Konsulenca falas për
të gjithë diabetikët

Konsulenca falas për<br />të gjithë diabetikët
Intervistë me presidentin e Shoqatës së Diabetit në Shqipëri, Prof. Asc. Florian Toti, mjek në pavionin e endokrinologjisë, QSUT

Kur ka filluar aktivitetin Shoqata e Diabetit në Shqipëri?
Shoqata e Diabetit në Shqipëri është një organizatë jo fitimprurëse, me seli në Tiranë, krijuar që në vitin 1991 dhe anëtare e IDF(Federata Ndërkombetare e Diabetit) që prej atij viti. Kjo shoqatë, ka si rol kryesor të saj ndërgjegjësimin e personave me diabet dhe të familjarëve të tyre në lidhje me sëmundjen dhe problemet e lidhura me të. Aktualisht, Shoqata ka mbi 400 anëtarë në rrethin e Tiranës dhe gjendet me degët e saj në Fier, Berat, Krujë, Laç, Lezhë, Elbasan, Durrës, Shkodër, si dhe së shpejti do të hapë degë të reja edhe në rrethet Korçë e Vlorë.

Kush mund të jetë pjesë e shoqatës dhe cila janë sherbimet që ofrohen?
Në këtë Shoqatë bëjnë pjesë personat me diabet, familjarët e diabetikëve, personeli mjekësor (mjekë,infermiere, dietologë) që merren drejtpërdrejt dhe kujdesen çdo ditë për personat me diabet. Për të ndihmuar sa më tepër personat me diabet për të patur një trajtim sa më të mirë dhe një ndjekje sa më të rregullt, ne jemi përpjekur që personave diabetikë të anëtarësuar në shoqatë t’u ofrohen çmime të reduktuara për kryerjen e ekzaminimeve laboratorike dhe të procedurave investigative në disa nga laboratoret dhe klinikat private në Tiranë. Gjithashtu, kemi siguruar një sasi fijesh dhe aparatesh për matjen e glicemisë që shpërndahen falas.
Një tjetër shërbim i rëndësishëm është ai që kemi filluar të aplikojmë që nga fillimi i vitit 2011. Në ambientet e Shoqatës, mjekë të njohur endokrinologë të Shërbimit të Endokrinologjisë në QSU « Nënë Tereza » dhe të Shërbimit ambulator të Poliklinikave të Tiranës, janë çdo pasdite, nga e hëna në të enjte, në dispozicion të personave me Diabet, për të ofruar informacion dhe konsulencë falas. Janë bërë deri më sot afërsisht 350 konsultime me mjekët endokrinologë dhe mbi 150 konsulta telefonike.

Cilat janë disa nga aktivitet e organizatës?
Çdo vit shoqata organizon aktivitete të ndryshme, ku mund të përmendim Ditën Botërore te Diabetit (në 14 nëntor), merr pjesë në emisione të ndryshme në radio dhe TV për probleme të lidhura me Diabetin, si dhe fushata sensibilizimi në lidhje me Diabetin dhe faktorët e riskut të lidhur me të: sedentariteti, obeziteti, HTA, dislipidemitë etj. Shoqata boton periodikisht një revistë me titull « Për ju diabetikë », ku botohen artikuj të përgjithshëm në lidhje me problemet kryesore lidhur me Diabetin Mellitus dhe ndërlikimet e tij, si dhe fletëpalosje të lidhura me probleme të ndryshme të Diabetit, si: të njohim shenjat e Diabetit dhe personat e rrezikuar për Diabet, kujdesi për këmbën, dieta në diabet, vetëkontrolli, mjekimi i Diabetit, ndërlikimet kronike të Diabetit etj. Çdo person diabetik që paraqitet në zyrat tona mund të pajiset me këto botime.
Gjatë periudhës 2000-2008 nga shoqata në bashkëpunim me Shërbimin e Endokrinologjisë janë organizuar tre fushata depistimi dhe disa fushata sensibilizimi lidhur me Diabetin Mellitus. Janë depistuar mbi 7000 persona, të panjohur më parë për Diabet dhe janë organizuar dy fushata sensibilizimi lidhur me faktorët e riskut për Diabet tip 2.

Cilat janë synimet e organizatës suaj në të ardhmen?
Brenda gjashtëmujorit të dytë të vitit 2012, do të përpiqemi që Shoqata të ketë web-sitin e saj. Krijimi i pashaportës së diabetikut është një tjetër sfidë e jona.Po bëjmë përpjekjet për krijimin e një linje telefonike falas, çdo ditë nga ora 10-19, ku mjekë endokrinologë t’i përgjigjen pyetjeve dhe problemeve të personave me Diabet.
Duke qënë se dieta është një faktor kyç në ecurinë e sëmundjes së diabetit, mendojmë të ofrojmë kurse dietologjie për të forcuar nocionet e sasisë së karbohidrateve dhe për rënien në peshë si dhe konsulta psikologjike për personat me diabet dhe familjarët e tyre.

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?



×

Lajmi i fundit

Shikoni si do të jetë moti për fundjavën e Pashkës Ortodokse

Shikoni si do të jetë moti për fundjavën e Pashkës Ortodokse