Konsensusi, Rama paralajmëron
bllokimin e 7 ligjeve nga PD 

Konsensusi, Rama paralajmëron<br />bllokimin e 7 ligjeve nga PD 
Miratimi i 7 projektligjeve prioritare për zbatimin e reformës në drejtësi, do të jetë një test i dytë, akoma dhe më i vështirë se i pari për konsensusin mes tre shtyllave kryesore partiake. Miratimi i tyre kërkon 84 vota, të cilat PS nuk i ka e vetme, madje edhe me LSI-në nuk janë gjithmonë të sigurta. Duke shtuar këtu faktin se LSI mund të mbajë të njëjtin qëndrim si me ndryshimet kushtetuese, duke kushtëzuar votat e saj me konsensusin, e bën të domosdoshëm një konsensus me opozitën. Po sa i sigurt dhe i thjeshtë mund të jetë një konsensus në një ditë, jo për 1 por për 7 drafte, të cilat deri më tani nuk kanë në asnjë pikë dorën e opozitës pasi kjo e fundit nuk ka marrë pjesë në komision gjatë hartimit të tyre?

Kjo ngelet për tu parë, por edhe vetë kryeministri Edi Rama parashikon një rezistencë të lartë nga ana e opozitës. Megjithëkëtë, ai dje deklaroi se paketa shoqëruese e reformës në sistemin e drejtësisë do të miratohet. Në postim në Facebook, Rama shkruan se miratimi i ligjeve kërkon 84 vota, ndërsa theksoi se askush nuk mund ta ndalë drejtësinë e re që ka nisur. Kreu i qeverisë thekson gjithashtu se Partia Demokratike do të insistojë sërish kundër çdo ligji të domosdoshëm për nisjen nga zbatimi të reformës në drejtësi. "Reforma në Drejtësi do të vazhdojë me ligjet kryesore që pasojnë reformën e miratuar kushtetuese dhe kërkojnë minimumi 84 vota. Ata që u dorëzuan përballë presionit të jashtëzakonshëm popullor e ndërkombëtar dhe presionit të brendshëm që krisi murin shurdh të Partisë Demokratike, do të vazhdojnë të rezistojnë në çdo hap e për çdo ligj të domosdoshëm për zbatimin e reformës kushtetuese. Por nuk kanë shans ta ndalin historinë e re të drejtësisë që ka nisur me hirin dhe me pahirin konsensual të 21 korrikut”,-shkruan Edi Rama.

Kryeministri ndalet dhe te procesi i vettingut, i cili sipas tij, do të spastrojë piramidën e sistemit gjyqësor të korruptuar, siç e quan Rama. “Shqipëria nuk është më ajo që ishte përpara votimit historik të së enjtes së shkuar; jo vetëm në sytë e Uashingtonit, Berlinit e Brukselit, po edhe në sytë e komunitetit ndërkombëtar të investitorëve, vendi ynë ka fituar një besueshmëri të re. Votimi i 21 korrikut i ka hapur rrugë një reforme shembullore në drejtësi dhe vetingu me mbështetje ndërkombëtare (parashikuar në kushtetutë) i të gjithë gjykatësve e prokurorëve, i cili do të nisë si një operacion rrënjësor pastrimi nga maja e piramidës së korruptuar të gjyqësorit, i ka bërë të marrin frymë lirisht investitorët e mëdhenj. Këtë e konfirmoi sot vetë Presidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim",-përfundon kryeministri.  
Redaksia online
a.n shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Radhë kilometrike në pikën kuftare të Muriqanit! Makinat në pritje nga Mali i Zi për të hyrë në Shqipëri

Shkodër/ Radhë kilometrike në pikën kuftare të Muriqanit! Makinat në pritje nga Mali i Zi për të hyrë në Shqipëri