TIRANË - Nga Pallati i Kongreseve në Tiranë, ku ishte i pranishëm për Samitin e IV-të të Diasporës Shqiptare, zëvendëskryeministri i Kosovës, Glauk Konjufca, iu përgjigj mediave për zgjedhjen e presidentit që do të pasojë Vjosa Osmanin.

Konjufca tha se Lëvizja Vetëvendosje po tregohet më elastike në proces, duke pranuar që kandidati për president të mos jetë domosdoshmërisht i preferuari i saj, por mjafton që të jetë një figurë që gjen konsensus dhe mbështetje edhe tek opozita në Kosovë.

“Bisedat po vazhdojnë nëse keni mundur ta ndiqni mes kryeministrit dhe partive politike. Tashmë ka takuar kryetarin e LDK-së. Një ftesë ia ka dërguar dhe Partisë Demokratike. Ata kanëkërkuar disa sqarime shtesë, të cilave me siguri që kryeministri do t’u përgjigjet shpejt. Janë përpjekje që të mund të arrijmë në një marrëveshje, e cila ka në fokus vetëm zgjedhjen e presidentit”,- tha Konjufca.

“Varet nga partitë e opzotës. Ne kemi thënë që Lëvizja Vetëvendosje nuk insiston që ta ketë patjetër emrin e saj në zgjedhjen e presidentit. Nëse nuk ka patur vullnet politik që është vërtetuar dhe me mbajtjen e seancës, ku ata nuk kanë ardhur për të votuar, atje kjo është e mjaftueshme që ta duan diçka tjetër. Është mirë të na tregojnë se çfarë duan”,- tha Konjufca.