Veç motrës së Lulzim Berishës, Luljetës e cila ka marrë nga Beqja 500 mijë euro, Shullazit që mendohet se ka përfituar 30 për qind të ish-hotelit dhe qindra mijë euro të tjera, është dhe një person tjetër që ka lidhur kontratë me biznesmenin.
Mes personave që ka përfituar një sipërfaqe prej 300 metra katror në ish-hotel Vollga, është dhe avokati i njohur që ka mbrojtur disa herë interesat e ish-kryeministrit Sali Berisha, Neshat Fana.
“Shqiptarja.com” zbulon se mes këtij të fundit dhe biznesmenit tashmë të njohur Ylvi Beqja në 13 dhjetor të 2011 është lidhur një kontratë noteriale,ku palët binin dakord për dhurimin e 300 metra katror, brenda territorit të ish-hotel Vollgës në Durrës. Kjo pronë ka një sipërfaqe totale prej 3428 metra katrorë, nga të cilat 300 metra i janë dhuruar avokatit Neshat Fana.
Kontrata, rezulton të jetë përpiluar përpara noterit Julian Zhelegu, ndërkohë që ajo është nënshkruar nga Fana dhe Beqja. Me sa duket ky i fundit i ka vënë si kusht Neshat Fanës që të regjistronte pronën në hipotekë në emër të kompanisë “Saudi Brathers Comercial Company” dhe në emrin e Ylvi Beqjat.
Më tej, sipas kushteve të kësaj kontrate “Saudi Brathers” ose Ylvi Beqja, duhet të regjistroheshin si pronarë të ligjshëm vetëm te një pjesë e pronës me një sipërfaqe mbi 300 metra katror në përputhje me legjislacionin shqiptar. Ndërkohë që përfituesi Neshat Fana ka të drejtë të ndajë pjesën e sipërfaqes së tij nga prona ose ta regjistrojë të pandarë.
dy.b/shqiptarja.com