Megjithëse mbi Domart Konjarin, kishte një vendim dënimi me 10 vite burg për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizate kriminale, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda teksa ka liruar 42-vjeçarin, nuk ka marrë në konsideratë dhe informacione të tjera të sjella nga autoritet franceze, të cilat dyshojnë se Konjari veç drogës është përfshirë në një seri vrasjesh në Shqipëri, Itali, Francë dhe Spanjë.

Gjykata është mjaftuar vetëm me faktin se materiali hetimor i mbërritur nga Franca, nuk kishte arrdhur në kohën e duhur, dhe nisur nga kjo situatë gjykatësit nuk kanë marrë në konsideratë informacionet dhe dyshimet që kishin francezët se Domart Konjari ishte i përfshirë në një seri vrasjesh, madje dhe vetë ishte bërë objekt i atentateve, ku i ka shpëtuar një sulmi me armë në kryeqytetin Madrid të Spanjës.
 
Frika nga atentatet e ndryshimi i emrit
Nga të dhënat që autoritetet franceze i kanë deleguar palës shqiptare, ka rezultuar se pas shpëtimit nga atentati me armë, Domart Konjari, ish-miku i Franc Konomit ka filluar të qëndrojë i fshehur, deri sa ka mbërritur në Shqipëri. Pikërisht në këtë vend, Konjari ka ndryshuar emrin duke u prezantuar si Arben Lazri. Mirëpo sërish një gjë e tillë nuk e lejonte atë t'i fshihej përgjithmonë drejtësisë dhe kundërshtarëve të tij. Konjari nëpërmjet lidhjeve të tij ka ndryshuar emrin nga Domart Konjari në Arben Lazri në gjendjen civile, pranë njësisë bashkiake nr.10.

domart konjari

Këtë veprim ai e ka kryer me ndihëm e një zyrtareje të kësaj minibashkie dhe me inspektorin e lagjes ky ai banonte, i cili ka lëshuar një vërtetim se Arben Lazri ishte banues në zonën ku ai kishte në mbulim dhe se nuk kishte asnjë precedent penal. Në fakt siç dhe doli më vonë ka qenë krejt e kundërta nga ajo që ka raportuar inspektori i zonës, i cili tashmë është vënë nën hetim për “Shpërdorim detyre” së bashku me punonjësen e Gjëndjes Civile.

Mirëpo Domart Konjari, ka vijuar më tej pasi ka ndryshuar emrin. Ai ka marrë një certifikatë dhe prej andej ka aplikuar tek njësia nr.10 për pasaportë biomentrike. Aplikimi është pranuar dhe se pasaporta është lëshuar më datë 30 tetor 2015, 5 ditë para se Konjari të tentonte largimin drejt Greqisë nga Kapshtica. Konjari ka synuar të largohej nga Shqipëria për të gjetur strehim në Greqi, e më tej në Europë duke gjetur qetësi nën emrin e Arben Lazrit. Mirëpo plani nuk ka shkuar sipas parashikimit, pasi e kanë tradhtuar dyshimet e policisë dhe gishtat e tij të dorës.
 
Seria e krimeve mes bandës
Konjari dyshohet se drejtonte rrjetin e trafikut të kokainës në disa shtete të Europës Qendrore pasi mendohet se ka lidhje direkte me burimin e prodhimit të saj në Amerikën e Jugut. Si pasojë e këtij rrjeti, influencës në treg dhe shpërndarjes së droges në Europë, hetuesit francezë thonë se kanë ndodhur edhe disa vrasje, ku në dy raste 42 vjeçari Konjari i ka shpëtuar atentateve me armë. Në dosjen e ardhur pranë Prokurorisë për Krime të Rënda, emri i Konjarit përmendet për përfshirje direkt apo indirekt në disa vrasje si pasojë e rrjeteve të trafikut të kokainës.

Kjo listë fillon me vrasjen e 28 gushtit të vitit 1998 kur është ekzekutuar Gentian Dervishi i njohur me nofkën “Gent Kadaifi” pranë “Shkollës së Kuqe”.
Më pas emri i Konjarit, del në vrasjen e ndodhur në 2003 në qytetin Renne të Francës, ku u vra në ambientet e Genc Dervishit, shtetasit Erjon Murati për një mosmarrëveshje për trafikun e drogës. Për të vazhduar më pas, me ekzekutimin e 3 gushtit 2005 në Tiranë ku është vrarë Fatjon Naxhaku. Vrasja e tij ndodhi vetëm pak ditë pasi ishte kthyer në Shqipëri, pasi ishte arratisur nga burgu në Spanjë. Konjari është arrestuar si i dyshuar për këtë ngjarje dhe pas dy muaj burgim është liruar dhe më tej është larguar nga Shqipëria.

Kjo vrasje, thonë francezët dyshohet se është kryer nga Konjari në shenjë vetëmbrojtje. Por ende kjo vrasje në Shqipëri është pa autor, pasi një tjetër i dyshuar tashmë është vrarë. Si pjesë e këtyre ngjarjeve, ku përfshihet emri i 42 vjeçarit që u lirua nga burgu, është edhe vrasja me 16 plumba e francezit Gilbert Slik në vitin 2007 në Marsejë. Ndërkohë në qershor të 2010 Domart Konjari I shpëtoi një atentati në Madrid, ku mbetet i vrarë shoferi i tij. Vetëm një muaj pas këtij atentati të dështuar ndaj Konjarit, vritet në dalje të burgut në Aliacante të Spanjës francezi Alain Coelier, i njohur si Alani i vogël.

Ky i fundit njihet si kapo i bandës së grabitjeve të viteve 1980 në Francë, por që në vitin 2006 u arrestua së bashku me Juan Ponsoda me anijen me vela të një kompanie shqiptarësh, që vinte nga Venezuela dhe brenda saj ishin fshehur 3.4 tonë kokainë.

franc konomi

Po në korrik të 2010 ekzekutohet në makinë në Tiranë, Franc Konomi, që njihej si një nga njerëzit më të afërt të Domart Konjarit. Dyshimet për këtë vrasje, sipas autoriteteve franceze, janë mosmarrëveshjet e bandave rivale për dërgimin e kokainës në Spanjë. Emri i 42 vjeçarit Konjari, në dosjen franceze lidhet edhe me ekzekutimin e Gentian Gashit në nëntor të 2011 në Durrës.

gentian dervishi

Dosja e vrasjeve, ku përfshihet direkt apo indirekt veprimtaria e Domart Konjarit, mbyllet me ekzekutimin e Edmond Dervishit më 14 korrik të 2013 në Tiranë. Të gjithë këto vrasje, hetuesit francezë dhe ata shqiptare dyshojnë se kanë të bëjnë me aktivitetin e trafikut të kokainës, dhe janë të lidhura me emrin e Domart Konjarit, i cili u lirua nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda për arsye procedurale.
 
Datat dhe atentatet
  
28 gushtit 1998
 
Gentian Dervishi Në Tiranë
 
Viti 2003
 
Erjon Murati në Francë
 
3 gushtit 2005
 
Fatjon Naxhaku
 
2007 në Marsejë
 
Gilbert Slik Francë
 
Qershor të 2010
 
Konjari i shpëton atentatit Spanjë
 
Shtator të 2010
 
Alain Coelier Spanjë
 
Korrik 2010
 
Franc Konomi
 
Nëntor 2011
 
Gentian Gashi
 
14 korrik 2013
 
Edmond Dervishi vllai i Genti Dervishi
 
Redaksia online
Shqiptarja.com