet e qeverisë dhe harron të bëjë një opozitë të fortë me program.  

"Plagët kërkojnë kurë dhe shqiptarët kërkojnë zgjidhje, dhe nga aty qevria e rënë bën dum në baltën e saj. ata nuk bëhen dot opozita që i mungon vendit, s'kanë as një program në kokë jo më në letër, por kanë kurajën për të qëlluar me baltën e shpifjes. S'kemi bërë asnjë padrejtësi të qëllimshëm në dëm të interesave kombëtare, të popullit dhe çdo individi. Nuk kemi shitur ne ndonjë cop territori për ndonjë përfitim mizerabël politik, nuk kemi marrë jetës fëmijësh për tu pasuruar për të shitur municione, nuk kemi nxjerrë armët për të derdhur fishekë ndaj njerëzve që protestojnë, s'kemi dhënë ne koncesione për të pasuruar kompani të dyshimta private të lidhura pas oborrit të qeveritarëve", u shpreh kryesocialisti Edi Rama. 

...
Një nga suprizat e Kongresit të PS erdhi që në nisje të tij. Nderi i çeljes së ceremonisë i’u bë kryebashkiakut Erion Veliaj ndryshe nga sa ishte parashikuar në axhendën e bërë publike një ditë më parë. President i PSE, politikani bullgar Sergei Stanishev tha se Kongresi i PS-së është momenti i së vërtetës. Ai tha se PS tha ndër të tjera se PS është një parti me rrënjë të thella se ndryshe nuk do ti rezistonte regjimit totalitar të Sali Berishës,
 
Në fjalën e tij të hapjes Veliaj falenderoi të gjithë të pranishmit dhe i ftojë të bëhen pjesë e një diskutimi të vlefshëm për nga vetë impakti që ai do të ketë më vonë në të gjithë Republikën e Shqipërisë.

Fjalimi i plotë në Kongres i kryetarit të PS, Edi Rama

KM
rame meta
veliaj
Foto të tjera

Zhvillimet e kongresit minutë pas minute

Ora 17:00 
Dade: Dështuam ta çojmë Berishën para drejtësisë, të hapet gara në PS 
Deputetja socialiste, që së fundi ka folur hapur për kundërshtitë e saj me kryetarin e partisë Socialiste Edi Rama, teksa ka folur në Kongresin e PS-së, duke u ndalur tek partia që përfaqëson, Dade ka theksuar se, duhet patjetër që të hapet gara në Partinë Socialiste.

Pika jonë e referimit është programi ynë, është e majta axhenda europiane dhe matja me vetveten. Le ta nisim sot këtë sprovë të demokracisë brenda nesh. të vendosim të hapet gara për kryetarin e PS për të na drejtuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në mënyrë që PS të fitojë një mandate të dytë qeverisës në dobi të reformave të nisura” ka shtuar ajo.
 
Sipas saj, forca politike që përfaqëson ka dështuar që ta çojë Sali Berishën para drejtësisë.

Pika jonë e referimit nuk është e djeshmja, dhe as aktorët e së djeshmes. Ata dhe Berishën kemi dështuar t’i çojmë përpara drejtësisë, sëbashku me klientelën e tyre shpresojmë ta bëjmë në vitin e mbetur në mënyrë që demonstrojmë se kultura e pandëshkueshmërisë nuk është pjesa jonë” ka thënë Dade.

Ndërkohë, Dade ka theksuar se, është e udhës të bëhet edhe një bilanc i përmbushjes së përgjegjësive. Sipas saj, duhet të reflektohet se çfarë është përmbyshur sipas programit elektoral dhe kjo duhet konsoliduar.

Cfarë mund të bënim më mirë, por nuk kemi dashur ta realizonim dhe cfarë nuk kemi mund ta nisim, dhe ti dimë ne dhe publiku kjo do të na jepet më shumë besueshmëri” ka thënë Dade.



Ora 16:30 Kreu i garancive statutore Alket Hyseni: Kemi marrë vendimet e duhura
Kreu i grupit të garancive statutore në Partinë Socialiste, Alket Hyseni ka thënë se Kongresin e PS-së se, janë marrë vendimet e duhura nga struktura që drejtohet prej tij brenda partisë që përfaqëson.

Ai ka thënë se, janë shqyrtuar një numër shumë i madh ankesash e kërkesash.

Ai ka shtuar se këto kërkesa e ankesa janë bërë nga shumë degë të Partisë Socialiste në rrethe, por nuk ka përjashtuar edhe forumet e grave socialiste.

Për këto kërkesa, Hyseni ka shtuar se janë marrë vendime të drejta statutore përmes bashkëpunimit.

Nga ana e delegatëve në Kongresin e sotëm, Hyseni ka kërkuar miratimin e paketës së raportit të hartuar nga struktura që drejton.

alket hyseni

Ora 16:15   
Fatmir Xhafa: Reformën në Drejtësi nuk e duam vetëm ne, por gjithë shqiptarët
Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafa ka deklaruar në kongresin e socialistëve se Reformën në Drejtësi nuk e kërkon vetëm PS, port ë gjithë qytetarët shqiptar.

Kjo iniciativë dhe më tej ky angazhim i Partisë sonë dhe maxhorancës qeverisëse ka qenë dhe vazhdon të jetë në koherencë të plotë me dëshirat dhe interesat e qytetarëve të këtij vendi. Deri tani opinioni publik ka parë qartë se angazhimi politik dhe institucional i Partisë Socialiste në këtë reformë ka qenë serioz dhe dukshëm jashtë interesit politik edhe të vetë asaj si parti. Ndaj ne si socialistë duhet të ndihemi krenar sepse ajo çfarë kemi bërë deri më tani në lidhje me reformën në drejtësi ka justifikuar plotësisht pritshmëritë e opinionit publik dhe ka krijuar kushtet e gjithanshme që situata në sistemin e drejtësisë të ndryshoj rrënjësisht” ka thënë Xhafa.

Ai ka shtuar se, po bëhen të gjitha përpjekjet që ky proces të finalizohet në interes të qytetarit, në interes të pasjes së një sistemi drejtësie ku realisht të gjithë të ndjehen të barabartë përpara ligjit.

Xhafa ka folur edhe për nismat e ndërmarra në vite nga Partia Socialiste, për këtë çështje.

Në vitin 1998, ne i dhamë Republikës Kushtetutën e re, të miratuar me konsensus popullor. Në vitet 2003-2005, ne miratuam të parat paketa ligjore antitrafik, për luftën kundër krimit të organizuar (antimafia) dhe masat kundër terrorizmit. Në vitin 2008, edhe pse në opozitë, ne propozuam Paktin Kombëtar për Reformën në Drejtësi. Por as Pakti nuk funksionoi, as komisioni i krijuar nga Kuvendi nuk u mblodh asnjë ditë, për shkak të mungesës së vullnetit të qeverisë së Partisë Demokratike në atë kohë. Në vitin 2012 propozuam Projektin për ndryshimet kushtetuese, të cilat u rrëzuan po nga ajo qeveri jo reformatore. Në vitin 2013 me fitoren e Partisë Socialiste u krijuan kushtet që ne të fillonim të realizonim gjithë sa kishim iniciuar më parë në opozitë. Ne ishim e vetmja forcë politike që shpalosëm vizionin tonë të qartë duke i prezantuar publikut një program elektoral të plotë për reformën në drejtësi” ka shtuar ai.

Sipas tij, tashmë kjo reformë është një imperativ politik, një sipërmarrje reformuese historike për sistemin e drejtësisë, një ndryshim rrënjësor i sistemit me impakt të drejtpërdrejtë në forcimin dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës në vendin tonë. Reforma synon të ndryshojë cilësisht situatën në sistemin e drejtësisë.

Xhafa ka thënë se, duhet pranuar me keqardhje që në këto 25 vjet, korrupsioni ka prekur gjerësisht edhe segmente të tjera shtetërore. “Por nëse do të kishim një drejtësi jo të korruptuar të gjithë ata që janë dhe kanë korruptuar do të duhej të ndëshkoheshin. Por drejtësia, shtylla bazë në luftën kundër korrupsionit, vuan vetë nga kjo sëmundje”.

Xhafa tha se duhet bërë drejtësi për 21 janarin, gjyqtarët e prokurorët e korruptuar por edhe ata që nuk janë përlyer në korrupsion, ndërkohë që ka bërë edhe një rezyme të punës që ka bërë në këtë periudhë komisioni i posaçëm për hartimin e reformës në drejtësi.

xhafa

Ora 16:00 Reforma në energji, e domosdoshme, solli shndërrimin e sektorit
Ministri i Energjisë e Industrisë, Damian Gjiknuri teksa ka folur në Kongresin e Partisë Socialiste ka thënë se reforma në energji ishte e domosdoshme dhe se ajo ka sjellë shndërrimin e sektorit energjetik në vend.
 
Ky udhëtim jo i lehtë deri në këtë mes mandati, demostroi se ne Socialistët ditëm të bëjmë shtet, shpesh duke sakrifikuar edhe pushtet, aq shumë të dëshirueshëm për shumë forca politike që pushtetin e kane të vetmin qëllim në vetëvete.Une si ministër energjitikës të këtij vendi, e kam përjetuar çdo ditë në punën time, se çdo të thotë demagogji populiste me pasoja shkatërruese për vendin e mbi të gjitha për njerëzit e thjeshtë. Në emër të kësaj demagogjie shitej ëndrra e  energjisë falas, duke fshehur faturën e vërtetë të vjedhjes dhe abuzimit që binte në shumicën e popullatës.Flluska plasi dhe ëndrra mbaroi, duke ekspozuar tumorin që kishte gjunjëzuar një vend të tërë, me një borxh financiar për shkak të energjisë në 1.2 miliard dollar ose 7 % e PPB të vendit.Bashkë me të vinte fatura e 150 milion eurove në vit, nga taksat e shqipëtarëve që në vend të shkonin për shkolla, spitale e vepra të tjera me dobi shoqërore, thjesht mbyllnin gropën e energjitikës” ka thënë ai.
 
Gjiknuri iu është përgjigjur edhe kritikëve të kësaj reforme, të cilët i ka konsideruar si shkaktarët e situatës së krijuar, ndërkohë që reforma ka filluar të japë rezultatet e veta.
 
Ironikisht, të njëjtit njerëz që sot na sulmojnë në emër të të varfërve, janë shkaktarët e vërtetë të rrënimit ekonomik të mëtejshëm të kësaj shtrese, duke i privuar nga shumë të mira që normalisht shteti duhet të jua jepte por që nuk mundej më, për shkak se paratë shkonin për të mbushur gropat që kishin hapur politikat e tyre driteshkurtëra në ekonomi e kryesisht në energjitikë. Ndërmorëm reformën më të thellë strukturore, e cila ka filluar të japë rezultate e para të dukshme e të prekshme për buxhetin e shtetit e për qytetarët. Nuk qenë të paktë ata që na akuzuan për pandjeshmëri sociale kur ristrukturuam tarifat e energjisë elektrike, por sot të gjithë po e shohim se cmimi mesatar i energjisë u ul nga 9.7 në 9.5 lek për Kë/h duke sjell përfitim për pjesëm më të madhe të shoqërisë” ka vijuar ai.
 
Ai ka shtuar se,  familjet  në nevojë po kompensohen.
 
Familjeve më në nevojë dhë të gjithë shtresave të prekura nga heqja e fashës abuzive, gjithësej rreth 230 mijë konsumatorë  kompesohen me një vlerë 16 milion dollar në vit nga Buxheti Shtetit. U dhamë mundësi 360 mijë konsumatorëve  debitore të firmosin aktmarrëveshje për shlyerjen me këste të borxhit të prapambetur. Mbi 200 mijë konsumatorëve u janë falur 40 milionë dollarë kamatëvonesa duke u lehtësuar barrën financiare.25051 familje në skemën e ndihmës ekonomike, të cilat kanë nënshkruar dhe respektuar aktmarrëveshjet me OSHEE përfituan respektivisht nga 200 mijë lekë prej reduktimit të plotë të kamatëvonesës.4097 biznese të cilat kishin likujduar të gjithë detyrimet e prapambetura ndaj OSHEE përfituan respektivisht nga 70,945 lekë prej reduktimit të plotë të kamatëvonesës.Zbatuam vendimet e ERE-s, lënë në harresë qëllimisht nga qeveria e mëparshme, duke u dhënë të drejtën e mohuar 45068 konsumatorëve që ishin faturuar në mënyrë abuzive në Tetor 2008 – Prill 2011.Vlera e faturave të anuluara shkon rreth 15 milion USD.Rreth 3 mijë familje në qarkun e Shkodrës, të përmbytura në vitet 2010-2011, por të lëna në harresë nga qeveria e kaluar, u dëmshpërblyen” ka vijuar Gjiknuri.

gjiknuri

Ora 15:45 Klosi: Ndërhymë në favor të pensionistëve, rritën vlerën e pagesës ndaj tyre
Ministri i Mirëqënjes Sociale e Rinisë, Blendi Klosi ka renditur në kongresin socialist një nga reformat më të rëndësishme të dikasterit që drejton, atë të pensioneve.

Sipas tij, u ndërhy fuqishëm në drejtim të pensioneve duke iua shpërndarë pensionistëve sipas kontributeve që ata kanë derdhur në shtet në vitet kur ata kanë punuar.

Vendosëm pensionin social për mbi 6 mijë qytetarë të vendit tonë si dhe miratuam pensionin për mbi 3 mijë minatorë përfitues. Rritëm pensionet për mbi 600 pensionistë në të gjithë vendin, e dyfishuam pagesën e papunësisë nga 6 mijë lekë në mbi 10 mijë lekë”, deklaroi  Klosi.

Por ai nuk ka la përmendur edhe luftën ndaj informalitetit në sektorin privat, ku tha se, kjo çoi në rritjen e numrit të kontribuuesve në skemën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore.
 
 “Krahasuar me 2013-ën, vetëm 2 vite më parë, numri fizik i kontribuesve në skenë i kalon 23.3 %. Vetëm gjatë fushatës 3 mujore të luftës së informalitetit u futën në skemën e kontribuesve më shumë se 100 mijë punëtorë që punonin në të zezë”, tha ai.

Klosi shtoi se tashmë vendi ka hyrë në vitin e tretë të qeverisjes nga socialistët, ku shtoi se qeveria që ai përfaqëson ka mundur që të kthejë Shqipërinë në punë.
Klosi ka thënë se, qeveria ka trefishuar fondet e nxitjes së punësimit.

klosi

Ora 15:30 Ahmetaj: Reformat e qeverisë në ekonomi, krijuan frymëmarrje dhe hapën vende pune
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj teksa ka folur në Kongresin e PS-së ka thënë se reformat e ndërmara nga ana e qeverisë shqiptare në sektorin e ekonomisë kanë krijuar një frymëmarrje më të madhe në këtë sektor, duke sjellë ëkshtu edhe shtimin e vendeve të punës për qytetarët shqiptarë.

Me reformat tona krijuam frymëmarrje të re ekonomike e mundësi për punësim. Qeverisja e shkuar e la vendin me një rritje gati statistikisht zero e që ishte në rënie vit pas viti.  Kjo jo për shkak të krizës globale, por nga keqmenaxhimi i qëllimtë i ekonomisë dhe burimeve. Vjedhja që ajo qeveri i bëri Shqipërisë ishte edhe përtej të imagjinuarës. Borxhi publik i fshehur ishte 726 milionë dollarë. E lanë borxhin 69.5 %, ndërsa ë 2005 e morën 57 %, 12 % më shumë se e morën. Ne kemi marrë borxh 1.6 miliard dollarë në këto vite, por kemi paguar 2.2 miliard dollarë. Në qeverisjen e shkuar për çdo 100 lek borxh investoheshin 137 lekë, ndërsa sot për 100 lekë borxh investohen 200 lekë. Borxhi ka interesat më të ultë a bë rajon dhe ka fituar maturimin më afatgjatë në 23 vite. Është borxhi me koston më të ulët” ka thënë Ahmetaj përpara delegatëve të Kongresit.

Ahmetaj ka shtuar se, janë shtuar 45 mijë biznese të reja nga të cilat një pjesë e mirë të huaja, të cilat janë dyfishuar, ndërkohë që Shqipëria ka dalë përfundimisht nga kriza dhe kjo, sipas tij, falë reformave makro, fiskale, energji, pensione, rendin publik, administrimin territorial që kanë bërë të mundur lënien pas të krizës.

ahmetaj

Ora 15:00 Braçe:Të çlirojmë vendimmarrjet nga lotimet e ndryshme
Nënkryetari i grupit parlamentar të partisë Socialiste, Erion Braçe teksa ka folur në Kongresin e Partisë Socialiste ka theksuar se, duhet çliruar vendimmarrja nga lotimet e ndryshme të cilat kanë ndikuar jo shumë pozitivisht në ekonominë e vendit.

Të çlirojmë vendimmarrjet nga lotimet e ndryshme. Ky është dallimi mes asaj që trashëguam, me qeverinë tonë. Kosto zero për qytetarin dhe zero tarifa për shërbimin ndaj qytetarëve për partneritetin publik-privat. Krijim mundësish për konkurrimin në tregun e punës të qytetarëve. Po kthejmë ekonominë për shoqërinë, jo anasjelltas. Ka kohë që vendimmarrja është në presionin e lobeve të ndryshme ekonomike të atyre që mundohen të ndikojnë mbi qeverinë. Vendimmarrja do të jetë e lirë. Janë bërë reforma të guximshme për vendin. Garantojmë vendimmarrje të lirë” ka thënë Braçe.

Ai ka shtuar se, tashmë ka ardhur koha që të ndryshojmë qytetet tona, ndryshojmë hapësirat publike, transportin publik.

Po krijojmë mundësinë për të konsumuar të mira publike që nuk tregtohen” tha ai.

brace

Ora: 13:30 Tahiri: Perceptimi i sigurisë nuk është vetëm policia, por drejtësia.‏ 
Partia Socialiste është forca më e madhe, shpresa më e madhe që kanë sot bashkëqytetarët tanë. 

Kështu ka deklaruar kreu i Partisë Socialiste të Tiranës, njëherësh edhe ministër i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri gjatë fjalës së tij në Kongresin e PS-së.  

Ai ka nënvizuar se nuk ka një njeri të vetëm në këtë vend qoftë ky demokrat, socialist apo paparti që të mos presë, prej nesh më shumë se prej kujtdo tjetër, një Shqipëri më të drejtë e më të sigurt. 
 
Sipas Tahiri ka ende shumë për të bërë,  për të fituar besimin e të gjithë atyre që kanë pasur apo kanë një arsye për të mosbesuar ende.
 
‘’E gjithçka nuk kemi arritur të përfundojmë deri sot, nuk është sepse nuk duam, apo se ndonjë forcë e errët na mban peng. Por sepse reformat që kemi nisur për ta bërë Shqipërinë më të sigurtë, dhe energjinë e të gjithë ju për të luftuar bashkë e për të bërë atë që askush nuk e ka bërë kurrë më parë në këtë vend. Delegatë e anëtarë të PS, ndjehuni krenarë e ballëlart, se shumë kemi bërë e shumë më shumë do bëjmë, se në Shqipëri ka shpresë, shqipëtarët kanë shpresë, se ky vend mund të bëhet e do bëhet, nga ju, nga ne socialistët e progresistët e nga gjithkush tjetër që beson e lufton për më mirë’’ tha Tahiri.

Më tej ministri Tahiri theksoi se gjithçka që është bërë në vetëm 2 vjet e gjysëm, askush tjetër nuk i ka bërë në 25 vjet edhe pse mund t’i bënte çdo qeveri më parë. 
 
Tashmë, sipas ministrit Tahiri detyra më e madhe është  të bëjnë të mundur që në këtë vend askush të mos vuajë koston e padrejtësisë e pasigurisë.

‘’Ne i kemi hyrë një reformimi radikal, në sistemin e sigurisë që kërkon ndihmën tuaj e të kujdo tjetër që mendon të rrisë fëmijët në këtë vend. Duke u përballur me kostot e reformave. E po kështu me baltën nga qeveria e kaluar. Sot Policia e Shtetit është e tëra në detyrë, për ti shërbyer qytetarëve. Kemi ndërmarrë reforma, nga ligjet, të Universiteti i sigurisë e deri te Komisariati Dixhital e kamerat e trupit, që na bëjnë optimist se jemi në rrugën e duhur, për të ndërtuar policinë e gjeneratës së re, e për ta bërë këtë vend më të drejtë. Shifrat e kriminalitetit, ti krahasosh me të kaluarën, por edhe me vendet e Europës, flasin qartë për mundësitë që kemi përpara për të bërë ende më shumë.Viti 2015 është viti më i mirë në të gjithë historinë e pas viteve 90. Por ka ende shumë më shumë për të bërë. Mbi të gjitha sepse perceptimi i sigurisë dhe drejtësisë, nuk është policia. Ose të paktën vetëm policia. Eshtë drejtësia. Nga rregulli i përgjithshëm, te zyrtari i vogël i sportelit, deri tek gjykatat,’’ tha ndër të tjera ministri Tahiri.

tahiri

Ora 12:15 Meta: Nëse e majta është e bashkuar i fiton gjithmonë zgjedhjet
Aleati më i madh në koalicionin qeverisës Ilir Meta tha se fitorja në zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale e koalicionit të majtë, është fakt se nëse e majta është e bashkuar i fiton gjithmonë zgjedhjet.

"Vendosa të ndryshoj fjalimin pasi dëgjova Pitellën se mu kujtua 3 vjet më parë kur me nxitjen e tij realizuam një vullnet të të gjithë socialistëve për krijimin e aleancës për Shqipërinë Evropiane që në 3 vjet ka arritur dy fitore bindëse në zgjedhje duke rikonfirmuar një të vërtetë historike se kur e majta është e bashkuar në Shqipëri fiton gjithmonë bindshëm. Sot jemi në momentin më të rëndësishëm për realizimin e kryereformës, asaj në drejtësi. Moment i rëndësishëm për të garantuar të gjitha reformat që janë bërë. Duke miratuar këtë reformë dhe amendimet kushtetuese javët e ardhshme ne do të japim mesazh të rëndësishëm për gjithë partnerët tanë që ka të bëjë me forcimin e shtetit ligjor dhe shërbimin e shpejtë ndaj qytetarëve tanë dhe rritjen e besimit të investitorëve tek ekonomia jonë. Kemi dhe reformën zgjedhore, që zgjedhjet të mos jenë më të mira se ato që kaluam por zgjedhje të standardeve evropiane", u shpreh Meta në fjalën e tij.


(Video: Fjala e Metës)

Ora 12:10 Renzi: Sfida te medha na presin
Kryeministri i Italisë, Mateo Renzi ka përshëndetur Kongresin e PS-­së me anë të një videomesazhi.

“Evropa duhet të mirëpresë emigrantët që ishin nga vendet në luftë dhe konflikt. Italia e sheh Shqipërinë jo vetëm si vend anëtar të BE-­së por si vend me rol të madh në BE në të ardhmen”. Kryeministri italian i bëri thirrje Ramës që të punojë për të ardhmen e qytetarëve.

“Ne jemi të dashuruar me të shkuarën e Italisë, por edhe me të ardhmen e saj. Kjo duhet të vlejë dhe për ju. Rroftë Shqipëria, rroftë Italia, rroftë Evropa”, tha Renzi duke ftuar shqiptarët që ta duan vendin e tyre.


(Videomesazhi i kryeministrit italian Mateo Renzi)

Ora 12:00 Pitella pershendet kongresin
Lideri i se majtes Europiane Gianni Pittella teksa ka pershendetur kongresin ka zgjatur fjalen e tij ne nje analize te situates ne Europe dhe kontributit te Shqiperise

Jam shqiptar dhe italian. Të jemi të gatshmë që Shqipëria, Mali i zi e vende të tjera të bëhen anëtare të BE. Keni bërë gjëra madhështore, rritje ekonomike kulturore, rritja e universiteteve tuaja, qendrave tuaja kërkimore politikave të mjedisit, të energjisë, për të rinj. Ky qytet është shumë i bukur, i mrekullueshëm.

Ne jemi zgjidhja për refugjatët. Nuk jemi si e djathta europiane që pranon dhe të vrasë fëmijë refugjatë vetëm të mos i pranojë në BE e ti ndihmojë. Ne jemi ndryshe. Sfidat e mëdha socialistët i kanë në ADN e tyre”.



(Fjala e liderit të së majtës Europiane, Gianni Pittella)

Ora 11:45 D'Alema: Të ndihmojme emigrantët mos i deboni
Massimo D’Alema ish kryeministri italian u shpreh entuziast për të ardhmen e Shqipërisë nën drejtimin e kryeministrit Rama, duke shtuar se ajo nuk ehste Shqiperia e njerezve te deshperuar por nje vend qe po rritet. 

"Sot është një vend që rritet, një ekonomi që integrohet me ekonomitë e vendeve të tjera. Kam qenë në Tiranë disa muaj më parë pasi isha i ftuar të merrja pjesë takimin e ministrave të Ballkanit Perëndimor. Fakti që pashë të uleshin në të njëjtën tryezë kryeministrin e Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Bosnjës, Malit të zi, të gjithë, më mallëngjeu thellësisht sepse të gjithë ne e dimë se cilat konflikte tragjike kanë përgjakur këtë pjesë të Evropës. Lejomëni të them se sa shumë e vlerësoj atë punë personale që po bën Rama për të krijuar një frymë paqeje dhe mirëkuptimi në Ballkanin Perëndimor. Dialog që nuk është cenuar as nga ndonjë incident në fushën e futbollit. Unë bëra tifozllëk që Shqipëria të futej në kampionatin Europian dhe kjo u arrit. Europa po kalon një periudhë të vështirë që ka të bëjë me ekonominë, papunësinë por edhe një krizë vlerash. Po shohim që po merr formë një e djathtë raciste. Ne socialistët nuk mund të heqim dorë. Nuk është fjala për të zgjeruar BE-në, ekziston një plagë në zemrën e BE-së, Ballkani Perëndimor. Është një angazhim që i kemi vënë vetes kundrejt popujve që kanë luftuar për lirinë e tyre, që kanë vuajtur dhe kanë paguar një çmim të lartë për tranzicionin demokratik dhe që janë pjesë e qytetërimit evropian.


(Fjala e ish-kryeministrit Italian, Massimo D'Alema)

Kjo Evropë e lodhur, e munduar ka nevojë për energjinë, për freskinë, vrullin që mund t’i vijë nga vende që e shohin me besim perspektivën evropiane. Ka diçka që Evropa mund t’ju japë ju por ka shumë që ju mund t’i jepni Europës. Në fund disa fjalë si Italinë: Ajo që na bashkon është një histori e gjatë por në këto 20 vitet e fundit, madje më shumë se 20 vjet e jona ka qenë historia e një miqësie të thellë dhe sigurisht e majta italiane e ka përjetuar marrëdhënien e saj me Shqipërinë me një frymë miqësie të madhe. Kemi bashkëndarë shpresa, kemi jetuar kriza dhe angazhimi i Italisë nuk ka munguar kurrë. Nga misioni Alba që u bë nga Romano Prodi deri në çastet e mëpasme. kemi fituar bashkë shumë beteja të vështira. Njëra, kemi fituar betejën kundër trafikantëve të qenieve njerëzore dhe nëse në detin tonë Adriatik apo Jon nuk ndodh prej shumë vitesh ajo që ndodh në vende të Mesdheut është edhe sepse Shqipëria dhe Italia duke punuar së bashku e ndërprenë trafikun e qenieve njerëzore. Kemi qenë afër njeri-tjetri edhe në çastet dramatike. më kujtohet një Pashkë e shumë viteve më parë që e kalova në Pikën Kufitare të Kukësit në mes të maleve dhe vinte një lumë i vërtetë njerëzish të dëshpëruar, të plagosur, të dëbuar nga toka e tyre, Kosova. Ne ishim aty për t’i pritur, për t’i mikpritur së bashku"-tha D'Alema

Massimo D

Ora 11:30 Stanishev: PS parti e fortë, i rezistuat regjimit autoritar të Sali Berishës
President i PSE partise socialiste Europiane, politikani bullgar Sergei Stanishev tha se Kongresi i PS-së është momenti i së vërtetës. Ai tha se PS tha ndër të tjera se PS është një parti me rrënjë të thella se ndryshe nuk do ti rezistonte regjimit totalitar të Sali Berishës,

"Kënaqësi e madhe të uroj kongresin tuaj. Kam qënë udhëheqës partie dhe e di që cdo kongres ëhstë momenti i së vertëts, momenti kur e ndjen vetën se çafrë ke arritur dhe ku vendos se cili ëhshtë drejtimi i së ardhmes. Unë e di që PS e Shqipërisë është një parti e forrtë me rrënjë të thella në të kundërt nuk do ti qëndronit regjimit totalitar autoritar të Sali Berishës
 
2 vjet më parë treguat se cili ishte drejtimi i duhur dhe sot mesazhi që pamë tregon se ju po e ruani këtë drejtim të duhur. Në një mjedis të vështirë arritët të bënit shumë reforma të rëndësishëm
 
Shpresoj që ky vit të hapë negociatat,.Prova më e madhe për cdo parti është pushteti.. Falenderoj kryeministrin për kontributin e tij. Sic bëri me punën e tij në bashkinë e tiranës duke e bërë më të mirë këtë qytet. Kështu do ta lavdëroja për qëndrimin e tij në Rajon. Unë vij nga Bullgaria, ne kemi patur fitoret tona humbjet e cdo gjë. Shipëria po ndjek politikën e fqinjësisë së mirë në Balllkan.Ju duhet të dini se PS ka emër të mirë ndërkombëtarë. Jemi  të gatshëm të mbështesim vendin tuaj. PS dhe vendi juaj ju uroj fat dhe kongres të frutshëm bëni atë punë që shqiptarët presin prej jush-
tha Stanishev

Ora 11:20 Video-mesazhi i Tony Blair : Jeni ne rrugen e duhur, progres me reformat, bashkejetese e shkelqyer fetare
Në Kongres nuk ka munguar as fjala e ish-kryeministrit të Britanisë, Toni Bler. Ai tha se do zgjidhte Shqipërinë si një vend ku mund të ndihet optimist për të ardhmen.

“Lidershipi ka rëndësi dhe ai i Edi Ramës po i jep një shtysë të rëndësishme për këtë optimizëm. Shqipëria ka sfida të mëdha, po me politika të qarta dhe pragmatike, po ndodhin dy gjëra të rëndësishme, e para progres hap pas hapi në të gjitha drejtimet, e dyta nga statusi i vendit kandidat, tani Shqipëria mund të shohë përpara për një të ardhme brenda familjes së madhe evropiane. Ne duam të shohim Shqipërinë në BE. Është një vend i larmishëm sa i i përket besimit fetar, pjesa më e madhe janë muslimanë por është një vend që krenohet me harmoninë dhe bashkëjetesën fetare. Shqipëria ka kaluar shumë kohëra të ërreta, por e ardhmja e saj është e ndritur dhe e merion të jetë e tillë”, tha Bler.


(Videomesazhi i Tony Blair)

Ora 11:10 Mesazhi i Schulz: Vlerësoj Reformat e qeverisë
Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz në një video-mesazh ka shprehur keqardhjen që nuk ka mundur të jetë Kongres dhe vlerësoi reformat e qeverisë

“Më vjen keq që nuk munda të jem…Evropa është në tension dhe solidariteti vë në prove institucionet evropiane, të gjithë aktorët duhet të bashkëpunojnë, të tregojmë kujdes që kriza të mos pengojë rrugën e stabilitetit. Qershorin e kaluar pashë me sytë e mi progresin e madh por pavarësisht s’duhet të harrrojmë reformat që keni për të bërë. Lavdëroj kontributin e Ramës për të përmirësuar qasjen ndaj drejtësisë sociale….shumë suksese për Kongresin tuaj”, tha Schulz.

Ora 10:40 Veliaj çel Kongresin
Fjalën e hapjes në Kongres e mori kryebashkiaku i Tiranës i cili i uroi mirëseardhjen të gjithë pjesëmarrësve në ceremoni.

““Sot është një ditë e shtunë, një ditë e bukur me diell dhe uroj të jetë me diell edhe diskutimi ynë, një diskutim që sjell energji të mirë, ngroh zemrat e nuk shton panikun e ankthin por kur ky diskutim të mbarojë ne do të kemi një proces votimi, ndaj nga e shtuna do të shkojmë tek e diela dhe nesër do të marrim vesh rezultatet. Pasi të kemi mbyllur diskutimet tona brenda “shtëpisë”, të hënën Shqipëria na pret që të përveshim mëngët e ta çojmë Tiranën, 60 bashkitë e tjera, gjithë Republikën tonë dhe gjithë reformat që kemi hapur në drejtimin e  duhur. Çfarë vendoset këtu, çfarë debatohet këtu ka një impakt në mënyrën se si diskutohet e debatohet në gjithë Republikën e Shqipërisë, ndaj ashtu si PS ka hyrë në histori, si partia që drejton koalicione që përmbushin reforma dhe e çojnë dhe rikuperojnë vendin tonë, ashtu shpresoj që nga ky kongres të dalim më të fortë e të bashkuar dhe më të vendosur për ta çuar Shqipërinë drejtimin e duhur”, tha Veliaj në fjalën e tij hapëse.

Gjithashtu ai shtoi se çdo socialist duhet ta shohë PS-në dhe çdo funksion partiak si një mjet për ti shërbyer qëllimit për të qeverisur dhe për ti shërbyer më mirë vendit dhe qytetarëve të vet.

“Tirana, ky kryeqytet që mirëpret këtë kongres është një vend që ka hapur sot shumë debate, debati është i mirë por të mos ngatërrojmë një gjë. PS nuk është qëllim më vete, kryetari, sekretari i përgjithshëm nuk është qëllim më vetvete. Të gjithë këta njerëz në fakt janë mjete në duart e PS, të anëtarësisë dhe në duart e popullit shqiptarë për të qenë kryeshërbëtorë të Shqipërisë. Ndaj, të mos i trajtojmë garat tona si qëllim më vetvete, por t’i trajtojmë si gara idesh ku ne të kemi mjetin e  fortë, kryeministrin e fortë, një kryetar partie të fortë, një asamble të fortë, delegatë të fortë si mjete, si fuqi në duart e çdo shqiptari për ta çuar vendin në drejtimin e duhur”, u shpreh Veliaj.


(Fjala e Veliaj)

Kryebashkiaku i Tiranës në fjalën e tij ka vlerësuar Kongresin dhe delegatët që sipas tij janë zgjedhur nëpërmjet një procesi të hapur dhe demokratik, që mund të jetë shembull për çdo demokraci.

“Më vjen mirë që jeni fryt i një procesi fantastik dhe energjie të pabesueshme, ku në gjithë Shqipërinë, ndoshta në procesin më demokratik pas zgjedhjeve të përgjithshme, qytetarët të angazhuar politikisht si anëtarë të PS ju kanë zgjedhur ju që të jeni zëri i tyre, përfaqësimi i tyre, të votoni në emër të tyre për të ardhmen e PS dhe për të ardhmen e drejtimit të Shqipërisë në drejtimin e PS”, u shpreh Veliaj.

erion veliaj

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Protestë për vrasjen e Martinit, nesër paralajmërohet bojkot dhe protesta në shkolla, kërkohet dorëheqja e ministres

Protestë për vrasjen e Martinit, nesër paralajmërohet bojkot dhe protesta në shkolla, kërkohet dorëheqja e ministres