Më shumë para po mblidhen sesa po shpenzohen. Ministria e Financave thotë se në 8 muaj janë arkëtuar në total rreth 557.6 miliardë lekë, duke e tejkaluar planin e periudhës, dhe janë rritur me 58.5 miliardë lekë krahasuar me vjet.

Rritja më e fortë e të ardhurave tatimore është regjistruar tek Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, me 24.2% krahasuar me 8 mujorin e vitit 2025. Nga ky zë janë mbledhur 56.8 miliardë lekë duke u tejkaluar edhe plani. Ndikim në këtë rritje ka dhënë rritja e çmimeve, që automatikisht shoqërohet edhe me shtim të TVSH-së që paguajnë qytetarët për produktet që blejnë.

Gjithashtu për shkak të aksioneve kundër nëndeklarimit të pagave, por edhe rritjes së pagës mesatare janë shtuar edhe të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, me 8.8 miliardë lekë krahasuar me vjet. Në total prej tatimit mbi pagën u mblodhën 65.5 miliardë lekë. Sa i takon të ardhurave nga Fondet Speciale, që përfshijnë të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, arritën në 134.1 miliardë lekë.

Edhe të ardhurat doganore janë rritur pavarësisht se në nivel më të moderuar se ato tatimore, për shkak edhe të zhvlerësimit të kursit të këmbimit.

“Të ardhurat nga TVSH në import, për periudhën Janar-Gusht 2026, janë 108.5 miliardë lekë, 4.4 miliardë lekë ose 4.2% më shumë se 8-mujori i vitit 2025, si dhe realizim 97.6% e planit për periudhën 8-mujore 2026. Të ardhurat nga akciza, për periudhën Janar-Gusht 2026, janë realizuar në shumën 48.3 miliardë lekë, 2.1 miliardë lekë ose 4.5% më shumë se 8-mujori i vitit 2025, si dhe realizim në masën  100.2% të planit për 8-mujorin 2026”, thotë ministria.

Në anën tjetër shpenzimet nuk po ndjekin të njëjtin ritëm. Në total institucionet shpenzuan 496 miliardë lekë, edhe pse në rritje në raport me vjet me 8.2%, përsëri nuk është realizuar plani me 22.6 miliardë lekë.

Problem për këtë 8-mujor janë shpenzimet kapitale, ato që lidhen me investimet publike, që rezultuan 56.7 miliardë lekë, një realizim në masën 86.3% të planit të periudhës. Praktikisht po hasen probleme në realizimin e investimeve publike.

Për shkak se janë mbledhur më shumë para sesa janë shpenzuar, Ministria e Financave raporton se suficiti në këtë 8-mujor ishte 61.6 miliardë lekë.