DURRES- Një shpërthim me tritol tronditi në orët e para të mëngjesit lagjen Fllakë në Durrës.

Ngjarja ndodhi rreth orës 05:00, ndërsa lënda plasëse ishte vendosur në derën e lokalit që kanë në përdorim, vëllezërit Ramazan Balla dhe Erjon Balla.

Paraprakisht dyshohet se mund të jetë përdorur rreth 50 gr tritol që është ndezur me fitil.

Lokali ishte i mbyllur në momentin e shpërthimit, ndaj nuk ka persona të lënduar. Por sic shihet në pamje, dëmet materiale janë të shumta.

E gjithë fasada prej xhami ka rënë në tokë. Gjithashtu dhe tenda.

Pronarët e biznesit shprehen jashtë kamerave se nuk kanë asnjë konflikt. Po kështu dhe policia konfirmon se Ramazan e Erjon Balla nuk kanë asnjë precedent penal.

Pista paraprake e hetimeve lidhet me konkurrencën në biznes apo çështje inati, gjithsesi mbetet për tu verifikuar.

Burimet thanë se identifikimi është i vështirë, pasi lokali nuk ka kamera sigurie, ndërsa një biznes ngjitur me të kishte 1 kamer, por që rezulton e fikur.

Policia vijon hetimet për të përcaktuar motivin e ngjarjes dhe identifikimin e autorit apo autorëve.