Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas kostituimit të Kuvendit të Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani ka uruar kryetaren e re të Parlamentit, Albulena Haxhiun dhe nënkryetarët për zgjedhjen e tyre në postet përkatëse.

Po ashtu Osmani ka uruar që kjo legjislaturë të dallohet ‘për vendime të rëndësishme shtetërore, kulturë të lartë demokratike dhe angazhim të palëkundur në shërbim të qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës‘.

Postimi i Osmanit:

Uroj znj. Albulena Haxhiu për zgjedhjen e saj Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe nënkryetarët e Kuvendit për përgjegjësinë që u është besuar nga përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve tanë.

Kuvendi i Republikës është themeli i demokracisë sonë parlamentare dhe institucioni ku materializohet vullneti i qytetarëve. Besoj fuqishëm se udhëheqja e re e Kuvendit do ta ushtrojë këtë mandat me përgjegjësi demokratike në respektim të Kushtetutës dhe me përkushtim ndaj interesit të Republikës së Kosovës.

Në këtë moment të rëndësishëm institucional, ritheksoj nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional e konstruktiv dhe funksionim të plotë të Kuvendit, në shërbim të forcimit të shtetit të së drejtës, stabilitetit demokratik, mbrojtjes së vlerave tona shtetërore e historike dhe avancimit të agjendës sonë euroatlantike.

Uroj që ky mandat të shquhet për vendime të rëndësishme shtetërore, kulturë të lartë demokratike dhe angazhim të palëkundur në shërbim të qytetarëve dhe të Republikës sonë!

Punë të mbarë dhe suksese në detyrën tuaj të lartë shtetërore!


Lajmi kryesor:

Konstituohet Kuvendi i Kosovës, Albulena Haxhiu zgjidhet kryetare, votëbesohen edhe 5 nënkryetarët! Sot seanca për votimin e qeverisë së re