Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar 24 orë pas deklaratës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili gjatë vizitës në Beograd rikonfirmoi se Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Konjufca tha se Prishtina e pret me keqardhje këtë qëndrim, duke kujtuar se Kosova ka qenë në krah të Ukrainës që nga dita e parë e agresionit rus.

"Që nga dita e parë e agresionit të plotë të Rusisë, Kosova ka qëndruar pa mëdyshje në krah të Ukrainës. Ne dënuam pushtimin, u rreshtuam plotësisht me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë, vendosëm sanksione ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, ofruam ndihmë humanitare, strehim për gazetarët ukrainas, si dhe ndihmë ushtarake dhe trajnim në mbështetje të mbrojtjes së Ukrainës", shkroi ai.

Konjufca theksoi se, ndryshe nga Kosova, Serbia nuk është rreshtuar me sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, ndërsa ritheksoi se nuk mund të ketë asnjë paralele mes Kosovës dhe pushtimit rus të Ukrainës.

Në fund të reagimit, ai tha se Kosova mbetet e palëkundur në mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, por shtoi se Prishtina do ta mirëpriste njohjen e Republikës së Kosovës nga Kievi.

"Një vendim i tillë do t'i forconte pikërisht parimet e lirisë, demokracisë dhe të drejtës ndërkombëtare që vetë Ukraina po i mbron sot", përfundoi Konjufca.


Lajmi kryesor:

Zelensky tha nga Serbia se nuk e njeh Kosovën, Tirana zyrtare: S'mund të hiqet paralele me Ukrainën, janë 2 realitete të ndryshme