Le ta marrim si të mirëqenë skenarin ideal: opozita bashkohet, protestat rriten, Edi Rama largohet. Automatikisht, lideri aktual i opozitës do të ishte kandidati për kryeministër. Pikërisht këtë skenar nuk e pranojnë ndërkombëtarët. Historia e vitit 1998 është ende e freskët në kujtesën e tyre: Fatos Nano u largua nga kryeministria dhe institucionet shtetërore praktikisht ishin në dorë të Sali Berishës, por një qeveri e kryesuar prej tij nuk do të njihej nga bota. Ai u terhoq ne opozite te gjate. 

Këtu qëndron thelbi i problemit. Sot, lideri i opozitës parlamentare po i njejti, është edhe më i papranueshëm ndërkombëtarisht, me statusin non grata në fuqi. Por, nëse ai nuk është i pari në radhë për pushtet, nuk largohet nga loja; ai pret. Dhe në këtë pritje, mesazhi i pashprehur është i qartë: më mirë Rama sesa dikush tjetër ne pushtet. Pret me foltore ku mblidhen njëqind vetë, pret me protesta sa për t’u dukur më të mëdha se të tjerat, vetëm për t’u treguar ndërkombëtarëve se “unë jam opozita dhe duhet të negocioni me mua”.

Por realiteti diplomatik flet ndryshe. Ndërkombëtarët nuk e takojnë atë. Ata takojnë Tabakun, Bardhin, Shehajn. Jo liderin që pretendon se kontrollon gjithë opozitën. Edhe tryezat e organizuara me të në krye, edhe turet për të mbledhur partitë e tjera opozitare nën një çati, nuk synojnë bashkim real, por imponim politik: për t’iu shitur ndërkombëtarëve si faktori i vetëm që kontrollon opozitën. Një fakt që në terren nuk është i vërtetë.

Në realitet, edhe vete demokratët janë të copëzuar në fraksione, të lodhur dhe të zhgënjyer nga i njëjti kryetar. Mungesa e shpresës nuk buron nga mungesa e kauzave, por nga mungesa e besimit te lidershipi. Dhe këtu shfaqet qartë “elefanti në dhomë” – konstantja zero që e kthen çdo veprim opozitar në zero rezultat.

Pyetja thelbësore është kjo: a do të kishte mbijetuar kjo qeveri me një lider tjetër opozite? A do të kishte kaluar pa pasoja momenti kur u kërkua pezullimi i zëvendëskryeministres në detyrë? Me shumë gjasë, jo. Me një lidership tjetër, më të pranueshëm brenda dhe jashtë vendit, kjo qeveri do ta kishte pasur fundin shumë më herët.

Në këto kushte, zgjidhja nuk vjen nga retorika e zakonshme dhe as nga bashkime artificiale. Ajo mund të vijë vetëm nga dy rrugë konkrete.

E para, veprimi qytetar i pavarur politikisht: një lëvizje që do të ishte në gjendje të nxirrte përpara Kryeministrisë më shumë qytetarë sesa protestat e organizuara nga Partia Demokratike. Vetëm një mobilizim qytetar, jashtë kontrollit të lidershipit aktual opozitar, do ta thyente monopolin e përfaqësimit dhe do t’u tregonte ndërkombëtarëve se ekziston një vullnet real shoqëror për ndryshim.

E dyta, lindja e një lideri të ri opozitar, i njohur si i tillë nga të gjitha palët – nga opozita, nga faktori ndërkombëtar, por mbi të gjitha nga populli. Një lider që, do të ishte në gjendje të mblidhte në shesh më shumë njerëz sesa strukturat e Partisë Demokratike. Vetëm atëherë do të ndryshonte ekuacioni politik.

Derisa njëra nga këto dy rrugë të materializohet, opozita do të vazhdojë të sillet në një rreth vicioz: protesta pa efekt, bashkime pa besim që prodhojnë gjithmonë të njëjtin rezultat, ashtu si e do Edi Rama. Sepse, sa kohë konstantja zero mbetet e pandryshuar, çdo shumëzim politik do të nxirrte po zeron.