Kongresmeni amerikan Eliot Engel ndërroi jetë në moshën 79-vjeçare një ditë më parë. Presidenti Bajram Begaj përmes një postimi në rrjete sociale shpreh mirënjohje për Engel duke theksuar mbështetjen e tij për Kosovën dhe Shqipërinë veçanërisht në momentet më të vështira.
“Sot mësova se u nda nga jeta Eliot Engel, një mik i madh i shqiptarëve dhe një derë gjithmonë e hapur për ta. Me mirënjohje të thellë, falënderojmë për gjithçka që bëri për Kosovën dhe për kombin shqiptar, veçanërisht në momentet më të vështira të historisë sonë.
Emri i tij do të mbetet përgjithmonë në kujtesën dhe në zemrat e shqiptarëve, si një nga miqtë tanë më të vyer, që qëndroi pranë nesh me përkushtim dhe guxim. U prehsh në paqe!”, shkruan Begaj në X.
Engel njihej si një mbështetës i fortë i çështjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht për angazhimin e tij në mbrojtje të Kosovës gjatë viteve të luftës me Serbinë.
Engel përfaqësoi shtetin e New York-ut në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA për më shumë se tre dekada, nga viti 1989 deri në vitin 2021, duke qenë një nga figurat më të njohura të politikës amerikane.
Komente









