TIRANE- Konstitucionalistët Luan Omari dhe Gent Ibrahimi deklarojnë se presidenti i votuar në Parlament më 11 qershor, Bujar Nishani duhet të shkarkohet sa më shpejt nga detyra e tij si ministër i Brendshëm dhe të bëhet zëvendësimi i tij.

Konstitucionalisti Luan Omari është shprehur, referuar Kushtetutës, se moralisht kryeministri i vendit Sali Berisha duhet që t'i përcjellë Presidentit Topi kërkesën për shkarkimin e ministrit Bujar Nishani nga detyra e ministrit të Brendshëm.

Por nga kontakti me Këshilltarin juridik të Presidentit Bamir Topi, Spiro Peçi është mësuar se kryeministri ende nuk ka dorëzuar në Protokoll të Presidencës shkresën për shkarkimin e ministrit Nishanit.

Sipas nenit 99 të Kushtetutës "Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi". Referuar këtij neni duhen 17 ditë, kufi maksimal, për të përfunduar procedurat për shkarkimin e ministrit Nishani. Por kryeministri Berisha përtej kësaj, duhet të mendojë edhe për zëvendësimin e tij. Profesor Omari pohon se pas dhënies së dorëheqjes nga Nishani, ministria duhet të drejtohet me zëvendësministër, ndërkohë që Presidenti i votuar vazhdon ende që të ushtrojë kompetencat e tij si ministër i Brendshëm.

Kryeministri Sali Berisha ende nuk e ka zgjedhur emrin se kush do të jetë zëvendësuesi i Bujar Nishanit. Zëra brenda ministrisë së Brendshme bëjnë me dije se përflitet për ardhjen e Sokol Olldashit në këtë dikaster, në të cilin në tre vjet janë ndryshuar dhe rikthyer tre ministra. Sokol Olldashi tani mban postin e ministrit të Transportit dhe Telekomunikacionit.

Intervisten e Gent Ibrahimit, dhe deklaratën e plotë të Luan Omarit mund ta lexoni sot në gazetën Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)