TIRANË- Një 25-vjeçare ka ndërruar jetë një ditë më parë në spitalin e QSUT, pasi konsumoi fostoksinë. Xhuana Nikolli nga Lezha, u dërgua me urgjencë drejt spitalit të QSUT, por fatkeqësisht nuk ka arritur të mbijetojë.

Se cilat janë arsyet që e çuan të renë drejt këtij akti, ende nuk bëhen me dije, por familjarët e saj kanë bërë kallëzim ndaj ish-partnerit të saj. Në kallëzimin e bërë në komisariatin numër 2 në Tiranë, familjarët pretendojnë se është dhuna që partneri ka ushtruar ndaj Nikollit, që e ka detyruar atë të konsumojë fostoksinën.

Madje, familjarët pretendojnë se vajza e tyre ka në trup edhe shenja dhune, por do të jetë një autopsi nga Insituti Mjekoligjor që do të përcaktojë nëse ndaj saj është ushtruar apo jo dhunë.

Blutë e kryeqytetit kanë shpallur në kërkim partnerin e së resë, Eraldo Fizin, të akuzuar për dy vepra penale "Dhuna në familje" dhe "Shkaktimi i vetëvrasjes", por nga kontrollet që janë bërë deri më tani ai ende nuk është gjetur.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2: shpallën në kërkim, për veprat penale "Dhuna në familje" dhe "Shkaktimi i vetëvrasjes", shtetasin E. F., 25 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj të dashurës së tij, veprim i cili dyshohet se është bërë shkak që shtetasja të konsumojë Fotoksinë. Si pasojë, ajo ka humbur jetën në spital. Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e 25-vjeçarit, si dhe për sqarimin dhe dokumentimin e rrethanave të rastit”, njofton Policia.

25-vjeçarja Xhuana Nikolli dhe i riu Fizi ishin martuar në qershor të vitit 2025, por janë ndarë pas 3 muajve pasi kishin patur konflikte. 

1773226407_eraldofizi.jpg

Foto: Eraldo Fizi ish- partneri i 25-vjeçares

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë