Ditën e sotme, kryedemokrati Sali Berisha i bëri thirrje NATO-s të siguronte mbrojtje ajrore për Shqipërinë, pas paralajmërimit të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë për sulme të mundshme nga grupe të lidhura me Iranin drejt objektivave të caktuara në vendin tonë.

Eksperti i Sigurisë Faik Basha, i ftuar në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv tha se deklarata të tilla si ato të Berishës, përhapin panik të panevojshëm te qytetarët.

Basha shtoi se sistemi i mbrojtjes kundërajrore të NATO-s është i përhershëm dhe nuk vendoset me kërkesë të Shqipërisë. Ai shtoi se Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit janë nën mbrojtjen e sistemeve kundër-ajrore të NATO-s, të cilat sipas ekspertit Basha, pas nisjes së luftës në Iran janë përforcuar.

“Sot është bërë një deklaratë nga kryetari i opozitës, i cili tha ‘i bëj thirrje vendeve të NATO-s që të marrin masat për të vendosur sistemin e mbrojtjes kundërajror’. Sistemi i mbrojtjes kundër-ajror për mbrojtjen e territorit të Republikës së Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit, është i vendosur. Nuk vendoset kur bëhet thirrje nga ana jonë. Pra nuk vendoset kur bëhet thirrje nga ana jonë. Pra nuk është me kërkesë më shkrim. Pra është i vendosur dhe i disponueshëm edhe para nisjes së konfliktit dhe është i përhershëm”, tha mes të tjerash Basha.

Ndërkohë eksperti Basha ka vijuar më tej duke thënë se Irani s’ka kapacitete ushtarake që të kërcënojë me armë balistike Shqipërinë. Basha shprehu bindjen se Teherani disponon raketa balistike me rreze deri në 2000 kilometër.

“Ka masa të shtuara, por këto masa të shtuara nuk janë marrë ditën e sotme, por në fillesën e konfliktit dhe është i disponueshëm 24 orë në 24. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe kësisoj rruga ajrore që lidh hapësirën ajrore nga Irani në Shqipëri, është e mbrojtur 100%. S’ka Irani kapacitet ushtarak që të kërcënojë me armë balistike Shqipërinë. Nuk disponon raketa me rreze mbi 2000 km”, tha mes të tjerash Basha.