Kongresi i PS/ Reagon opozita, Komisioni i Rithemelimit: Kriminale sesi Edi Rama i bëri sot presion drejtësisë! Alibeaj: Show milioner i propagandës qeverisëse

Kongresi i PS/ Reagon opozita, Komisioni i Rithemelimit: Kriminale sesi Edi Rama i bëri sot presion drejtësisë! Alibeaj: Show milioner i propagandës qeverisëse

Kongresi i PS-së

Sot Partia Socialiste ka mbajtur Kongresin, ku kryeministri Edi Rama listoi arritjet e tij, por nuk mungoi edhe thumbimi ndaj kundërshtarëve politikë. Megjithatë, përgjigjet nuk kanë vonuar. I pari ka qenë Sali Berisha i cili tha se Rama po përdor Kongresin për të legalizuar drogën dhe se sipas tij qeveria është shndërruar në një organizatë kriminale.

Një reagim ka pasur edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, që e quajti një propagandë e Ramës e radhës. Alibeaj iu përgjigj edhe qëndrimit të Ramës për opozitën, i cili tha që “PD të shkojë në djall’. Sipas Alibeajt, Rama çoi në djall gjysmën e shqiptarëve që përfaqësojnë PD dhe tashëm ka ardhur koha që bashkë me gjithë shqiptarët të çojnë në shtëpi, jo në djall, Edi Ramën dhe të keqen djallëzore që ai përfaqëson.

I ashpër ka qenë Rama në Kongres ku kritikoi SPAK se përse nuk ka nisur ende një hetim për Sali Berishën të shpallur ‘non grata’. Kësaj deklarate, Komisioni i Rithemelimit iu përgjigj me anë të Belind Këlliçit duke thënë se ky ishte një Kongres anti-SPAK dhe se Rama ushtroi presion hapur ndaj organeve të drejtësisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:06
Komisioni i Rithemelimit: Kongres anti-SPAK, kriminale sesi Edi Rama i bëri sot presion drejtësisë

1649527668_1649526538Screenshot1.jpg

Pas deklaratave të Edi Ramës ku kritikoi në Kongres SPAK-un se përse nuk ka nisur deri më tani një hetim ndaj Sali Berishës, i shpallur ‘Non Grata’ nga Shtetet e bashkuara të Amerikë, ka ardhur reagimi i Komisionit të Rithemelimit. Përmes një deklarate, Belind Këlliçi e ka quajtur Kongresin e PS-së si një kongres anti-SPAK. Këlliçi tha se është kriminale sesi Edi Rama i bëri sot presion drejtësisë.

“Sot Ramën do e kishin zili dhe liderët më autoritarë dhe diktatorët më famëkeq, edhe Kim Jongun do e kishte zili për shfaqjen e shëmtuar që na dhuroi. Është kriminale presioni që Rama u ushtroi ndaj organeve të drejtësisë. Kongresi anti-spak sepse frika që e ka kapur nga afera e inceneratorëve e detyroi t’i bënte presion të hapur duke treguar që e trajton sikur të ishte seksion i partisë së tij. Sot u fol për urrejtjen ndaj opozitës, tregoi që është i shqetësuar që opozita  e kapur është një ëndërr që nuk ekziston më. Sot para Ramës ndodhet një opozitë reale. Sot qytetarët shqiptarë panë sesi rilindja vdiq ku Edi Rama u la porosi deputetëve që termin rilindje mos ta përdorin më pasi ai është eksperiment i dështuar. Rama u tregoi shqiptarëve që oferta e vetme që ia ka për vendin është hashashi, asnjë plan ekonomik, asnjë fjalë për të rinjtë e vendit, asnjë fjalë për çmimin e karburantit, çmimet e larta. I tregoi që drejtësia duhet të dënojë këdo që ai kap prej veshi dhe e çon përpara drejtësie”, tha Këlliçi.

Ora 15:39
'PD të shkojë në djall', përgjigjet Alibeaj: Të çojmë në shtëpi Ramën dhe të keqen djallëzore që përfaqëson! Kongresi një propagandë e radhës

Kryetari i grupit parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj ka reaguar për kongresin e PS i mbajtur sot në Pallatin e Kongreseve duke e konsideruar atë një show milioner të propagandës qeverisëse që tenton të fshehë realitetin e hidhur që po përjetojnë shqiptarët.

Sipas Alibeajt, Rama foli për arkën me peshk të zevendësministres, por nuk guxoi të thotë asnjë fjalë për vjedhjen 420 milion euro të inceneratorëve ku notojnë të përfshirë ministrat dhe njerëzit e tij më të afërt.

Alibeaj tha se pavarësisht të gjithave Rama tregoi se ka frikë dhe i ka hyrë lepuri ne bark.  Sipas tij, Rama gjeti kohë e kurajo të flasë për opozitën, madje duke e çuar në djall gjysmën e shqiptarëve që ajo përfaqëson duke shtuar se ka ardhur koha që të gjithë duhet ta cojnë në djall Ramën.

"Edi Rama, pas 8 vitesh mashtrimesh e dështimesh, krizash qeveritare dhe skamjeje te familjeve shqiptare, skandalesh korrupsioni dhe hajdutërie zgjedhjesh, zgjodhi Kongresin e PS, për të ndërtuar fasadën më të madhe të propagandës, duke tentuar ta fshehë realitetin e hidhur që ndjejnë në lëkurë shqiptarët që ende kanë mbetur në këtë vend. Me qëllimin e vetëm, që t’ia hedhë edhe kësaj dite si të tjerat, me mendjen se po i topit shqiptarët në përhumbjen e mjerimin e përditshëm ku i ka zhytur.

Siç ka bërë çdo ditë të “medemek” qeverisjes së tij, Rama e përdori Kongresin e PS, për të vënë në skenë absurdin e Rilindjes, me një shoë të kushtueshëm ku shumë u fol e asgjë nuk u tha. Edi Rama nuk tha asgjë të re.

Po, foli për suksese imagjinare, por nuk iu tha dot shqiptarëve se pse sot ata janë më të varfër?! Pse marrin më pak rroga e pensione?! Pse nuk blejnë dot ushqimet e përditshme? Pse nuk blejnë dot ilaçet të pamundurit? Pse çmimet kanë shkuar në qiell? Pse biznesi veçse falimenton? Pse fermerët rropaten përditë e më shumë dhe përditë e më pak fitojnë? Pse arsimi lëngon dhe studentëve iu largohet dija si mall pa vlerë? Pse ikin shqiptarët nga ky vend dhe droga vjen pa doganë? Pse krimi lulëzon e vret dhe korrupsioni trashet e nginjet?

Po, ai tregoi se ka cinizmin dhe mungesën e skrupujve, të shesë një fasadë, ndërtuar me propagandën e pushteteve të kapura, administratës së patronazhistëve, mediave të blera dhe krimit e oligarkinë që kontrollojnë pushtetin dhe ekonominë e vendit.

Rama foli për arkën me peshk të zëvendësministres së tij, por nuk guxoi ti thotë asnjë fjalë për vjedhjen 420 milion euro të inceneratorëve ku notojnë të përfshirë ministrat dhe njerëzit e tij më të afërt. Madje dhe vetë ai.

Nuk belbëzoi dot një fjalë të vetme për skandalet e qeverisë së tij, ministrave e deputetëve të arrestuar, por ama na tregoi se si dështimi mund të shitet si sukses. Apo të paktën e tentoi. Por ama tregoi se pavarësisht të gjithave, frikën e ka! Lepuri në bark, e trimëroi teksa skërmiti dhëmbët edhe ndaj kësaj pak drejtësie që është bërë. E si masë të parë për të ruajtur veten, iu tha një fjalë zyrtarëve, që kapen në korrupsion: nëse kapeni, unë nuk ju njoh!

Bëri pra sot të vetmen gjë që di të bëjë falas: propagandë, fasadë, cinizëm, dhe ngërdheshjen e vet ndaj shqiptarëve

E këtë herë përdori si perde të fasadës për të paketuar propagandën, përdori Kongresin e PS. Një shoë milioner, që normalisht do të varfërojë edhe më, shqiptarët e rraskapitur nga qeveria e Rilindjes.

E meqë Rama gjeti kohë e kurajo të flasë për opozitën, madje duke e çuar në djall gjysmën e shqiptarëve që ajo përfaqëson, ndoshta duhet të fillojmë secili dhe bashkë me të gjithë shqiptarët ta çojmë në shtëpi, jo në djall, Edi Ramën dhe të keqen djallëzore që ai përfaqëson. Në shtëpi, për ta mbyllur me këmishën e forcës, në ndonjërën nga kuvlitë e bodrumeve të errëta, sic meritojnë ata që vetëm të zeza sjellin", shkruan Alibeaj. 

Ora 14:14
Berisha: Rama përdor Kongresin për të legalizuar drogën, qeveria është shndërruar në një organizatë kriminale

Duke e quajtur si “Kanabo-Kongresin” e selisë rozë, ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar Kongresin e Partisë Socialiste. Sipas Berishës, Rama po përdor Kongresin për të legalizuar kanabisin duke shkruar se e ka kthyer Shqipërinë në narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë.

Berisha thotë se kjo qeveri është kthyer në një organizatë kriminale dhe me lidhjet e saj me krimin ka bllokuar anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Berisha ka akuzuar Ramën se u përpoq të marrë peng Partinë Demokratike.

Përmes një postimi në 'Facebook', Berisha ka listuar 10 pika, duke e quajtur një analizë për bilancin dramatik të qeverisjes së Partisë Socialiste.

"Dy fjalë për Kanabo-Kongresin e Partisë Socialiste! Të dashur miq, sot Partia Socialiste e Shqipërisë mblidhet në Kongresin e saj, të cilin pa filluar punimet mediat e cilësuan si Kanabo-Kongresin e saj. Duke respektuar plotësisht këtë vlerësim unë do të ndalem këtu shkurtimisht në analizën e bilancit dramatik të qeverisjes së kësaj partie dhe sqaroj që në krye të radhës se me këtë analizë nuk fajësoj anëtarësinë e PS dhe mbështetësit e saj por vetëm e vetëm udhëheqjen kryesore, nomenklaturën e saj të korruptuar me në krye Edi Ramën.

Ky bilanc dëshmon se kjo udhëheqje:

1 – Është shndërruar me vjedhjet e saj në një organizate të vërtetë kriminale.

2 – Ka përzënë që në vitin 2009 votën e anëtarësisë nga kjo parti. Ajo ka zëvendësuar sistemin e votës së lirë në Shqipëri me sistemin e dhunimit të saj nëpërmjet blerjes masive, dhunës me bandat, përdorimit total të shtetit për qëllime elektorale dhe nëpërmjet futjes së sistemit policesk të patronazhistëve.

3 – Në këto vite ajo ka ndërtuar në Shqipëri narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë dhe shndërruar vendin tonë në Kolumbi apo Kanabistan, ne epiqendër  të organizatave kriminale të rajonit, Europës dhe botës.

Sot ajo përdor Kongresin për të legalizuar drogën, krimin, paratë e pista. Ndaj dhe analistët dhe mediat e pagëzuan pa u mbledhur Kongresin si Kanabo-Kongresin e saj.

4 – Me lidhjet e saj me krimin, drogën, vjedhjet dhe korrupsionin kjo udhëheqje ka bllokuar për 6 vite me radhë hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE.

5 – Ajo ka shkelmuar interesin kombëtar, me Ballkanin e Hapur është lidhur ne aleance trelaterale me Beogradin dhe Shkupin si vasale e Serbisë dhe ka vendosur Kosovën në një dare armiqësore.

6 – Ajo u përpoq të marrë peng Partinë Demokratike dhe të asgjësojë pluralizmin politik shqiptar.

7 – Kjo nomenklature e inkriminuar koke e këmbë kontrollon sot mbi 90% të pushteteve në Shqipëri. Edi Rama sot ka 10% pushtet me tepër se sa diktatori i fundit komunist shqiptar në vitin 1991.

8 – Me vjedhjet dhe korrupsionin e papërmbajtur qeveritar ka rritur borxhin publik te Shqipërisë ne 103% dhe ka trefishuar mjerimin, varfërinë ekstreme.

9 – Ne pesë vite në zbatim të platformës se Çubrilloviçit te spastrimit etnik, për shkak të varfërisë mjerimit, dhunës policore janë larguar nga Shqipëria 520 mijë shqiptarë.

9 – Kjo është nomenklatura me e babëzitur ne historinë e Shqipërisë, e shpenzimeve të shfrenuara të miliona e dhjetëra miliona eurove udhëtime me avion në dispozicion, e darkave me biftekë 1000 dollarë, e suitave luksoze mijëra e mijëra dollarë nata etj, etj. Lideri i saj ne një kohë që gazetat me serioze të Europës si ‘Politico’ e shpallin kryeministrin me të parëndësishëm në Europë apo televizione me fame botërore si BBC bëjnë spote tallëse televizive si për asnjë politikan tjetër apo e shpallin Sekretarin e Përgjithshëm te NATO të datës 1 prill, ministreshat e tij e shpallin në garë Skënder Buçi apo brendi i Shqipërisë gjer pothuaj zoti i zotërve, vetë Zeusi.

Për të gjitha këto miq kjo është nomenklatura më e korruptuar me antipopullore dhe antikombëtare në Europe dhe ky është kongresi i bilancit me dramatik në historinë e Shqipërisë pas kongresit të fundit të PPSH", shkruan Berisha.

B.K./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Vendimi i Apelit/ Konfiskohen 66 mijë metra katrorë tokë te ‘Rana e Hedhun’, ish-kryebashkiaku Frrokaj do rikthehet në qeli! Në burg edhe Cara, shërbim prove zyrtarja

Vendimi i Apelit/ Konfiskohen 66 mijë metra katrorë tokë te ‘Rana e Hedhun’, ish-kryebashkiaku Frrokaj do rikthehet në qeli! Në burg edhe Cara, shërbim prove zyrtarja