Kontradikta me koston e Rrugës së Arbrit, Ministria e Financave: Vlera e investimit arrin në 219 mln euro

219 milionë euro është vlera e investimit të rrugës së Arbrit, që pritet të përfundojë brenda vitit 2022, sipas parashikimeve në kontratë. Në raportin vjetor të Koncesioneve, të hartuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë thuhet se deri në fund të vitit 2020 është realizuar 65% e volumit të punimeve të ndërtimit. Volumi i punimeve ka qenë 5% më i ulët sesa parashikimi për shkak se u pezulluan punimet në tunelin e Murrizit dhe punimet në skarpatet për segmentet numër 2 dhe numër 4.

“Shpronësimet e parealizuara, kushtet klimaterike dhe problemet gjeologjike të tunelit të Murrizit, kanë qenë pengesë e realizimit me normë më të shpejtë të investimeve. Për vitin 2020, vlera e realizuar e investimit përbën 87.5% të vlerës së planifikuar të investimit. Megjithatë Autoriteti Kontraktues ka informuar se punimet e ndërtimit kanë nisur pas zgjidhjes teknike të dakordësuar për përmirësimin e këtij projekti. Ky risk i materializuar po shqyrtohet nga ana Autoritetit Kontraktues.”, thuhet në raportin e financave.

Por edhe pse Ministria e Financave raporton se vlera e investimit është  219 milionë euro, raportet janë kontradiktore me njëra tjetrën. Sipas dokumentit të procedurës konkurruese për dhënien e koncesionit thuhej se vlera e këtij projekti është 277,7 milionë euro (33.6 miliardë lekë).

Ndërsa në një dokument përmbledhës të Autoritetit Rrugor Shqiptar thuhej se kostoja totale e gjithë ndërtimit të rrugës së Arbrit arrin në 333,1 milionë euro (40.3 miliardë lekë).

“Vlera totale e punimeve është rreth 40.3 miliard leke nga te cilat rreth 37.7 miliard leke kosto ndërtimore dhe 2.6 miliard leke - kosto mirëmbajtje + operim i tunelit”, thuhet në dokumentin e ARRSH.

Ky projekt që erdhi si ofertë e pa-kërkuar e që po ndërtohet nga kompania Gjoka Konstruksion, financohet nga buxheti i shtetit.

“Përsa i përket llojit të financimit ky projekt koncesionare/PPP është me mbështetje buxhetore, pagesat e të cilit fillojnë nga viti 2019. Autoriteti Kontraktues ka përmbushur detyrimin e pagesës për realizimin e punimeve të ndërtimit mbi 25 % të ecurisë së punimeve dhe do të kryejë pagesat në vijim sipas modelit financiar. Pagesat faktike të vitit 2020 janë në masën rreth 2.7 miliardë Lekë, duke rezultuar me një realizim prej 100% nga plani vjetor 2020, të cilat konsistojnë në “Ndërtim, Operim, Mirëmbajtje”, dhe “Supervizionim Kontrate”, vijon më tej raporti vjetor i Financave për koncesionet.

Punimet për këtë projekt kanë nisur në vitin 2019 dhe afati zyrtar është deri në 2022, ndërkohë që kohëzgjatja e koncesionit është 13 vite.

TË DHËNAT E MINISTRISË SË FINANCAVE

o Autoriteti Kontraktues: Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

o SPV: “Gjoka 87 sh.p.k”

o Vlera e Investimit: 26.5 miliardë Lek 219,092,503

o Data e fillimit të kontratës: 11 Korrik 2018

o Kohëzgjatja e kontratës: 13 vjet

o Faza aktuale e projektit: Ndërtim

o Forma : Propozim i pa-kërkuar

Tenderi i Rruges se Arbrit

Raporti i koncensioneve
Permbledhja e projektit te Rruges se Arbrit

K.T./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë