KAPSHTICE-Tre doganierë janë arrestuar nga policia për shpërdorim detyre dhe kontrabandë me mallrat që paguhet akcizë. Ndërkohë që është sekuestruar një sasi pijesh të dyshuara si kontrabandë, për të cilat tre doganierët dyshohet se kanë lejuar kalimin e tyre, pa ushtruar kontrollin përkatës.
Doganierët e arrestuar janë; Floben Guxho 46 vjeç, banues në Tiranë, Klodian Nastimi 34 vjeç, banues në Devoll dhe Rernato Molla 33 vjeç, banues në Pogradec. Ndërsa në pranga janë vendosur edhe Kristi Meslani 23 vjeç, Rezart Shega 29 vjeç dhe Mario Berberi 26 vjeç, të gjithë banues në Devoll, që kaluan pijet energjike.
Arrestimi i tyre u bë pasi, në aksin rrugor Bilisht-Korçë, në afërsi të fshatit Dishnicë, nga shërbimet e Policisë, janë kapur në flagrancë Kristi Meslani dhe Rezart Shega të cilët drejtonin mjetet me targa AA 170 UF dhe AA 226 GH, duke transportuar një sasi të konsiderueshme me pije energjike dhe pije të tjera, të dyshuara si kontrabandë të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Ndërsa Mario Berberi, dyshohet të jetë porositësi i këtij malli.
Nga verifikimet e kryera, rezulton se këto mjete kanë kaluar nga Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë, ku dyshohet se nuk i janë nënshtruar procesit përkatës të kontrollit doganor. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë bazuar në nenet 248, 172, 174 të Kodit Penal.
Komente











